E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe CEZ

Enti Rregullator i Energjisë refuzoi kërkesën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për rritje të çmimit të dritave me 23 për qind dhe pranoi një rritje prej "vetëm" 12.8 për qind, duke u hapur rrugën diskutimeve ligjore me pronarët e rinj të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. OSSH nuk dha komente pas vendimit të djeshëm të ERE, por dy ditë më parë, drejtori i OSSH-së, Josef Hejsek, deklaroi se kompania e tij pritet të dalë me humbje gjatë vitit 2010 edhe sikur rritja e çmimit të bëhej 23 për qind.

"ERE ka vepruar si një institucion i pavarur nga politika, nga presioni mediatik dhe nga presioni i shoqërive që kanë aplikuar për çmime dhe tarifa për vitin 2010", argumentoi dje vendimin e vet enti mbikëqyrës. "ERE ka trajtuar me kujdes të veçantë mbrojtjen e konsumatorit nga veprimi i dukurisë "monopol" në sistemin e furnizimit me energji elektrike", tha pas mbledhjes Eduart Elezi, drejtor juridik në ERE.

ERE miratoi tarifën për KESH prej 2.03 lekë për kWh, shifër kjo 18.7 për qind më e lartë sesa tarifa e vjetër, si dhe çmimin prej 0.6 lekë për kWh për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, me një rritje prej 20 për qind. Sipas drejtorit të OSSH, Hejsek, qeveria shqiptare ka detyrim nga kontrata e privatizimit të rrisë çmimin e energjisë me minimalisht 15 për qind plus normën e inflacionit. Rritja e miratuar nga ERE qe më e ulët sesa kaq. "Në rast se ERE nuk e miraton rritjen prej 15 për qind, atëherë CEZ mund t‘i drejtohet qeverisë duke iu referuar deklaratës rregullatore, pika 6 e së cilës përcakton formën e kompensimit", deklaroi një zyrtar i lartë i qeverisë. Në rast se qeveria refuzon CEZ, atëherë kompania ka mundësi t‘i drejtohet Bankës Botërore, e cila ka lëshuar edhe garancinë financiare për privatizimin. "Nëse ne kemi rritje të çmimeve me 23 për qind në 2010 parashikojmë të kemi afërsisht 1.7 miliardë lekë humbje dhe do të na duhet të marrim rreth 1.1 miliardë lekë të tjera borxhe, për të mbyllur humbjen e të ardhurave", deklaroi dy ditë më parë Hejsek. Nuk është e qartë se sa do të shkojnë humbjet e OSSH nga mosrritja e tarifës sipas kërkesës. Shkurt, një pjesë e kostos së dritave edhe vitin e ardhshëm do të mbulohet nga paratë e taksapaguesve.

Çmimet dhe kostoja

Kostoja e furnizimit të Shqipërisë me energji elektrike vlerësohet të jetë rreth 12 lekë për kWh, por çmimi mesatar i miratuar nga ERE dje për vitin e ardhshëm do të jetë 9.53 lekë për kWh. Fakti që çmimet e energjisë janë më të ulëta sesa kostoja, i detyrohet faktit se gjatë viteve të shkuara, qeveria refuzoi rritjen e çmimeve për arsye elektorale dhe i mbuloi kostot përmes buxhetit të shtetit. Sot vetëm institucionet buxhetore, të cilat do të paguajnë 14 lekë për kWh, nuk përfitojnë çmim më të ulët se kostoja. Shqipëria ka detyrim në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit që të lejojë rritjen e çmimit të energjisë mbi koston e saj.

ERE deklaroi dje se "tarifat e reja u mundësojnë kompanive të kryejnë furnizim të pandërprerë me energji për vitin 2010, por nuk bëri të qartë nëse ky çmim e mbulon koston apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›