E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëro Agolli: “Nano ka kërkuar te mos me vije ne varrim”



Themeluesi i Partisë Socialiste, Dritëro Agolli, në një intervistë për televizionin “Ora News”, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për protestën që do të zhvillojë Partia Socialiste ditën e shtunë. Agolli mendon se përpjekja e PS-së për të bërë transparencën e zgjedhjeve duke kërkuar hapjen e kutive të votimit është një përpjekje e drejtë dhe demokratike. Më tej shkrimtari shpreh bindjen se bojkoti i PS-së nuk do të zgjasë përjetësisht, madje, sipas tij, nuk do të shkojë as gjashtë muaj, pasi në momentin e duhur do të futet në Kuvend. Por, një nga themeluesit e PS-së, ka komentuar dhe deklaratat e ish-kryetarit Fatos Nano ndaj tij. Shkrimtari Dritëro Agolli ka komentuar dhe vendimin e fundit të qeverisë maqedonase, e cila ka penguar librat në gjuhën shqipe që të marrin pjesë në panairin e librit në Tetovë.

Zoti Agolli, ditën e shtunë Partia Socialiste ka deklaruar se do të protestojë për hapjen e kutive të votimit dhe për transparencën e zgjedhjeve. Mendoni se nëpërmjet protestave Partia Socialiste do t’ia arrijë qëllimit?

Partia Socialiste po bën përpjekje për të arritur qëllimin. Pastaj, se çfarë bëjnë ata që e kanë në dorë, është tjetër gjë. Por veprimi është i drejtë, është demokratik dhe kërkon një zgjidhje. Sepse opozita këtë puna ka, apo jo?

Zoti Agolli, ju keni deklaruar se bojkoti i Partisë Socialiste nuk duhet të jetë i përhershëm. A mendoni se është i drejtë bojkoti që Partia Socialiste i ka bërë Kuvendit dhe a duhet të zgjasë ky bojkot?

Unë, tani për tani nuk mund të them se si duhet të jetë ky bojkot. Por bojkotet nuk janë të përjetshme. Kjo është provuar edhe nga parti të tjera që kanë bojkotuar, tre vjet me radhë. Partia Demokratike, në vitin 2001 dhe në vitin 1997 e ka bojkotuar Kuvendin për 3 vite me radhë, por nuk rezistoi dot dhe në vitin e fundit erdhi në Parlament. Kështu që bojkotet nuk janë të vazhdueshme dhe të pafundme. Edhe Partia Socialiste, kur ta gjejë momentin, do të futet në Parlament.

Sa duhet të zgjasë ky bojkot sipas mendimit tuaj, zoti Agolli?

Zgjatja e bojkotit duhet të jetë aq sa të arrihet qëllimi që ka, që të hapen kutitë.

Edhe nëse kalojnë 6 muaj? Pasi deputetëve nuk u quhet mandati në rast se nuk bëjnë betimin dhe në rast kalojnë 6 muaj pa u futur në Kuvend.

Nuk e besoj se do të zgjasë 6 muaj. 6 muaj nuk zgjat bojkoti. Po të të bëja një pyetje edhe unë: po në rast se do të digjeshin kutitë e votimit, ç’do të bëhej pastaj?

Zoti Agolli, ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka deklaruar se Rama ju ka shfrytëzuar ju në rastin e zhvillimit të një vizite në shtëpinë tuaj dhe në disa raste kur ka përdorur emrin tuaj në deklarata për mediat. Ju, si e komentoni këtë deklaratë të Nanos?

Ajo nuk ishte shfrytëzim. Mundet që unë ta kem shfrytëzuar Ramën. Mundimi që vjen në shtëpi s’do të thotë që është shfrytëzim. Është gabim ajo që ka thënë Nano. Unë jam një njeri 78 vjeç, kam qenë një themelues i PS-së para Fatos Nanos. Unë e kam marrë Fatosin për të hyrë në PS dhe më pas u bë kryetar. Pra unë, një themelues i PS-së, nuk më shfrytëzon kush. Asnjeri nuk më shfrytëzon. Unë jam i pavarur dhe i lirë nga kjo anë. I pavarur relativisht, sepse ne të gjithë jemi të varur ekonomikisht, ndërsa në mendime unë jam i pavarur. Dhe të mos i vijë keq Nanos për këtë gjë. Sepse ai ka shkruar në një shkrim që Dritëro Agollit të mos i shkojë njeri në varrim. Cila është më e rëndë? Ajo që thotë ai për Ramën, apo kjo që thotë ai për mua? Apo Nano mendon se kur i thotë ai fjalët të tjerët hanë bar?! Ai jeton, bën ahengje në Vjenë dhe luan bixhoz, ndërsa ne bëjmë pazar dhe blejmë domate.

Zoti Agolli, të kthehemi në fushën tuaj, në atë të letrave, të librave. Ditët e fundit qeveria e Maqedonisë ka ndaluar të hyjnë në këtë shtet për të marrë pjesë në Panairin e Tetovës një sasi librash në shqip. Si e komentoni ju këtë veprim?

Mendoj se ndalimi i librave shqiptarë për një panair në Tetovë nga ana e qeverisë maqedonase është një çudi e madhe dhe e pabesueshme në kohën kur edhe Maqedonia, edhe Shqipëria dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Europian. Hyrja në BE nënkupton edhe hyrjen e librit. Ndalimi i librit është ndalimi i integrimit në BE. Ai vend që ndalon librin të hyjë në vendin e tij nuk e meriton të hyjë në BE. Shkrimtari gjerman, Gutenbergu, më 1440-n, shpiku shtypshkronjën e parë lëvizëse. Që atëherë libri filloi të lëvizë. Pra mendojeni, shumë vite më parë filloi të lëvizë me gjithë vështirësisë e mëdha. Ndaj sot, pas 569 vitesh të shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut, një vend i vogël si Maqedonia, për çudi, ndalon librin që të lëvizë, kur Gutenbergu edhe shtypshkronjën e tij e vuri në lëvizje, jo vetëm librin. Edhe në kohën e socializmit, pra para 20 vitesh, në panaire ne nuk na i ndalonin librat, as në Francë, as në Gjermani, në panairin e Frankfurtit, në atë kohë kur Shqipëria ishte e izoluar. Sot Maqedonia bëri një shpikje të re që ndalon librin shqiptar. Shkrimtari i madh austriak, Cvajgu, ka thënë se dy janë shpikjet më të mëdha në botë: shpikja e rrotës, pra e makinave, dhe shpikja e librit. Njëra nga këto dy shpikje e shqetëson Maqedoninë, dhe kjo është shpikja e librit. Ne na vjen keq që një vend mik, një vend fqinj, të ndalojë një thesar të madh që është libri, dhe këtu edhe qeveria maqedonase, edhe qeveria jonë duhet të ngrenë zërin për këtë, sepse jemi kandidatë për të hyrë në BE?

Si e shikoni debatin që hapi Enciklopedia e botuar në Maqedoni për historinë e shqiptarëve?

Unë kam shkruar për këtë çështje. Por, me sa duket, qeveria maqedonase ka marrë masa, por edhe Akademia e Shkencave në Maqedoni ka marrë masa për të shkarkuar kryetarin e Akademisë dhe disa anëtarë. Sepse në një vend si Maqedonia, ku 30% janë shqiptarë dhe të fyhen bashkëjetuesit sepse atje pa shqiptarët nuk bëhet qeveria. T’i fyesh duke i quajtur njerëz të zbritur nga mali, është një gjë antihistorike, antimorale dhe antinjerëzore. Mendoj se tani u bë ky faj, sepse është faj dhe jo gabim, por duhet që për herë tjetër të vënë mend kokat akademike që të mos bëjnë fyerje të tilla, sepse nuk ka hije në këtë kohë kur shtetet po bashkohen akoma më shumë në Bashkimin Europian.

Zoti Agolli, nuk është hera e parë që zyrtarë maqedonas kanë kryer veprime antiligjore ndaj shqiptarëve. A vjen ky qëndrim edhe nga fakti se faktori shqiptar reagon butë?

Ne, Republikën e Maqedonisë e kemi aprovuar të parët. Ne ishim vendi i parë që e përkrahëm, e përshëndetëm dhe thamë fjalët më të mira. Kështu që ata duhet ta kenë parasysh edhe këtë gjë. Por, mesa duket, këto janë përsëritje të së kaluarës dhe vjen nga tradita e hershme që u bëhej shqiptarëve nën regjimin jugosllav.

Maqedonia është një vend që aktualisht ka probleme me pothuajse të gjitha shtetet fqinje, si me Greqinë, Bullgarinë, Kosovën dhe me Shqipërinë. Si ka mundësi që një shtet kaq i vogël krijon kaq shumë probleme?

Ndonjëherë ndodh që shtetet e vogla, që nuk kanë zhvillim të madh, por jo të gjitha, sepse shtet i vogël është edhe Danimarka, edhe të tjera më të vegla akoma, mirëpo zakonisht shteteve të vogla si puna e Maqedonisë i mungon ajo hapësira e kulturës dhe duan të afirmojnë identitetin e tyre me të tilla gjëra për t’u dëgjuar në botë. Por këto nuk janë një rrugë e mirë. Unë njoh shumë shkrimtarë dhe poetë të Maqedonisë që janë poetë vërtet shumë të mirë, që janë njerëz të shquar, por ata nuk kanë një mendim të tillë. Këto janë gjëra të pakëndshme.

Zoti Agolli, tani që Shqipëria është anëtare e NATO-s, a nuk duhet të tregohet më e fortë ndaj qëndrimeve antishqiptare?

Unë mendoj se nuk duhet t’i acarojmë marrëdhëniet në atë mënyrë që t’i përgjigjemi bajonetë me bajonetë. Më mirë me argumente, me qetësi, sesa me veprime të tilla për t’i dhënë zjarr. Mendoj që qeveria e ka shprehur atë që nuk do të acarohet me një shtet fqinj. Një shkrimtari apo shkencëtari, apo një intelektuali, mund t’i nevojitet për ta thënë një fjalë të ashpër, por shteti duhet të jetë shumë i matur për të mos krijuar acarime. Duhet që me diplomaci të përcjellë një mesazh duke i thënë që mos bëni gjëra të tilla, sepse ne dëshirojmë mirëqenien e njëri-tjetrit, paqen. Pra ka mënyra se si t’i zgjidhësh këto probleme, sepse dihet se 20 gramë hekur vrasin më shumë sesa 40 kg pambuk.

Marrë nga TV “Ora News”

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›