E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studime part-time, më tepër se kuotat e ministrisë

Fluks i madh aplikimesh për të vazhduar studimet me kohë të pjesshme në universitetin "Aleksandër Xhuvani" të qytetit të Elbasanit. Sipas informacioneve në rektorat, kuotat e pranimit për programin e parë të studimit me kohë të pjesshme nga ana e Ministrisë së Arsimit për këtë universitet, nuk janë më tepër se 811, ndërsa kërkesat për këtë cikël studimi arrijnë në rreth 1800 të regjistruar. Ndërkohë që listat e fituesve janë shpallur dy ditë më parë, jashtë kuotave pranuese mbeten rreth 900 persona që kanë mbaruar një shkollë të mesme. Ndryshe paraqitet panorama e shkollimit për programin e dytë studimor me kohë të pjesshme. Ndërsa kuotat e përcaktuara nga MASH për ata që e kanë një diplomë të parë, është 379, vetëm 128 janë regjistruar apo kanë fituar nga kjo kategori. Përveç degëve Financë-Kontabilitet, Administrim-Biznes dhe deri diku Matematikë-Fizikë, nëntë degët e tjera nuk janë plotësuar me aplikues të këtij programi. Ndërsa fluksi më i madh i personave që kanë aplikuar për programin e parë studimor, mbetet në degët Punë sociale, Cikël i Ulët, Cikël i Ulët parashkollor, Histori-Gjeografi etj. Sipas përgjegjësit të degës mësimore dhe kurrikulave, Bashkim Gjevori, këtë vit është marrë parasysh edhe mesatarja e studentëve që kërkojnë këtë kategori studimore dhe fituesit kanë dalë në bazë të mesatares, por edhe në bazë të kuotave të pranimit. Gjevori ka shtuar se gjer tani nuk ka pasur asnjë ankesë për procedurat e zhvillimit të konkurrimit, përveç kërkesave në rritje për të vazhduar studimet e programit të parë pranë këtij universitetit. Ndërsa rektori Liman Varoshi ka shpjeguar se shpreson që Ministria e Arsimit të sjellë kuota shtesë vetëm për aplikuesit e programit të parë studimor, pasi një pjesë e madhe e tyre mbeten jashtë dyerve të universitetit.

B. Dybeli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›