E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shkarkon Prençin pas tri kërkesave për dorëheqje

Këshilli i Ministrave miratoi dje propozimin e Ministrit të Brendshëm për lirimin nga detyra të kreut aktual të uniformave blu


Në mbledhjen e djeshme u emërua Hysni Burgaj, Drejtor i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit


TIRANE- Pas tri kërkesave të ripërsëritura për dorëheqje, pranë Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit, Ahmet Prençi është liruar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dje nga Këshilli i Ministrave.


Shkarkimi i Prençit nga detyra është kryer dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku janë miratuar edhe disa vendime të tjera. Po me propozim të Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Këshilli i Ministrave emëroi në këtë detyrë, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për Shërbimet Mbështetëse, Drejtues i Parë Hysni Burgaj.


Prençi prej disa kohësh kishte kërkuar largimin e tij nga funksioni i lartë që mbante, që në kohën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Bujar Nishani, kërkesa të cilat nuk ishin pranuar.Agrumentimi i Ministrit Basha, gjatë mbledhjes së qeverisë, për propozimin e shkarkimit të Prençit ka qenë se ai ishte ishte i sëmurë.


Për këtë shkak Prençi edhe kishte kërkuar lirimin nga detyra dhe emërimin e tij në një funksion tjetër. Ndërkaq, burime të Policisë së Shtetit, pohuan se Prençi kishte kërkuar kohë më parë largimin e tij nga funksioni i kreut të Policisë së Shtetit, për arsye shëndetësore.


Në dy rastet e para, kërkesa e tij për t'u larguar nga detyra ishte refuzuar nga ministri i Brendshëm dhe Kryeministri, herën e tretë kërkesa e tij u miratua. Menjëherë pas miratimit të shkarkimit të kreut të Policisë Prençi, është firmosur edhe urdhri i emërimit të pasardhësit të tij, Hysni Burgaj.


Pas kësaj detyre, ish- drejtori i Policisë së Shtetit, është emëruar këshilltar pranë Ministrit të Brendshëm. Përpara se të emërohej në krye të Policisë së Shtetit, Prençi kishte kryer detyrën e drejtorit të Policisë në Shkodër, si dhe njihej si oficer i lartë karriere, kryesisht në hetimin e krimeve.


Ai ka punuar më parë si Zëvendës Drejtor në Gjirokastër dhe Shef i Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ahmet Prençi, u emërua me 30 tetor të vitit 2007, duke zëvendësuar Bajram Ibrajn. Ky i fundit u shkarkua nga detyra pak ditë pasi në krye të dikasterit të Brendshëm mbërriti Bujar Nishani.


Ndërkaq, emërimi i Burgajt në këtë detyrë ka ardhur bazuar në Ligjin Për Policinë e Shtetit, sipas të cilit Drejtori i Policisë së Shtetit, duhet të zgjidhet në bazë së paku të ketë gradën e Drejtuesit të Parë dhe të jetë në grupin e Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë.


Cili është Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Hysni Burgaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i sapoemëruar në këtë funksion, ka kryer më parë detyra të ndryshme në radhët e Policisë së Shtetit që prej vitit 1984, pasi mbaroi Shkollën e Ministrisë së Brendshme.


Në karrierën e tij, Burgaj, ka punuar Drejtor i Policisë së Qarkut të Kukësit, Gjirokastrës, me nga një vit e gjysmë nga viti 2005 deri në vitin 2008. në mesin e vitit 2008, ai u transferua nga Policia e Qarkut të Gjirokastrës, në detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për Mbështetjen Logjistike. Në CV-në e dërguar nga Zyra e Shtypit e Policisë së Shtetit, pohohej se Burgaj ka kryer specializime të ndryshme të Menaxhimit Policor, si në SHBA, dhe vende të ndryshme të Evropës.


Drejtimi policor i Prençit, arritje apo dështime

Zbritja nga karrigia e një funksionari të lartë të shtetit, mbart me vete vazhdimisht dilemën e opinionit publik, nëse ky apo ai funksionar arriti të shpalosë apo jo si duhet aftësitë e tij, apo arriti të ushtrojë të gjitha kompetencat që atij i njeh ligji apo Kushtetuta.


Prençi mbërriti në këtë detyrë në vitin 2007, kur disa nga bandat kryesore të kohës, kishin marrë goditjen policore, apo ishin në proces të goditjes së tyre. Më parë ishin goditur në Durrës, me shumë sukses nga drejtuesit e atëhershëm të policisë lokale, disa grupe të konsideruara kriminale dhe të rrezikshme.


Mes tyre e ashtuquajtuara banda për të cilën akuzohet se ishte organizuar dhe drejtuar nga Lulëzim Berisha. Po kështu ishte goditur edhe banda e Lushnjes, si dhe banda të tjera në qytetete të tjera me rrezikshmëri më të ulët.


Gjatë kohës së drejtimit të Prençit, krimi pati kurbën e tij normale, me ulje dhe ngritje. Në goditjet më të suksesshme mund të cilësohet ajo e grupit të kartave të klonuara dhe disa goditje të tjera në fushën e korrupsionit.


Ndërkaq nëse do të kërkosh tek çdokush dështimet, këto mund të gjendjen më shpejt se sukseset. Vrasja e katër policëve në qytetin Durrësit, gjatë një operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit, sigurisht që duhet të ketë përgjegjësitë e saj, në drejtimin administrativ. Moszbulimi i vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste në Fier, Fatmir Xhindi, duhet të jetë një nga pikëpyetjet më të mëdha të Policisë së Shtetit gjatë këtyre viteve dhe jo vetëm e Zotit Prençi.


Për më tepër, çdo drejtues Policie duhet të jetë përgjegjës për largimin e dhjetëra dhe qindra oficerëve me përvojë nga radhët e Policisë së Shtetit, dhe zëvendësimin e tyre me militantë Partiakë. Ky proces nisi menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, kohë në të cilën Policinë e drejtonte Ibraj dhe më pas vazhdoi edhe gjatë kohës së Prençit.


Në të gjithë rastet, largimi i tyre ose ka qenë nën zë i motivuar, se këta janë me bindje të majta, ose se ata ishin shkurtuar për shkak të shkurtimit organik të vendit të punës dhe me faktin se ata kishin kapur moshën e reformës edhe nëse ishte 30 vjeç, apo edhe pse kishin kryer specializime pranë FBI-së apo vendeve të tjera partnere.


Zëvendësimi i tyre me njerëz që nuk kishin përvojën e duhur policore, apo me njerëz në fakt militantë, duhet të bëjë që çdo drejtues policie të ketë një brengë në ndërgjegjen e tij, për të mos u futur poshtë çadrës së faktit se këtë e ka firmosur Ministri apo... Shumë prej këtyre oficerëve me karrierë, pasion dhe profesionalizëm, mbetën peng të faktit se nuk pëlqeheshin nga politika e kujtdongjyre qoftë.
Redaksionale

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›