E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti: Kam 60 video-përgjime

TIRANE-Deputeti, Dritan Prifti ka deklaruar dje, gjatë një interviste në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, në NEWS 24 se: ka rreth 60 video-regjistrime për afera korruptive në administratën e lartë shtetërore. Ai ka bërë publike një video të tretë, ku personazh është botuesi, Fahri Balliu. Ndërkohë, Prifti shprehet se është i kërcënuar për jetën dhe deklaron se videot e tjera i ka në dy vende jashtë Shqipërisë.
Zoti Prifti keni deklaruar se keni edhe një video të tretë. Çfarë ka ajo?
Janë shumë më shumë, por kjo numër 3 është me një personazh të medias. Nuk kisha bërë plan të flisja për të. Nuk kisha në plan të merresha me këtë pjesë. Është një video e tretë, aty shfaqet botuesi i ‘Gazeta 55’, Fahri Balliu që më kërkon favor. Z Balliu ka ardhur shumë herë në zyrën time, unë e njoh prej vitesh, ai është një mik i z. Meta, hallexhi z. Balliu. Edhe zoti Balliu këtë radhë rastisi që erdhi nja 10 minuta para se të vinte zoti Meta dhe zoti Meta e gjeti edhe zotin Baliu brenda. Brendia e videos është interesante, sigurisht kërkonte favore duke ofruar pagesa në shkëmbim. Pra, kërkohet diçka dhe ofrohet diçka. Por, nuk dua të flasë më shumë, le ta lemë ta zgjidhë prokuroria këtë pjesë, unë kaq kisha.
Për cilin sektori interesohej?
Këtë pjesë e mbyllëm me kaq. Është interesuar për të gjitha territoret që mbulon ministria po e lemë me kaq.
Pse nuk e denonconi?
Videoja është në prokurori dhe nëse do ketë nevojë për dëshminë time do ta jap.
Ju aludoni për zotin Balliu që ushtronte trafik influence?
Zotin Balliu unë e njoh prej vitesh. Natyrisht, pronarët dhe drejtuesit e medias kur je politikan i njeh, ke edhe marrëdhënie. Zoti Balliu më është prezantuar nga Meta që në kohën që kemi qenë në opozitë, shumë vite më parë. Ka ardhur disa herë. Ka ardhur disa herë në zyrën e zotit Meta. Jemi takuar në zyra, në lokale. Kemi zhvilluar një lloj marrëdhënie.
Këto që ka kërkuar ju thoni që janë gjëra të paligjshme? A keni prova ju që akuzoni?
Do më bësh të nxjerr një sekret hetimi dhe të mbajë përgjegjësi penale. Gjatë asaj bisede janë bërë disa kërkesa. Njëra prej tyre që ishte më e vështirë për t’u realizuar është ajo që e ka bërë zoti Meta kur ka marrë postin në vendin tim.
Mua më është dashur t’i mbaj këto të dhëna, sepse prisja një periudhë acarimi. Ai është shumë hakmarrës dhe unë u përgatita të isha i mbrojtur.
Ju thoni se keni më shumë se 3 video...?
Po janë më shumë se aq, afër 60. Edhe ata që do dëshmojnë pro Ilir Metës unë i kam të regjistruar. Janë shumë. Nuk e kam personale me Ilir Metën, sepse tani do të kisha mbaruar punë me të. Por e kam bërë për vetëmbrojtje.
Këto të 60 i keni çuar në prokurori?
Prokuroria ka ato që janë bërë publike.
Nuk ua ka kërkuar të tjerat?
Nuk kam dhënë llogari se sa kam. Janë çështje të miat.
Ku ndodhen këto?
Janë në dy vende jashtë Shqipërisë.
Si mund t’i merrni?
Nuk kam në plan ta vazhdoj këtë lloj loje, nuk kam në plan të bëjë asgjë tjetër publike. Unë e bëra për të ndryshuar këtë sistem. Nuk funksionoi sistemi dhe nuk ja vlen të rrezikoj familjen time, veten time duke u marrë me to. Nuk është koha ta bësh këtë lloj lufte, sepse sistemi nuk funksionon. Edhe kur dorëzova të parën thashë që është një provë për të testuar sistemin.
A biseduat me kryeministrin për këto video?
4-5 më pikantet unë mendoja që zoti kryeministër duhet t’i dinte. Zoti Berisha e ka deklaruar publikisht, që unë këtë punë e kam bërë me dijeni të tij. Edhe sot që unë jam këtu nuk kam asnjë mbrojtje mbrapa. Jam duke e bërë këtë luftë i vetëm. Nuk mund të vazhdoj ta bëj i vetëm, sepse është e rrezikshme. Prokuroria i ka bërë kërkesë policisë për mbrojtjen time dhe policia ma ka hequr këtë drejtë. I kam kërkuar zyrtarisht shtetit. Jo vetëm që s’më kanë dhënë mbrojtje, por edhe atë që kisha ma kanë hequr. Kur e kupton që kryeministri jot nuk do të merret me këtë punë për një arsye dhe një tjetër unë nuk jam supermen. Unë këtë e bëra vetëm për mbrojtje. Ilir Meta në një vit qeveri ka pasur me mua një marrëdhënie terrori. Ai më arrestoi sekretarin, nxiti opozitën të dilnin 5 herë në konferenca shtypi për të më luftuar. Më largoi nga posti dhe nuk më la të varrosja gjyshen dhe këtë nuk ja fal.
Unë me Ilir Metën hëngra darkë dhe thamë kështu e gjykove ti, e gjykoi partia, në rregull. Por, Ilir Meta edhe pasi më zuri vendin filloi shantazhet, intrigat, kontrollet. Shkoi në një firmë bëri kontroll, atje ku ishte edhe bashkëshortja ime dhe i vuri 250 milionë lekë gjobë. Unë doja t’i vija fre këtij njeriu.
Nuk mund ta lija unë investimin tim. Absolutisht çdo kërkesë që diskutoja me Ilir Metën e kisha diskutuar në kohë reale me kryeministrin. Nëse ka një njeri në këtë vend që i di çdo gjë që kam biseduar me Ilir Metën je ti, i kam thënë kryeministrit. Dhe kryeministri filloi justifikimet. “Më vjen shumë keq, nuk kam çfarë bëj, se më tha do iki nga qeveria...” Është shumë e guximshme kjo që kam bërë. Jam një njeri që kam një informacion të jashtëzakonshëm që këta edhe mund të vrasin. Këta janë një bandë e rrezikshme. Kam detyrën të mbijetoj për familjen time, për fëmijët e mi. Denoncimet bëhen atëherë kur ti je i sigurt që do mbrohesh. Kam gjithë shtetin kundër. S’më kanë lënë një mbrojtje. Në momentin e duhur do t’i bëj publike të gjitha.
Në videon me ish-zv/ministrin Beqiri, dyshohet se keni marrë 70 mijë euro?
Ka qenë një ditë që unë nuk isha në punë. Atë ditë nuk kam qenë në detyrë. Ai ka ardhur për një çështje që është private mes meje dhe tij. Gjykata e lartë e ka mbyllur çështjen time. Mua më mjafton vetëm t’i them avokatit të marrë vendimin që hetimi është i pavlefshëm. Eurot janë çështje plotësisht private që s’kanë lidhje me detyrën time apo të zv/kryeministrit. Unë me zv/ministrin kam pasur një marrëdhënie private. I kam thënë të gjitha në prokurori. Unë shpresoj që prokuroria të japë drejtim hetimit. Të vërtetën e kam thënë atje ku duhet. Ka pasur një detyrim për t’i kthyer ka ardhur i ka kthyer si borxh.
Si e shpjegoni këtë situatë, që ju regjistroni zotin Meta dhe ai ju sulmonte dhe gjithçka bëhej për ministrinë e Ekonomisë?
Si mund të përulesha unë para një mafiozi, që unë kam kontribuar për LSI-në dhe për qeverinë më shumë se zoti Meta. Edhe për qeverinë, për koalicionin unë kam negociuar për çdo gjë. Kam pasur të paktën po aq kontribut sa ai për këtë gjë. Nuk kam për t’i hapur rrugën dikujt që s’ka të drejtë.
LSI-ja pas largimit tuaj mori 120 mijë vota, pra pati një rritje, ndërkohë që ju thatë që ka rënie?
Ata që e njohin partinë absolutisht nuk mund ta vlerësojnë në rritje. Në të 5 komunat në Fier, që bëra unë fushatë për PS-në, fitoi ajo. Por edhe të gjithë njerëzit që vuri LSI-ja për këshilltarë ishin njerëzit e mi. LSI-ja në zgjedhjet e tjera mund të marrë një mandat. Në Tiranë Ilir Meta s’fitoi. Ja dha Rama 3 mijë vota. I ka ardhur në majë të hundës njerëzve duke dëgjuar korrupsionin e LSI-së. Unë LSI-në e shikoj tashmë një parti të përfunduar.
Cili është raporti juaj me PS-në?
Kam marrëdhënie shumë normale me zotin Rama. Pothuajse çdo javë kemi komunikim. Akoma nuk e kam vlerësuar nëse është momenti për t’ju drejtuar PS-së me një kërkesë për afrim, por dëshiroj që të mbarojë një herë procesi hetimor. Plani im është të kontribuoj në PS. Ka disa personazhe në PS që nuk më kanë qejf. Ka disa personazhe që kam pasur një marrëdhënie të acartë.
Ju marrëdhënien më të ftohtë e keni pasur me zotin Rama..?
Në takimin e parë ne i kemi thënë njërit-tjetri të shkuara të harruara. Zoti Rama më ka thënë më ke rënë në qafë pa të drejtë, dhe unë i kam thënë më ke rënë në qafë pa të drejtë. Unë kam bërë politikë. Ato që kanë qenë pjesë e së kaluarës. Ka pasur gjëra të padrejta. Edhe unë ndaj atij dhe ai ndaj meje. Ka pasur emocione të shumta. Me zotin Rama kemi një bashkëpunim të mirë.
Kemi pasur një mirëkuptim që gjërat e së shkuarës i përkasin asaj. Javën e kaluar kishim një bashkëpunim, kur PS-ja fitoi qarkun e Fierit.
Po më zotin Berisha?
Me Berishën nuk kam fare marrëdhënie. Nuk dëshiroj që të kem marrëdhënie me Berishën. Historia ime me Berishën është e mbyllur. Me aq sa kam bashkëpunuar, punon me orë të gjata, por nuk i kupton gjërat. Kam keqardhje që e kam mbështetur në të shkuarën, sidomos pas gjërave që kam kuptuar pas largimit nga qeveria. 21 janari është pjellë e qeverisë. Në çfarëdolloj kushti unë historinë e bashkëpunimit me Berishën e kam mbyllur përfundimisht.
E ardhmja juaj politike?
Mbetet për t’u parë. Unë vazhdoj të kem miq të shumtë. Gjykoj që kam një bazë, mbi të cilën mund të vazhdoj të ndërtoj të ardhmen time politike.
Në të majtë, qendër apo djathtas?
Në të majtë. U bëj thirrje edhe atyre të majtëve që për shkak të një marrëdhënie të acaruar me Ramën, të mos bashkëpunojnë me Berishën. Ata që se njohin Berishën mund të bëhen shumë shpejt pishman, po ta mbështesin.

(News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›