Goditet polici bashkiak, ndiqet penalisht agresori
DURRËS – Goditet me grushte punonjësi i Policisë Bashkiake, ndiqet penalisht autori. Uniformat blu bëjnë të ditur se ndaj shtetasit A. M., 45 vjeç, lindur në Lushnjë e banues në Durrës, ka nisur procedimi penal për veprën e “goditjes për shkak të detyrës”, pasi ditën e martë, rreth orës 14:00, ai ka qëlluar me grushte një punonjës të Policisë Bashkiake Durrës për shkaqe ende të paqarta. Menjëherë pas ngjarjes, 45-vjeçari është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen dhe më pas është vendosur që të hetohet në gjendej të lirë. Të gjitha materialet e grumbulluara nga ana e policisë i kaluan Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.
Bandat rivale, pranga 9 shqiptarëve dhe rumunëve
ITALI – Pranga dy bandave rivale, shqiptarë dhe rumunë që kryenin shfrytëzim prostitucioni. Lajmi bëhet me dije nga mediat italiane, të cilat theksojnë se nëntë persona, rumunë dhe shqiptarë, u arrestuan me akuzat të ndryshme të skllavërisë, shfrytëzimin e prostitucionit, tentativa grabitje dhe plaçkitje. Policia thotë se të dyshuarit u përkasin grupeve rivale që konkurrojnë për kontrollin e zonave të caktuara të qytetit dhe rrethinat e Katanias. Sipas hetuesve, dy grupet rivale kanë pasur vazhdimisht përplasje mes tyre, të cilat kanë përfunduar me përleshje me thika dhe shkopinj me persona të plagosur. Ende nuk bëhet i ditur identiteti i shqiptarëve të arrestuar.
Shpallen në kërkim dy persona, shkatërruan lokalin dhe plagosën 18-vjeçarin
POGRADEC – Shkatërruan lokalin në gjendje të dehur, shpallen në kërkim dy autorët. Policia e qytetit juglindor bën të ditur se Albert dhe Ervin Shkullaku janë shpallur në kërkim nga ana e tyre, kjo pasi këta dy persona, në bashkëpunim më njeri-tjetrin, në gjendje të dehur janë konfliktuar në lokalin e E. Ibit dhe kanë dëmtuar disa xhama dhe tavolina të lokalit që ndodhet në Cërravë. Gjithashtu ata kanë goditur me sende të forta shtetasin S. M., 18 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia është duke vazhduar punën për kapjen e autorëve.
25 Shkurt 2010