E Diel, 1 Nëntor 2026

Ridi

Murat Basha

Trup vogël, i brishtë, i qeshur, me shikim të kthjellët blu, kështu e mbaj mend të vogël në shkollë Ridin (Refik Halili). Si shumë të tjerë, dhe ne të dy bëjmë pjesë në grupin e madh të familjeve që kaluan kalvarin e ferrit komunist. Ishte kjo arsyeja që ne u ritakuam në Repartin Ushtarak të Xhenjos në Poliçan të Skraparit, në të cilin dërgoheshin për të kryer shërbimin ushtarak të burgosurit ordinerë, “të fortët” e burgjeve dhe ne, djemtë e familjeve “armike” të pushtetit komunist. Edhe në këtë ambient të vështirë për të mbijetuar, por dhe për të mos pësuar deformime morale, Ridi, bashkë me mikun e tij Xhelën, diti të jetojë me kurajo, dinjitet, qetësi dhe ajo që e dallonte gjithmonë si edhe sot, (në ndryshim nga shumë të tjerë, por edhe nga unë, natyrë impulsive me reagim agresiv) buzëqeshja, nuk i ndahej nga fytyra, duke u bërë barrikadë e të keqes që mund të sulmonte nga të gjitha drejtimet. E bëra këtë hyrje ndoshta pak të gjatë, për të shkruar jo thjesht për një shok ushtrie, jo për një bashkëvuajtës, jo për një mik, por për një njeri që me kurajo qytetare merr mbi shpatulla dhe ndërgjegje, ëndrrën dhe emocionet e një kombi. Liria i dha mundësi të shpalosë talentin në biznes, pa asnjë suport politik, me punë dhe inteligjencë u bë i suksesshëm. Si qytetar i devotshëm “TIRONS”, natyrshëm kontribuoi dhe kontribuon për kryeqytetin, për qytetarët tironas, për cilësinë e jetesës së tyre. Natyrisht nuk mund të mos i rikthehej “dashnis” së vjetër, asaj për ekipin e Tironës. Edhe te Tirona, pavarësisht “problemeve” apo “pengesave” rezultati është përsëri suksesi. Sepse Ridi është ballafaquar me mjaft vështirësi. Jeta nuk të vjen si e dëshiron ti, ajo të rezervon vështirësi dhe sprova të pafundme, që kërkojnë mbi të gjitha forcë, moral, fizik, kurajo durim dhe shpirt të madh. Sepse njeriu mëson edhe nga humbjet. Të dish të kalosh çastet e vështira, është si të rilindësh. Ka gjithmonë një të ardhme drejt së cilës duhet të shikosh, madje edhe në momentet më të vështira. Tashmë në horizontin e kësaj të ardhmeje është sporti më i dashur futbolli, e bashkë me të, krenaria dhe ëndrra e një kombi, ekipi ynë përfaqësues. Kam bindjen se sporti, para së gjithash është mjet edukimi dhe me të drejtë lind pyetja: A është futbolli ynë edukativ, apo e kundërta? Futbolli në botë është industri, tek ne biznes i “brishtë” dhe shumë problematik…. Atëherë çfarë të bëjmë të rrimë duar kryq, duke u mësuar me të keqen, apo ta luftojmë atë? I vendosur për t`iu bërë barrikadë së keqes, por çka është më e rëndësishme për ta ndryshuar këtë realitet, kam bindjen se një njeri me staturën komplekse si Ridi, do ishte zgjedhja optimale me 09.03.2010. Jo thjesht për të vendosur dikë në krye të FSHF, por për të pasur në krye një burrë të ndershëm, patriot, i cili në genet e familjes, por dhe në bazën e formimit të tij, ka dashurinë dhe sakrificat për kombin. Gjithmonë kam mbrojtur opinionin se shteti që të ketë sukses, në krye të institucioneve të tij duhet të vendosë drejtues profesionistë të ndershëm dhe patriotë. Futbollin duhet ta drejtojnë dhe luajnë njerëz që të ëndërrojnë të veshin fanellën e shenjtë të përfaqësueses, të drithërohen nga pesha e përgjegjësisë, të përloten kur të këndohet hymni ynë kombëtar, (e jo të guxojnë të shesin apo blejnë ndeshje). Me djem të tillë mund të realizohen ëndrrat e një kombi, por që të mbërrijmë deri këtu duhet të kalojmë nga rruga e ndryshimit të madh dhe ndryshimi fillon me një sistem të ri organizimi dhe menaxhimi nga fëmijët, të rinjtë, ekipet e kategorive të ndryshme, Superliga (që duhet privatizuar sa më parë) dhe së fundi ekipi kombëtar, që nën peshën e fanellës dhe përgjegjësinë para kombit të ndeshen për flamur. Deri sot kjo ka munguar….Përse?! Arsyet i dimë të gjithë. Si në çdo aspekt të jetës edhe në FSHF ka ardhur momenti për ndryshim. Por për ndryshimin që sheh nga e ardhmja. Ta lëmë pas të shkuarën, me gjithë dështimet dhe problematikën e pafund. Ta lëmë pas si një ëndërr e keqe. Dhe jam i bindur se ndryshimi është Ridi dhe stafi i tij. Sepse në ndryshim nga paraardhësi i tij, Ridi punon me staf, me grup, nxit dhe orienton punën në skuadër. Kam shumë për të folur për Ridin, por do ta mbyll këtu. E ndjeva për detyrim qytetar dhe patriotik, të shkruaj për një mik, bashkëqytetar, i cili po merr mbi supe barrën e drejtimit të FSHF. Faleminderit Ridi, jemi me ty, kombi, shqiptarët kudo janë, presin nga ty, na kthe buzëqeshjen, na realizo ëndrrat dhe do mbetesh përjetë në memorien e kombit dhe pse jo në panteonin e tij. Na kthe krenarinë e të qenit shqiptar edhe në sport. Suksese vëlla. ZOTI qoftë me ty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›