E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajtin e braktis avokati, mbahet lidhur duar e këmbë



Laureta Rryçi

Dritan Dajti është braktisur dje edhe nga avokati mbrojtës që përfaqësonte të drejtat e tij që në ditën e arrestimit. Në seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, avokati Arben Qeleshi u shpreh: “Nuk mund të mbroj një klient i cili mbahet lidhur duar dhe këmbë. Ai nuk është mirë si nga gjendja shëndetësore, ashtu dhe nga gjendja psikike. Dy herët e fundit nuk kam mundur të bisedoj më gjatë me të sesa dhjetë minuta”.
Arsyeja e tërheqjes së avokatit në momentin kur ende nuk ka nisur shqyrtimi gjyqësor, është mosdhënia e mundësisë për takim dhe konsultimet e munguara me të. Vetëm një seancë më parë avokati Qeleshi i deklaroi Gjykatës se kishte bërë takim me klientin e tij dhe mori pëlqimin për paraqitjen në gjyq. Para trupit gjykues, avokati Qeleshi tha se nuk mund të vazhdojë të mbrojë klientin e tij për disa arsye. E para, sipas tij, është gjendja e rënduar shëndetësore dhe kushtet në të cilat ai mbahet. Ndërsa vetë Dajti kishte shkruar një letër posaçërisht për kolegjin penal që po gjykon dosjen e tij. “E kam të pamundur të vij në proces. Qëndroj ose në krevat, ose në karrocë invalidësh. Çdo dhjetë minuta më bëjnë qetësues”, - thuhej në letrën që mbante firmën e Dajtit.
Braktisja
Sipas avokatit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë në Plazhin e Durrësit, mbahet i lidhur këmbë e duar. “Në këto kushte unë nuk mund të komunikoj me të dhe nuk mund t’i shpjegoj hapat në të cilat është duke ecur procesi gjyqësor”, - tha avokati Arben Qeleshi. Pas tërheqjes, Gjykata, e ndodhur para një salle të zbrazur nga i pandehuri dhe avokati mbrojtës, u detyrua të shpallë mungesën e të pandehurit dhe të bëjë zëvendësimin me një avokate kryesisht. Në vend të Qeleshit u caktua Valentina Teudoresku. Por duket se edhe ky zëvendësim nuk do të ecë. Praktika e shumë proceseve gjyqësore ka treguar se avokatët që caktohen nga familja në asnjë rast nuk mund të zëvendësohen nga ata kryesisht edhe pse trupi gjykues e ka këtë të drejtë.
Pretendimi
Pas seancës së djeshme gjithçka do të jetë në duart e vetë të pandehurit. Në një moment ai pranon të jetë në sallën e gjyqit duke larguar avokaten dhe duke kërkuar avokatin e tij. Kështu rinis gjithçka nga e para. Dritan Dajti, i ndihmuar nga familja, do të kërkojë të përfaqësohet nga avokati që do ai e jo nga një avokat kryesisht. Në këto kushte procesi gjyqësor është futur në një ngërç, të cilin e ka në dorë ta zgjidhë vetëm i pandehuri dhe më pas Gjykata me vendimet e saj të ndërmjetme. Nga njëra anë avokati jep dorëheqjen dhe nga ana tjetër Dritan Dajti nënshkruan një deklaratë nëpërmjet së cilës tregon se nuk ka dëshirë të jetë pjesë e procesit. “Unë, Dritan Dajti, deklaroj se nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe në këto kushte nuk dua të paraqitem në gjyq”. Dritan Dajti tashmë ka mbetur pa avokat dhe atij i duhet të zbresë në sallën e gjyqit për të riparuar atë që prej më shumë se tre muajsh është duke e mbajtur peng.

Bare qëndron në qeli, dështon seanca e radhës

Seanca e radhës ndaj Aldo Bares shtyhet sërish. Në orën 10:30 minuta të ditës së djeshme, në sallën e gjyqit të Gjykatës për Krime të Rënda u futën vetëm katër gjyqtarë. Një prej anëtarëve të trupit gjykues, Kreshnik Omari mungonte. Por nuk ishte kjo arsyeja e vetme për moszhvillimin e këtij gjyqi. Tavolina e dy prokurorëve, Besnik Muçi dhe Gentjan Trenova, ishte e boshatisur. Kryesuesja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari, tha se dy prokurorët janë në seminar. Hajdari vazhdoi më tej me këndin e avokatit Vladimir Meçi. Sipas saj, avokati mbrojtës i të pandehurit Aldo Bare kishte lajmëruar se nuk do të ishte i pranishëm në gjyq. Në këto kushte, kur salla ishte e zbrazur nga të gjitha palët, procesi ndaj Aldo Bares nuk u zhvillua. Seanca e radhës do të zhvillohet më 3 mars.

Tritol në lokal, policia në kërkim të autorëve

SARANDË - Tritol në një lokal, shpërthimi trondit gjithë qytetin. Ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin jugor, në Lagjen Nr. 2 të këtij qyteti. Mësohet se shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të mëdha të ambienteve të lokalit, por nuk ka pasur të lënduar pasi pronarët e kishin mbyllur atë. Sipas policisë, persona të paidentifikuar kanë vendosur një sasi tritoli në lokal, që ka shkaktuar më pas dhe shpërthimin e fuqishëm, i cili është ndjerë në të gjithë Sarandën. Aktualisht po vijojnë hetimet për të zbuluar autorët e ngjarjes dhe shkaqet që i shtynë ata të kryenin një veprim të tillë.

Pranga vëllezërve Pula, mbajtën peng dy persona se nuk i kthyen borxhin

LEZHË – Pranga dy vëllezërve dhe një tjetër shpallet në kërkim pasi mbajtën peng për disa orë dy persona. Sipas njoftimit të Policisë së Lezhës mësohet se Genc dhe Besnik Pula janë arrestuar sot ndërsa një person i tretë, Dritan Pula, është vënë në kërkim. Policia thotë se autorët kanë marrë dhe kanë mbajtur peng për disa orë 53-vjeçarin me iniciale F. P. dhe 50-vjeçarin Gj. T., të sapokthyer nga emigracioni. Shkaku mësohet se ka qenë borxhi i papaguar që këta të fundit u kishin pengmarrësve. Rrëmbimi ka ndodhur të hënën e kaluar dhe policia është vënë në ndjekje të autorëve pas denoncimit të bërë në komisariat.

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›