Maradona, akuzon “ish-mbrojtësit” e tij
Maradonës i kanë mjaftuar 24 orë mes mureve të vilës së tij në Buenos Aires, për të menduar dhe për të qetësuar nervozizmin e tij, pas vendimit të federatës argjentinase për të mos i rinovuar kontratën. Ai ka akuzuar presidentin e federatës, Grondona dhe ish-krahun e djathtë të tij, Bilardon. “Fillimisht më thirrën në përfaqësuese për të shuar një zjarr që mund të rrezikonte postin e Grondonës dhe pasi unë e bëra një gjë të tillë, ata më hodhën mua mes flakëve që kishin ndezur vetëm mënjanë. I gjithë stafi im ishte gati të vazhdonte këtë aventurë, sepse vetë Grondona, pas humbjes me Gjermaninë, në dhomat e zhveshjes na kishte konfirmuar të gjithë, edhe përpara futbollistëve. Por në ditët e fundit, ai më kërkoi të hiqja dorë nga 7 prej 9 ndihmësve të mi, por unë nuk mund të tradhtoj kurrë njerëzit tek të cilët besoj, vetëm për një post”, thekson Diego. Pas Grondonës ishte radha e Bilardos, menaxherit, trurit të kombëtares. “Unë kam virtyte dhe defekte, por gjithmonë mund t’i shoh njerëzit në fytyrë. Kur ishin ende të zhgënjyer për eliminimin, Bilardo punonte prapa kuintave për të na ‘vrarë’ të gjithë, duke filluar nga lista e ardhshme e të grumbulluarve për miqësoren e radhës. Në këtë federatë ka persona që nuk e duan futbollin argjentinas, por mendojnë vetëm për interesat e tyre dhe llogarinë personale bankare, por unë nuk jam kështu”, përfundon Maradona.