E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi kërkon rritjen e tarifave për mbetjet urbane

Ministria e Mjedisit ka kërkuar që pushteti vendor të rrisë tarifat për mjedisin. Kështu do të mund të ketë një administrim më të mirë të mbetjeve urbane. Specialistët sqarojnë se ka qytete si Fieri ku tarifat për mjedisin janë 600 lekë në vit për familje, çka e vështirëson mbajtjen e qytetit pastër nga bashkia. Por ky nuk është i vetmi problem. Asnjë spital në vend nuk i trajton mbetjet spitalore sipas standardeve të kërkuara. Mbeturinat e spitalit hidhen në çdo vendgrumbullim plehrash duke u kthyer kështu në një rrezik për të gjithë qytetarët.

Ministria e Mjedisit po punon për ngritjen e një landfilli në Bushat të Shkodrës. Dje në Tryezën Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane janë ngritur disa çështje për diskutim.

Sipas specialistëve të mjedisit, nga vëzhgimi i inspektorëve në Tiranë rezulton asnjë klinikë apo strukturë spitalore nuk ka struktura për të trajtuar mbetjet. Pavarësisht nga gjobat, në sektorin publik apo privat nuk ka në listën e prioriteteve për të parë në një investim afatgjatë çështjen e trajtimit të mbetjeve qoftë dhe në planifikimin brenda buxhetit të ministrisë përkatëse.

Mediu vuri theksin edhe te mundësia e investimeve private në këtë fushë. "Eksperienca të vendeve të tjera tregojnë bashkëpunimin ndërmjet investitorëve privatë strukturave të pushtetit lokal dhe qendror dhe iniciativave të ndryshme ekonomike për të ndërtuar atë që duhet në raport me menaxhimin e të mbetjeve të ngurta", theksoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›