E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritat, dysfishohen tarifat për konsumtorët mbi 300 kWh

Shqiptarët do ta paguajnë më shtrenjtë faturën e energjisë elektrike. Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) pranoi rritje me rreth 13 për qind (12.7%), nga 23 për qind që kishte kërkuar OSSH-ja. Pavarësisht mundimit të ERE-s për të pasur një rritje më të butë, konsumatorët familjarë dhe biznesi i vogël do të përballen me shtrenjtim të jetesës dhe kostos në aktivitetin privat. Vendimi u mor dje pasdreke, pas një debati që zgjati rreth tri orë, ku të pranishëm ishin edhe drejtues të KESH-it e OST-së, të cilët aplikuan për rritje tarife.
Për konsumatorët familjarë pritet një rritje mesatare mbi 11 për qind. Tarifa për 1 kilovat energji nga 8.4 lekë shkon në 9.24 lekë (përfshi TVSH) për konsumatorët familjarë që nuk harxhojnë më shumë se 300 kilovat/orë energji në muaj, kurse mbi këtë nivel, tarifa shkon në 16.2 lekë. Në tërësi, rritja mesatare e dritave për pjesën dërrmuese të konsumatorëve do të jetë 10 për qind.
Për konsumatorët biznes në fushën e tregtisë dhe shërbimeve, rritja e tarifave arrin në 22 për qind, ku nga 12 lekë për kilovat, ata do ta paguajnë për rreth 14 lekë. Vendimi i ERE-s ka zhgënjyer drejtuesit e OSSH-së, të cilët kishin llogaritur rritje me 23 për qind, mbi bazën e së cilës parashikon të ardhura të mjaftueshme dhe plan optimist zhvillimi për investime. Enti Rregullator nuk mori parasysh asnjë nivel rritjeje të propozuar nga OSSH, madje nuk e miratoi as heqjen e dy niveleve të konsumit, 300 dhe mbi 300 kilovat, duke ruajtur shtresën që konsumon më pak energji. Sipas llogaritjeve, familjet shqiptare konsumojnë mesatarisht rreth 190 kilovat energji në muaj. ERE mori vendim edhe për KESH-in dhe OST-në, duke miratuar rritje të konsiderueshme, përkatësisht 2.03 lekë dhe 0.6 lekë për kilovat/orë.
Ndryshimet
Duke iu referuar tabelës me tarifat e reja bie në sy fakti i konsumit mbi 300 kilovat/orë, ndaj së cilës është aplikuar një çmim rreth 16 lekë nga 12 që është aktualisht. Rritja e madhe u bë për shkak të stimulit të sjelljes së konsumatorëve për të kursyer energji elektrike dhe zhvendosjen drejt përdorimit të mjeteve të tjera alternative, si gazi. Për bizneset që punojnë me tension të ulët u vendos rritja me 0.5 lekë për kilovat/orë. Kështu çmimi për industrinë, nga 10 lekë shkon në 10.5 lekë, për bizneset e sektorit të bujqësisë çmimi nga 10 lekë do bëhet në 10.5 lekë, çmimi për tregtinë nga 10 lekë rritet në 12.2 lekë dhe për institucionet buxhetore bëhet 14 lekë/kilovat (që të gjitha pa TVSH).
Tarifa fikse mujore mbetet e pandryshuar në 200 lekë, kurse për ambientet e përbashkëta (shkalla, ashensori, pompa ujit, etj.) ka një rritje me 1 lekë, duke e bërë totalin me 8 lekë për kilovat/orë. Të gjitha tarifat e reja do të vihen në zbatim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2010, kurse për familjet e prekura nga çmimi i lartë qeveria vendos në dispozicion 2 miliardë lekë si subvencionim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›