E Shtunë, 31 Tetor 2026

Menduh Thaçi, Kryeministri hije

Menduh Thaçi shfaqet në stilin e Robert
De Niros, në ndonjë rol bosësh, në një fotografi
të vendosur në katin përdhes të
kafenesë "Dora" në Tetovë. Në këtë zonë,
afër ndërtesës së komunës që drejtohet nga BDI-ja, por
që pothuajse qyteti kontrollohet nga PDSH-ja, politikani
më i fuqishëm i shqiptarëve të Maqedonisë kalon
pjesën më të madhe të kohës. Partneri aktual i Kryeministrit
Nikola Gruevski e quan vetveten "njeri operativ"
dhe "njëfarë gjysmëkryeministri". Kosovari 43-vjeçar nga
Kaçaniku preferon natën bisedat joformale, është gjithmonë
i rrethuar me më shumë se dhjetë njerëz dhe politikën
e sheh me mjaft realizëm - të përzier me ekonomi
dhe forcë. Në intervistë ai kundërshton akuzat për atentat
ndaj Ali Ahmetit dhe dhunë ndaj BDI-së, për politizim
të policisë dhe drejtësisë, si dhe pasurim nga privatizimi.
Menduh Thaçi flet edhe për raportet e tij të acaruara
me Kryeministrin Hashim Thaçi, identitetin
kosovar dhe njohjen e Kosovës. Është një personalitet,
padyshim delikat. Për vete, mendon se është në mesin e
50 njerëzve më të rëndësishëm të Ballkanit. Por cili do të
jetë fati i tij në këto zgjedhje të zhurmshme në Maqedoni,
para se t‘i hapë rrugë pensionit?
Të gjithë e kthyen kokën këto ditë nga
shqiptarët e Maqedonisë, pas disa aksidenteve
serioze. Çfarë problemesh ka?
Do të bëj pak analizë. Shqiptarët e Maqedonisë
edhe më tutje vazhdojnë të jenë shumë të frustruar.
Është pasojë e asaj se, për të qenë edhe pak vetëkritik,
në tetëmbëdhjetë vitet e fundit të tranzicionit
ngelëm pa i realizuar të drejtat tona. Disa piskatën
me demokraci, disa me pushkë... procesi nuk shkoi
përpara. Realisht ekziston një frustrim i përgjithshëm.
Këtë frustrim e stimulojnë edhe të tjerët, maqedonasit.
Aq më tepër kur ata janë në një problem
shumë të madh me bashkësinë ndërkombëtare për
kompromiset që duhet të bëjnë për t‘u futur në organizma
ndërkombëtarë. Po duan që me një taktikë
shumë të fëlliqur t‘u hedhin fajin shqiptarëve, se ata
gjoja po prishin imazhin e Maqedonisë. Dhe e treta
është 2001-shi. Ka shumë njerëz që nuk pajtohen me
tezat e mia, por unë vazhdoj të them publikisht edhe
sot, se 2001-shi nuk ka qenë luftë çlirimtare, por ka
qenë revolucion i kuq për të marrë pushtetin me
dhunë.
Në vitin 2001, partisë sime i është marrë pushteti
me dhunë. Kjo aq më tepër ngarkohet kur ata, të cilët
u instaluan me dhunë më 2001 vazhduan në mënyrë
permanente zgjedhjet tjera t‘i marrin me dhunë.
Z. Thaçi, a keni hyrë edhe ju me dhunë në
pushtet në vitin 2006, kur shkuat në qeveri,
edhe pse kishit më pak vota sesa BDI-ja?
Nuk mund të thuhet se kemi hyrë me dhunë. Ka
disa që thonë se kemi hyrë me të padrejtë. Formalisht,
duket se BDI-ja ka marrë më tepër deputetë, e
ne më pak. Vazhdoj veten ta vendos te njerëzit, të cilët
kanë një vertikale morale dhe nuk hyj në qeveri pa
fituar zgjedhjet. Më 2006-ën ka ndodhur një manipulim
shumë i madh. Do të jap vetëm një argument
- është një zonë, e Kërçovës, ku nuk vepron demokracia.
Aty kemi humbur me rezultatin 30 mijë me 200
dhe mu aty i kam humbur gjashtë deputetë. Dhe, ta
përfundoj analizën time, 2001-shi e degjeneroi shoqërinë
shqiptare. Kriminaliteti u rrit në masë të madhe.
Vetëm pas përfundimit të konfliktit, apo kinsekonfliktit
shqiptaro-maqedonas, për katër vjet janë
vrarë 500 djem të ri në Maqedoni.
Pra, ky argument fshihet pas asaj deklaratës
suaj, se "BDI-ja nuk ka plumba për
shqiptarët, sepse i ka harxhuar"?
Po, ata i kanë harxhuar sa kanë qenë në pushtet.
A është kjo vetëm një metaforë apo ato
vrasje kanë ndodhur gjatë luftës?
Jo, ato vrasje kanë ndodhur pas luftës. 500 djem
të ri janë vrarë. Ka pasur ekzekutime klasike të tipit
mafioz në Tetovë, në Shkup. Përnjëherë janë vrarë 5-
6 vetë. Janë ekzekutuar njerëz që njihen me emër e
me mbiemër.
Për çfarë, për biznes?
Unë mendoj se kanë qenë pengesë e kësaj strukture
që doli prej konfliktit dhe janë ekzekutuar. Për të
bërë një akuzë jo juridike, por politike, vazhdoj të
konstatoj se për vrasjet e mistershme, që nuk zbulohen,
akuzohet qeveria. Ata ishin në qeveri. Një pjesë
të madhe të atyre rasteve, me ardhjen në qeveri ne i
kemi zbuluar, por shumë kanë mbetur pa u zbardhur.
Por, ndërkohë, a fshiheni ju pas një atentati
të kryer ditët e kaluara ndaj kryetarit
të BDI-së Ali Ahmeti, si dhe pas disa
breshërive me armë në disa shtabe zgjedhore
të BDI-së?
Nuk ka qenë atentat.
Çfarë ka qenë?
Asgjë fare. Ai po mundohet...
Z. Ahmeti thotë se vetura e tij është gjuajtur
nga emra që vijnë prej partisë suaj?
Jo, nuk është e vërtetë. Ai nuk ka lejuar vetë të
bëhet ekspertizë policore. Vazhdon të mos lejojë. Nuk
ka qenë atentat. Është një histerizim i situatës që
dëshiron ta bëjë Aliu.
Ju jeni në pushtet. Cila është e vërteta?
Unë jam pjesë e pushtetit dhe njerëzit, të cilët janë
të përfshirë në atë incident, janë të arrestuar. I pari
është arrestuar për tri orë, i dytë për 30 orë. Është ndër
rastet e rralla në Maqedoni që njerëzit arrestohen kaq
shpejt. Ata kanë dhënë deklaratat publike.
Kush janë të arrestuarit?
Ata janë fshatarë të atij fshati të njohur, Rahovec.
Unë mendoj se BDI-ja nuk ka pasur sens për provokimin
që ka bërë me vizitën në atë fshat. Në vitin
2003, kur ata ishin në pushtet, bënë një aksion ushtarak
në atë fshat dhe vranë një grua shtatzënë, disa
civilë... dhe mendoj se ata gabuan, nuk patën sens,
shkuan dhe provokuan situatën. Ka dëshmitarë. Dhe
këta djemtë e arrestuar pranojnë se kanë gjuajtur në
ajër, pranojnë se kanë komunikuar lirshëm me
udhëheqësin e BDI-së. Normalisht ata kanë fyer dhe
arsyet i kanë dhënë, pra e keni parasysh atë operacionin.
Revolta ka qenë arsye, për shkak se njëri prej
atyre djemve atë gruan e vrarë e paska kushërirë të
parë. Edhe deklarata në polici është dhënë kështu.
Sa i përket sulmeve të shtabeve, prapë është një tentim
për histerizim të situatës. Ka gjashtë vjet që BDIja
vepron në Maqedoni. Zona e Kërçovës vazhdon të
jetë 99.9 për qind e BDI-së, si në kohën e Stalinit. Nuk
ka as PDSH, as shtabe, as flamuj tanë. Mendoj se këto
skena që bëjnë janë për të mbuluar atë turp që ndodh
dhe do të ndodhë atje. Me sinqeritet të plotë mund
t‘u them se PDSH-ja ka forcë për të mos i lënë të hapin
asnjë shtab në Tetovë dhe Gostivar...
Po ju përse ia hiqni flamujt BDI-së në
Tetovë?
Nuk ia heqim ne. Ata i heqin vetë, për të krijuar
opinionin se ne jemi agresorët. Problemi i atij krahu
politik - i cili e ka burimin, lindjen, në armë, në përdorimin
e armës - është të heqë prej vetes etiketën e
agresorit.
Ndërkohë, drejtësia nuk flet. Dhe kundërshtarët
tuaj politikë thonë se drejtësia nuk
flet për shkak se ju udhëhiqni me Ministrinë
e Brendshme?
Absolutisht jo. Nëse unë e kontrolloj Ministrinë e
Brendshme mund të them se pjesëmarrësit e atij incidenti
janë në burg.
A është e vërtetë se edhe një pjesëtar i
sigurimit tuaj është përfshirë në atë rast?
Nuk është e vërtetë. Ata u kanë bërë disa incizime
të tubimeve tona të mëdha dhe e kanë kapur atë djalin
një dy-treqind metra larg... Unë nuk hyj të bëjë
kësi komentesh, sepse në të kundërtën do të pengojmë
drejtësinë. Personi tjetër që ka marrë pjesë në
incident, është dhëndri i Xhevat Ademit, kandidati
për deputet numër 4 i Ali Ahmetit. Ata që të dy janë
pjesëmarrës të luftës. Thjesht ka qenë një reagim
emocional. Ne reaguam menjëherë dhe kërkuam që
të shkojnë para drejtësisë. Ata janë të dy të burgosur.
Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.
Mirë, a është duke ju shqetësuar juve kjo
atmosferë e tensionuar? Ndoshta më e tensionuara
në rajon... Në Kosovë ajo kohë ka
kaluar.
Po, sepse atje janë ndërkombëtarët.
Pse mbetet situata e tillë në hapësirat me
shqiptarë në Maqedoni?
Kjo nuk më shqetëson, për shkak se unë jam mësuar
me kësi situatash. Mua më kanë krisur në disa
fushata, por edhe në këtë fushatë nuk e kam bërë të
madhe, për të mos e traumatizuar opinionin.
Dhe kjo mendoni se është në rregull?
Absolutisht nuk është në rregull. Kam kërkuar që
shumë njerëz të ndërmjetësojnë, t‘ia bëjnë me dije
Aliut se kjo nuk është metodë pune. Në fillim të fushatës,
në tre fshatra mua më kanë krisur, por s‘e kam
bërë të madhe. As nuk kam kërkuar nga Ministria e
Brendshme t‘i arrestoj. Jam munduar të shtensionoj
situatën. Dhe fundi i fundit, t‘i biem punës drejt.
Edhe unë dua të shkoj në Tanushë, por nuk shkoj të
provokojë situatën, sepse është zonë problematike.
Edhe unë dua të shkoj në Brodec...
Z. Thaçi, çfarë ndodhi në Brodec? Ju kanë
akuzuar se mbani përgjegjësi për vrasjet që
kanë ndodhur atje gjatë mandatit tuaj.
Absolutisht nuk ndihem fajtor. Brodeci ka qenë një
aksion policor, i pastër, kundër njerëzve, të cilët kishin
dosje shumë të mëdha kriminale. Një pjesë e atyre
ishin të ikurit nga burgu i Dubravës. Një pjesë tjetër
ishin të dënuar me burg të përjetshëm. Aksioni është
zhvilluar me polici multietnike, nën vëzhgim të plotë
të NATO-s dhe e dini se pas aksionit, edhe NATO, edhe
Departamenti i Shtetit dhanë vlerësime. Shkeljet që
janë bërë gjatë aksionit, ju siguroj, pa marrë parasysh
kush i ka bërë, do të dalin para drejtësisë. Shqetësimi
im më i madh, në atë kohë, për Brodecin ka qenë se
mos vallë situata që zgjati disa muaj - dhe ne u munduam
maksimalisht me metoda dhe mënyra të tjera
ta zgjidhim, me bisedime - mos po keqpërdoret nga
ana e të tjerëve për të dëmtuar momentin vendimtar
të shpalljes së statusit final të Kosovës. Nuk ndihem
absolutisht fajtor, as unë, as partia ime.
A do t‘ju dëmtoj kjo në zgjedhje?
Nuk besoj, sepse njerëzit kanë qenë, në pjesën më
të madhe, në hall. Normalisht nga frika. Një apo dy
prej atyre me dosje kriminale ende janë në liri, flasin
lirshëm. Unë kam mundësi të shkoj e të bëjë fushatë,
por nuk dua të provokoj situatën.
A mund të sqaroni çfarë është ajo që ju i
referoheni si Banda e Kosovës?
Të ikurit e burgut të Dubravës, një pjesë e tyre janë
zënë. Një pjesë u zu në Kosovë, mesa mua më kujtohet.
Një apo dy janë të vrarë këtu. Mendoj se shumë
pak janë në liri, një ose dy.
Është një akuzë tjetër që dëgjohet në
Tetovë, sipas së cilës ju kontrolloni njësitet
ALFA. Çfarë është ky njësit, a funksionon për
ju?
Njësitin ALFA e ka krijuar Ali Ahmeti dhe BDI-ja
kur ka qenë në pushtet. Është njësiti policor i ndërhyrjes
së shpejtë. Unë s‘para kam kohë të merrem
me polici, merrem me politikë. E normalisht bart
përgjegjësinë politike. Kontrolloj njësitin ALFA, për
shkak se përqindjen e shqiptarëve në atë njësit e kam
përmirësuar 300 për qind prej kur kam ardhur në
pushtet.
Por, a e përdorni atë njësit për qëllime
politike?
Absolutisht jo. Këtu nuk është Zimbabve. Këtu ka
vëzhgues, ka OSBE, ka ODIHR, ka ambasada. Mirëpo,
akuzat që bëhen ndaj këtij njësiti kanë një prapavijë
tjetër. Kriminelë të ndryshëm, të cilët fatkeqësisht
tashti e kanë rrethuar Ali Ahmetin, janë njerëz
të njohur me emra e mbiemra, narkodilerë të njohur,
të implikuar në prostitucion, kanë gjetur një mburojë
politike aty. Mirëpo, veprimin operativ e kanë të pamundësuar
nga njësiti ALFA. Këtu pra buron ajo akuzë
e tyre. Megjithatë, vlerësimi im është se BDI-ja nuk
ka kapacitete demokratike për të kaluar në opozitë.
Kam 16 vjet në politikë, 10 vjet në opozitë, 6 në pushtet.
Nuk është aq e lehtë që një personi dhe një partie
që ka një rrugëtim kaq të gjatë në politikë dhe asnjëherë
nuk ka qenë i implikuar në përdorim të dhunës
për qëllime politike... nuk është e lehtë që brenda një
muaji t‘ia krijoni një situatë se kjo parti po përdor
dhunë.
Nëse merrni më pak vota se BDI-ja, a do
të futeni në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë?
Ky është derti kryesor që ka BDI-ja. (qesh). Mendoj
se ajo nuk do të ndodhë. Ndoshta është e tepërt
të them se jam i sigurt që ajo nuk do të ndodhë. Besoj
se PDSH-ja do të fitojë dhe, atë, bindshëm. Edhe po
të fitojë bindshëm, edhe po të jem në qeveri, personit
të parë që do t‘i kërkoj konsensus për këto çështje të
rëndësishme do të jetë Aliu, pa marrë parasysh se
tash kemi ngatërresa. Do të jem i gatshëm të hap
biseda edhe më të thella për interes të këtyre çështjeve
kyçe që i kemi.
A duhet të futet në qeveri partia e dytë
më e madhe e shqiptarëve?
Nuk mendoj se do të futet. Mirëpo, është shumë e
thatë kjo përgjigje. Në politikë kjo përgjigje kërkon
sqarime të mëdha. Bardhyl Mahmuti, i cili deri
vonë ka qenë në PDSH, e arsyetonte hyrjen
tuaj në qeveri në vitin 2006 edhe me faktin
se BDI-ja kishte hyrë në koalicion me boshnjakët.
Po më vjen rëndë të hyj në imtësi. Ata kanë qenë
atëherë në koalicion me një parti boshnjake. Kanë
qenë në koalicion edhe me një parti tjetër shqiptare,
tri parti. Kanë pasur kandidat për deputet edhe
maqedonas në listat e tyre. Dhe ata kishin platformën
e integrimit, ku askund s‘përmendej çështja shqiptare,
problemi i shqiptarëve. Keq e mirë, ne vazhdojmë
ta kemi emrin shqiptarë, platformën shqiptare,
nuk bëjmë koalicione me etnitë e tjera, edhe
pse i kërkojmë votat prej tyre, sepse normalisht jemi
një shoqëri qytetare. Unë s‘kam biznese.
Z. Thaçi, çfarë ju bën juve njërën ndër figurat
më të fuqishme të shqiptarëve në Maqedoni?
Një prej arsyeve që dëgjojmë nga rivalët
tuaj është privatizimi që ka ndodhur
gjatë viteve ‘90.
Unë jam në politikë si drejtues prej vitit 1993. Në
pushtet kam hyrë në fund të vitit 1999. Këto janë
budallallëqe që i flet BDI-ja, që s‘e njeh as privatizimin.
Privatizimi ka përfunduar 99.9 për qind në fillim
të vitit 1998.
A janë të tuajat të gjitha këto ndërtesa në
Tetovë, në të cilët ke dhe posterët e mëdhenj,
siç thonë rivalët tuaj?
Jo, jo, nuk janë. 99 për qind e privatizimit ka
mbaruar më 1998-ën dhe fatkeqësia është kjo: 99 për
qind të atij privatizimi e kanë bërë maqedonasit. I
vetmi privatizim që ka ngelur është zemra e Tetovës,
ku mafia maqedonase ka bërë luftë që ta marrë dhe
ta privatizojë. Atë e kanë privatizuar disa miq të mi të
ngushtë dhe unë jam implikuar politikisht që të privatizohet
një, për shkak se janë shqiptarë, të parët shqiptarë
që privatizojnë diçka, e dyta janë miqtë e mi,
e treta kanë dokumentacion, financat i kanë legale.
Janë shtatë vëllezër, nga 20 vjet kanë punuar në Zvicër.
Ky privatizim është privatizimi më i saktë e më i drejtë
që ka ndodhur në Maqedoni.
Ju nuk fshiheni pas tyre? Nuk ju paguajnë
juve për objektet?
Jo, jo. Ata i kam miq.
A merreni me biznes z. Thaçi, sepse është
krijuar një imazh se ju jeni një njeri që ka
biznese, udhëheq nëntokën...?
Kurrë s‘jam marrë me asnjë biznes. Jam marrë
vetëm me një biznes në 1998-ën dhe ‘99-ën, e ai biznes
e ka emrin - lufta e Kosovës. E gjithë kjo pikturë
negative për personalitetin tim dhe partinë time është
krijuar atëherë nga Shërbimi Sekret Serb dhe ai Maqedonas.
Pa keqkuptime, vetëm të përmendësh çfarë
unë dhe PDSH-ja i ka dhënë luftës në Kosovë, shumë
gjëra sqarohen. Kur kombi është në luftë, lufta nuk
bëhet me patate dhe pure. Jam implikuar në atë situatë
edhe vetë, edhe bashkëpunëtorët, se kam vlerësuar
se është situatë shumë e rëndësishme për kombin
shqiptar. Për të gjithë ata që thonë se e kam
pasur gabim, po të ndodhte edhe njëherë, të njëjtën
gjë do të bëja. Madje edhe më keq. Nuk jam marrë
asnjëherë me asnjë biznes.
A e kontrolloni Doganën?
Jo, absolutisht. Prapë po them se jam 16 vjet në
politikë, dhjetë në opozitë dhe gjashtë në pushtet.
Këta "miqtë e mi" në opozitë kanë qenë katër vjet në
pushtet. Po të kishin ata një argument, sigurisht se
nuk do të kishin hezituar asnjë sekondë të bënin
ndjekje.
Ndërkohë, z. Bardhyl Mahmuti, që është
larguar nga partia juaj vitin e kaluar, thotë
se është ndarë për shkak se ju nuk i keni
përmbushur pikat kryesore të programit, me
të cilin keni dalë në zgjedhje më 2006-ën?
Nuk i kemi përmbushur detyrat personale të
Bardhyl Mahmutit për t‘u pasuruar. Ky është argument
që unë e di.
Pasuria është e vetmja arsye?
Ka pasur ambicie të pasurohet, por këtu nuk është...
A e keni sulmuar Teuta Arifin në Parlament?
Nuk është e lehtë për Menduh Thaçin, me gjithë
këtë përvojë, ta bësh agresor. Nuk është e vërtetë se
e kam goditur. Kam goditur dikë tjetër, një burrë, jo
grua. Normalisht, po më vjen turp të tregoj se e kam
goditur, sepse ai ka qenë njëfarë komandanti. Ka qenë
një gabim i imi momental. Megjithatë, duhet të kuptoni
situatën emocionale që kam pasur. Ata i shkelën
të gjitha normat e burrërisë. Sulmuan fizikisht një
deputet tonin, unë nuk kam qenë aty, kishin sharë
babë e nënë sa kanë mundur, e kjo nuk lejohet as me
Kanun, as me burrëri, asgjë... dhe mendoj se çfarë
kanë lypur, pak i ka gjetur. Kjo nuk ka lidhje me Teutën.
Ka lidhje me Afiz Halitin dhe Sadullah Goranin. Me
dy komandantë, të cilët vinin korridorit të Parlamentit
me truproje dhe miq si hordhitë e bishave për
të rrahur grupin parlamentar të PDSH-së.
Z. Thaçi, në Ballkan njerëzit që kanë dalë
prej luftës zakonisht e kanë kontrolluar në
një masë pas-luftën, ishin apo jo në pushtet.
Si u bë që ju, një parti që nuk keni qenë fizikisht
të përfshirë në konflikt, jeni kaq të guximshëm
përballë komandantëve të luftës?
Lufta e Maqedonisë ka qenë virtuale, nuk ka qenë
luftë. Mund t‘i pyesësh lirisht sa maqedonas kanë
vrarë. Gjithë ajo luftë e madhe që ka ndodhur në Kumanovë,
s‘ka asnjë maqedonas të vrarë. Lirisht mund
ta pyesni edhe Ali Ahmetin edhe komandantët e
zonave, sa maqedonas kanë vrarë në zonën e Kumanovës
dhe Tetovës. Ka qenë një imitacion lufte, ka
qenë një revolucion bukur mirë i përgatitur si ai i Leninit
më 1918-ën. Po e pranoj publikisht se na mashtruan.
Nuk mund të më mashtrojnë më.
Çfarë fiton komuniteti shqiptar në Maqedoni
me fitoren e PDSH-së më 1 qershor?
Gjithçka (qesh). PDSH-ja nëse fiton, ka edhe një
fat - e do të zgjidhen punët. Për të qenë krejt të sinqertë,
jo me shumë merita të PDSH-së. Por fati i
PDSH-së është se pesë minutat i kanë ardhur Maqedonisë.
Gjatë atyre pesë minutave, Maqedonia do të
jetë e detyruar pak prej PDSH-së e shumë prej aktorëve
të tjerë, që kërkesat e shqiptarëve t‘i mbyllë së
paku deri në shtator apo deri në fund të vitit.
Cilat janë ato?
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, eliminimi i rasteve
të Hagës, përdorimi i flamurit, rregullimi i statusit
të pjesëtarëve të luftës... të gjithë ato pjesë që
kanë qenë pjesë e marrëveshjes. Fati i PDSH-së është
se Maqedonia është në prag të NATO-s, në prag të
hapjes së bisedimeve për caktimin e datës së
anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është në
trysni të madhe prej këtyre faktorëve globalë që të
mbyllë këto çështje.

PER HASHIM THAÇIN DHE IDENTITETIN KOSOVAR

Z. Thaçi, nëse ka mundësi të kalojmë pak në raportet me Kosovën.
Ju kemi parë në një takim me Ramush Haradinajn,
ndërkohë nuk keni marrë pjesë në një tjetër të ftuar nga Presidenti
dhe Kryeministri.
Unë jam zgjedhur kryetar partie para nja dhjetë muajsh. Në atë kongres
partie që organizova, nuk erdhi asnjë përfaqësues i Partisë Demokratike të
Kosovës. Ishte një injorim alla kosovarçe që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë
dhe desha që me këtë reagim timin të tërheq vërejtjen në mënyrë shumë
të edukuar, që nuk bën më të nënçmohen shqiptarët e Maqedonisë. Ata
ishin pjesa e kombit që u sakrifikuan gjatë historisë për interesa më të mëdha
për Shqipërinë, për Kosovën, të cilat i pranoj. Tashti mendoj pak më ndryshe.
Në Kosovë dhe Shqipëri janë kryer punët. Mendoj se ndihma kryesore,
angazhimi kryesor edhe i Kosovës, edhe i Shqipërisë, duhet të jetë pro shqiptarëve
të Maqedonisë. Jo të trajtohen në formë nënçmuese, në formë të
shërbëtorit, por të trajtohen si partnerë. Edhe vëllezërit kur janë në shtëpi,
njëri është më i madh, por duhet të trajtohen si partnerë. Me këtë reagim që
bëra, desha ta ndal këtë praktikë. Sa i përket takimit që është organizuar nga
Presidenti dhe Kryeministri, ka pasur një jokorrektësi procedurale në atë
takim. Prandaj nuk kam marrë pjesë në atë takim. E dyta ka qenë jokorrektësia
politike. Proceduralja ka qenë se nga ftesa dhe telefonata nga Presidenti
e kuptova se vetëm unë jam i ftuar. Kur u ula përpara lajmeve qendrore,
kuptova se janë ftuar katër parti dhe katër liderë. Nja dy prej tyre i
kanë nga dy vota, ose një e gjysmë. Renditja ishte, unë i treti. Në mënyrë të
pashpjegueshme, pa kurrfarë rregullash demokratike. Dhe pastaj, kur kuptova
edhe idenë politike të disiplinimit të liderëve shqiptarë në Maqedoni,
refuzova edhe nga aspekti politik, për shkak se ai ishte një moment shumë
kritik i qeverisë së Maqedonisë. Ajo ishte e rrëzuar. Ju e dini se ne edhe juridikisht,
edhe formalisht e patëm lëshuar qeverinë, patëm vendosur disa kërkesa
që duhen përmbushur në kuadër të premtimeve të partnerëve të koalicionit.
Edhe një deklaratë e juaja është komentuar shumë, se
"Maqedonia do ta njohë Kosovën kur të thotë Menduh Thaçi..."
Nuk ka qenë tamam ashtu.
Si ka qenë?
"Kur të thotë PDSH-ja".
Mos ka qenë më shumë hakmarrëse ose përgjigje ndaj disa
deklaratave të klasës kosovare politike?
Ka qenë piskamë, ose thirrje politike për lidershipin shqiptar që të bëhet
më serioz, sepse këto janë çështje mjaft serioze dhe s‘është pranimi i pavarësisë
së Kosovës çështje e hajgareve dhe marketingjeve personale e partiake.
Kësaj deklarate i paraprinë shumë veprime të pamatura edhe nga
lidershipi kosovar, edhe nga disa parti të vogla këtu që thoshin "ne e pranojmë",
"unë e di datën"...
A e di Kryeministri i Kosovës datën?
Si mund ta di? Ajo është qesharake, është joserioze. Si mund ta di ai kur
qeveria e Maqedonisë varet nga PDSH-ja.
E ju, a e dini datën?
Po, e di. Data do të jetë 2 qershor (qeshet). Nëse e bëjmë më serioze këtë
temë. Unë doja të parandaloja një joseriozitet në qasje. Kryeministri dhe
qeveria e Maqedonisë janë të parët që kanë pranuar planin e Marti Ahtisarit.
Prej këtij plani del pavarësia e Kosovës. Nuk kishte nevojë për vrapim
pas marketingjeve personale, komplikim të situatës. E dyta, Kryeministri i
Maqedonisë ka pranuar me të gjitha ritet shtetërore Kryeministrin e Kosovës.
Madje, edhe liderin e opozitës së Kosovës, i cili atëherë ishte Hashimi.
Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e PDSH-së, kur ne ishim në qeveri. Në kohën
e PDSH-së, kryeministrat e Kosovës priteshin nëpër bodrume rreth Vardarit.
Unë e pata rregulluar situatën, që në mënyrë shumë fine, pa banalizime,
pa provokime, të kalojë edhe kjo. Kur filluan provokacionet politike,
sigurisht se procesi pak infektohet. Po përfundimtarja që është më serioze,
nuk e njeh Kosovën qeveria e Maqedonisë se thotë Menduh Thaçi. T‘i biem
punës drejt. Deklarata ime ishte një satirë apo ironizim i atij budallallëku që
ndodhi. Maqedonia është në krah të NATO-s, është deklaruar se dëshiron
partneritet me SHBA-në dhe kjo çështje është në aspektin politik e kryer.
Vullneti politik i qeverisë së Maqedonisë është i definuar për pranimin e
pavarësisë së Kosovës.
Si duhet të funksionojnë raportet mes partive politike të
Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoni?
Do të tentoj të jem më liberal. Askujt nuk mund t‘ia ndalosh të jetë më
i afërt me një parti. Kjo është krejtësisht demokratike dhe normale. Ta respektojmë
këtë rregull. Por institucionet shtetërore - Kryeministri, Presidenti,
Kryetari i Parlamentit - te të gjithë popujt e civilizuar u ndalohet
anësia, qoftë edhe e brendshme. Mendoj se kultura e re politike që na pret
është se institucionet shtetërore nuk guxojnë të krijojnë anshmëri, le më
jashtë Kosovës. E treta, ashpërsisht jam kundër një ideje, sipas meje tepër
të rrezikshme - një qendër kanë shqiptarët e ajo është Tirana. Nuk
mundesh të krijosh qendra paralele. E dyta, të bëhem pak romantik tash,
një gjuhë kanë shqiptarët. Nuk ka identitete të reja. Ngritja e tyre është
veprim antikombëtar - me dije apo pa dije, me vetëdije apo jo. Nga përvoja
politike që kam, nuk ka identitet kosovar. Nuk ka identitet të shqiptarëve
të Maqedonisë. Kjo do të ishte gabim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›