Të pastrehët, peticion Qeverisë
GJIROKASTER- Rreth 100 familje të pastreha në Gjirokastër, dikur të strehuara në shtëpitë e ish-pronarëve, kërkojnë të përfitojnë banesë me çmim të ulët. Një peticion i nënshkruar nga disa prej tyre, i drejtohet Kryeministrit të vendit Sali Berisha, që të marrë në konsideratë kërkesën e tyre për të përfituar banesë me çmim të ulët, ashtu sikurse është vepruar edhe 10 vjet më parë me 140 familje që ishin të strehuara në banesat e ish-pronarëve. Sipas kryetarit të Shoqatës së të Pastrehëve në Gjirokastër, Bujar Sulejmanaj, të gjithë të pastrehët e kategorizuar në shtëpitë e ish-pronarëve, duhet të përfitojnë banesë me çmim të ulët, ashtu sikurse ka ndodhur në periudhën 1996-2006. Sipas tij, në periudhën e mëparshme, dhjetëra familje të pastreha kanë paguar vetëm 500 mijë lekë për banesën, me një kredi dhënie fare të ulët, ndërsa pjesa tjetër e çmimit, është mbështetur nga Qeveria. “Këtë formë kompensimi kërkojmë edhe ne, jo më tepër”, u shpreh Sulejmanaj. p.n