E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Hoxha, një mendje e bukur

HENRI ÇILI 

A beautiful mind”, është ndoshta togfjalëshi më i përshtatshëm për të karakterizuar këtë figurë unike të historisë shqiptare të pas viteve ‘90. Eshtë fjala për Dritan Hoxhën, themeluesin dhe drejtuesin e TOP MEDIA, i ndarë dje në mëngjesin e së premtes nga jeta, në çastin fatal të orës 01.50 minuta të mëngjesit. Fati i keq ishte armiku i vetëm që arriti t’i ndalte rrugën  Dritan Hoxhës, njeriut të të gjitha sfidave dhe arritjeve, njeriut të imagjinatës dhe realizimit, njeriun e modernitetit dhe estetikës së rafinuar, i cili përmes medias së tij na krijoi një Shqipëri për t’u dashur, një Shqipëri për t’u shpresuar, një Shqipëri për t’u krenuar. Ndërsa sot, të gjithë ata që kanë punuar në media, që kanë bashkëpunuar me të, për një periudhë kohe të gjatë apo të shkurtër, janë të shokuar nga ideja se Dritan Hoxha nuk është më, asgjë më shumë se sa një refleksion mbi talentin, fatin dhe fatkeqësinë e tij, nuk do t’ia vlente.

Talentit i detyrohet për shumëçka shoqëria njerëzore. Ai dhe vetëm ai bën të mundur kapërcimin historik, bën të mundur novacionin, përtëritjen, kapërcimin e status quo-së. Struktura dhe institucione të tëra përpiqen pas kësaj të ruajnë dhe rafinojnë një gjendje të re të gjithëpranuar, në të cilën na ka shpënë talenti. 
Dhe Dritan Hoxha para së gjithash ishte një talent. Nga ato prerje, të cilat në shoqëritë perëndimore kanë themeluar qytetërimin perëndimor, kanë themeluar frymën e institucionet e këtij të fundit, kanë bërë modë, kanë modeluar sjellje kulturore dhe sociale, kanë bërë kohën e tyre. Të tilla ishin përmasat e projektit të tij mediatik për shoqërinë shqiptare. Në 10 vjetët e fundit ai transformoi tërësisht peizazhin mediatik shqiptar, me një shkollë të re gazetarie, me një shkollë të re të imazhit, me një estetikë të re, e cila e futi përfundimisht komunikimin masiv në Shqipëri në një standard perëndimor.

I gjithë kostelacioni i mediave që ai ideoi dhe prodhoi ishin një unitet harmonik, i plotësuar, i kuruar në çdo detaj, nga Top Albania Radio tek Top Channel, nga Digitalb dhe gjithçka tjetër, ishin në radhë të parë një investim kulturor i pallogaritshëm që shqiptarët patën mundësi ta shijonin si pasojë direkte e talentit dhe imagjinatës së Dritan Hoxhës dhe ekipeve profesionale që ai pati nuhatjen thuajse të pagabueshme për të ngritur.

Por jo vetëm kaq. Mediat e tij ishin dhe garante të frymës së demokracisë dhe lirisë në këtë vend. Ato krijuan për herë të parë hapësirën televizive mbarë - shqiptare, duke bërë njësh para ekranit të Top Channel të gjithë shqiptarët, që historia dhe fati i ndau nëpër shtete të tjera, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi apo diasporat tona kudo që ndodhen.

Dritan Hoxha ishte i talentuar deri në ekses. Nga eksesi i talentit të tij kemi përfituar të gjithë, duke krijuar çfarëdolloj marrëdhënie me Top Channel. Të gjithë, që nga ata që kanë punuar në perandorinë e tij mediatike, të gjithë ata që kanë mbrojtur kauzat e tyre në hapësirat e saj, të gjithë ata që kanë identifikuar dhe shpalosur talentin e tyre në rrjetin e TOP MEDIA e deri ata që kanë patur lidhje me Top Channel thjesht në statusin e teleshikuesit. Nga eksesi i talentit të tij, nga ecja e tij shpejt, shumë shpejt në gjithçka, ishte Dritan Hoxha ai që sakrifikoi në orën e ligë të së premtes herët.

Dritan Hoxha është nga ato humbje, vajtimi i së cilës i përket jo thjesht rrethit të familjarëve dhe miqve e bashkëpunëtorëve të tij, i përket shoqërisë shqiptare. Nga humbja e një talenti të tillë kemi humbur diçka secili. Në fund të fundit, çdo kohë ka simbolet dhe institucionet e veta. Në bashkëkohësinë tonë Dritan Hoxha merr pjesë si një prej simboleve, kurse Top Media si një prej institucioneve. Pa Dritan Hoxhën bashkësia janë do të ketë diçka mangët.

Për kujtimin më të mirë ndaj Dritan Hoxhës, Top Media dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të vijojnë praninë e tyre jetike për median e demokracinë shqiptare, me të njëjtin nerv, me të njëjtën cilësi, me të njëjtin pasion. Më e bukura kujtesë dhe nderin për njeriun “beautiful mind” është kjo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›