Shpërthen kapsolla, plagoset 14-vjeçari
Municionet
SHKODËR - Municionet akoma të shpërndara në zona të ndryshme të vendit kanë shkaktuar plagosjen e një 14-vjeçari në fshatin Gimaj të komunës Shalë të Dukagjinit. Zef Koçeku ka qenë duke kullotur bagëtitë në një prej territoreve malore pranë fshatit të tij, kur ka gjetur një kapsollë detonatore. Ai ka provuar ta ndezë duke menduar se është fishekzjarr, por ajo ka shpërthyer dhe e ka dëmtuar në fytyrë. Fëmija është dërguar i plagosur në spitalin rajonal të Shkodrës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën, por dëmtimet në fytyrë janë të rënda. Nuk dihen akoma rrethanat e plota të ngjarjes, pasi grupi hetimor deri në orët e vona nuk kishte mbërritur në zonën e largët malore ku kishte ndodhur ngjarja dhe të dhënat e para janë marrë nga babai i fëmijës që e ka sjellë atë në spital. Rastet e dëmtimeve nga municionet luftarake kanë qenë të shpeshta në qarkun e Shkodrës. Rreth dy vjet më parë, në janar 2008 një 13-vjeçar nga fshati Bardhaj në Shkodër humbi jetën ndërsa donte të merrte për skrap pjesën metalike të një predhe luftarake.