E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetura me 8 vetë bie në humnerë, dy të vdekur



Dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur është bilanci i një aksidenti të rëndë që ndodhi dje në Tepelenë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në afërsi të fshatit Dhëmblan. Sipas policisë, viktimat janë drejtuesi i mjetit dhe një pasagjere. Ka qenë një çoban ai që ka parë aksidentin, duke lajmëruar edhe policinë. Sipas burimeve, Zigur Tafilaj, 33 vjeç, drejtues i mjetit Mercedez-Benz, me targa TR 5830 C, ishte nisur drejt Tepelenës së bashku me shtatë pasagjerë të tjerë, duke thyer edhe normat e lejuara për një transport udhëtarësh në bordin e një veture. Për shkak të mungesës së një linje në zonën malore të Komunës së Lopës, e cila është në kufi me rrethin e Vlorës, viktimat janë nisur të gjithë me një makinë. Brenda në mjet kishte edhe tre të mitur, të cilët mbaheshin në prehër të prindërve duke evituar kështu ngjeshjen e tyre në sediljet e pasme. Dyshohet se ngarkesa me pasagjerë ka qenë e madhe, çka nxori jashtë kontrollit drejtimin e mjetit në një rrugë të rrëpirë në të dalë të fshatit Dhëmblan. “Ngjarja ndodhi në mënyrë të menjëhershme, duke shkaktuar një rrokullisje prej disa metrash”, u shpreh dëshmitari okular, çobani i fshatit me inicialet F.K. Të shtatë pasagjerët së bashku me drejtuesin e mjetit, Zigur Tafilaj, u batuan në faqen e malit disa herë, për të përfunduar 150 metra poshtë humnerës në një lëndinë. Për pasojë, Zigur Tafilaj, si dhe shtetasja Shaze Hadëraj, 31 vjeç, po nga fshati Dhëmblan kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje shkuan forcat e Policisë së Tepelenës. Pasi nxorën dy trupat e pajetë, blutë transportuan me urgjencë për në spitalin e Gjirokastrës gjashtë pasagjerët e tjerë, mes të cilave bashkëshortja dhe i biri 18 muajsh i drejtuesit, Yllka Tafilaj, 30 vjeç dhe R. Tafilaj. Ndërkaq të plagosurit e tjerë janë Aurela Lila, 27 vjeç, nga Dhëmblani, së bashku me fëmijët e saj, Franko dhe Neri Lila 6 dhe 2 vjeç, si dhe Resilda Bilaj 15 vjeç nga Fieri. Mësohet se gjendja e Yllka Tafilajt dhe fëmijës 2-vjeçar, Neri Lila, është e rëndë ndaj ata u transportuan për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërsa personat e tjerë të plagosur, rezulton të jenë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në përfundim të veprimeve hetimore, konstatoi se shkaku i daljes nga rruga e automjetit, ka qenë humbja e kontrollit e shoferit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›