E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh Frontin Opozitar: “Protesta, sepse demokracia është në rrezik”

Kreu i PS-së takohet me liderët e partive të majta dhe të djathta opozitare. Rama: “Protestat, vendim jo vetëm i PS-së, por i shumicës së shqiptarëve”

Shaban Sulçe
Parti të majta dhe të djathta, të cilat kanë mbetur jashtë Parlamentit dhe që pretendojnë se u është cenuar vota në zgjedhjet e 28 qershorit, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për organizimin e tryezës opozitare. Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia G99, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Demokristiane dhe Partia Ligj për Drejtësi, të mbetura jashtë Parlamentit, si dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (e vetmja parti parlamentare), i kanë konfirmuar dje zyrtarisht kryesocialistit Edi Rama mbështetjen në vendimin politik për bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së si dhe mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tyre në protestën e 10 tetorit. Mbështetja ka ardhur edhe nga dy ish-anëtarët e Kryesisë së LSI-së, nga Sindikata e Minatorëve dhe nga Sindikata e Pensionistëve, të pranishëm në takim. Në diskutimet që janë zhvilluar me kreun e PS-së, Edi Rama, përfaqësuesit opozitarë kanë vendosur të mbështesin protestën e 10 tetorit me moton “Demokracia në rrezik”.

Takimi
Protesta e 10 tetorit, por edhe organizimi i mëtejshëm i aksionit politik të Frontit Opozitar kanë qenë temat kryesore të diskutuara në tryezën e djeshme të partive opozitare. Të pranishëm në takim ka qenë kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, si dhe drejtuesit e tri partive opozitare të së djathtës, Dashamir Shehi i LZHK-së, Nard Ndoka i Partisë Demokristiane, Spartak Ngjela i Partisë Ligj dhe Drejtësi dhe Ylber Valteri i Partisë Bashkimi Demokrat. Gjithashtu, ftesës për takim i janë përgjigjur pozitivisht dy ish-anëtarët e Kryesisë së LSI-së, Mustafa Muçi dhe Ndre Legisi, ish-deputeti i PD-së, Preç Zogaj, si dhe kreu i Sindikatave, Kol Nikolla, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri dhe ai i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Përfaqësuesit opozitarë kanë rënë dakord që të krijojnë “Forumin për Demokraci”, të mbështesin vendimin e PS-së për të bojkotuar Kuvendin, si dhe protestën e 10 tetorit, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit.

Rama
Pas takimit, kreu i PS-së, Edi Rama, tha se ndihej shumë krenar që vendimi për të bojkotuar Kuvendin dhe për të protestuar për të kërkuar hapjen e kutive të votimit tashmë nuk përfaqësohej vetëm nga Partia Socialiste, por nga shumica e shqiptarëve, nga parti të majta e të djathta, të cilat janë grabitur më 28 qershor. Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të marrë parasysh kërkesat e opozitës, ndërsa paralajmëroi protesta në të gjithë Shqipërinë. “Ne jemi të vendosur të jetojmë në një vend europian, që as mund të merret peng dhe as mund të kthehet në pronë të atij që qeveris. Çdo pushtet i lindur jo nga vota e lirë, jo nga vullneti i lirë, jo nga aspiratat që lirisht shprehen përmes votës së popullit është i destinuar të përfundojë keq. Unë uroj që ky pushtet, i cili sot qëndron në këmbë falë manipulimit, falë korrupsionit elektoral, falë një mashtrimi të madh, të mos zgjedhë arsyen e forcës, por të zgjedhë forcën e arsyes, të mos ndjekë verbërisht vijën që deri sot ka bërë të ditur duke zhvlerësuar kërkesat tona legjitime, duke luajtur rolin e shurdhit përballë alarmit që kemi vënë, sepse ne duam një zgjidhje të arsyeshme, duam që rrugët tona të kryqëzohen në Parlament, dhe jo gjetkë”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Ngjela: “Duhen protesta deri në rënien e qeverisë”

Ish-deputeti i PD-së, kryetari i Partisë Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se partitë e djathta kanë kërkuar garanci nga kryesocialisti Edi Rama që PS-ja të vijojë bojkotin dhe të vijojë protestat deri në rrëzimin e qeverisë aktuale. “Çështja kryesore është që ne kërkuam garanci nga Grupi Parlamentar i PS-së, i cili është i vetmi grup që bojkoton, të vijojë me konsistencë bojkotin dhe pastaj protesta nuk ka vetëm një ditë. Do të jetë vazhdimisht, derisa të bjerë kjo qeveri. Në momentin që do të kërkohet dorëheqja e qeverisë, do të marrim pjesë dhe ne në protesta, pavarësisht nga ngjyra. Nuk ka një marrëveshje midis të majtëve dhe të djathtëve në raport me programet, por ka një marrëveshje për rikthimin institucional të demokracisë liberale në Shqipëri. Ne nuk mund të pranojmë uzurpimin e shtetit. Të gjithë jemi goditur nga dhunimi i votave. T’i japim fund manipulimit të votës dhe të rikthejmë sistemin liberal demokratik në Shqipëri”, - tha Ngjela.

Legisi: “Duhet të marrë fund vjedhja e votave”

Ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, duke shpjeguar arsyet e largimit nga LSI-ja, pohoi gjithashtu se mbështeste protestën e PS-së duke e cilësuar atë një veprim shumë të rëndësishëm, që synon t’i japë fund vjedhjes së votave në Shqipëri. “Ne po bëjmë marrëveshje për të ndryshuar gjithçka që është e gabuar në këtë vend, gjithçka që ka dëmtuar demokracinë në Shqipëri. E askush nuk ka të drejtë të paragjykojë mundësinë për të ndryshuar të cilitdo që është penalizuar, siç është penalizuar në rastin konkret nga vjedhja e votave, PS-ja. Duhet të ketë një fund edhe kjo gjë, e unë mendoj që ka ardhur koha që t’i vijë fundi edhe momentit të vjedhjes së votave të shqiptarëve, e numërimit të votave, ashtu siç e do populli qeverisjen, e jo të marrin vota nga e majta e të qeverisin nga e djathta”, - tha Legisi.

Veliaj: “Ftojmë të rinjtë t’i bashkohen protestës”

Kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, tha se G99-a do t’i bashkohet protestës së të shtunës dhe i bën thirrje të gjithë të rinjve që të jenë pjesë e kësaj nisme, që synon respektimin e aspiratave të tyre, të cilat nisin që nga vota. “Do t’i bashkohemi protestës. Ftojmë të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen protestës. Ka disa cinikë që kujtojnë se bëhet fjalë për një protestë për ca kuti kauçuku, me ca letra brenda. Në fakt, kur një njeri voton, voton aspiratën dhe ëndrrën e vet për të ndryshuar disa gjëra, kështu që nuk guxon njeri që të thotë që ne do të djegim kutitë me ëndrrat e shqiptarëve, sepse kjo do të ishte e pafalshme. Ndaj i ftojmë gjithë të rinjtë shqiptarë, ndaj unë besoj që askush nuk guxon t’u thotë të rinjve shqiptarë që ju nuk do ta ëndërroni më, sepse babai i Argitës dhe i Shkëlzenit do të ëndërrojë vetëm për fëmijët e vet”, - tha Veliaj.

Dule: “Protesta do të sjellë kompromise historike”

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, përshëndeti tryezën e partive opozitare dhe vendimet e marra në të, duke deklaruar se shpresonte se një gjë e tillë të ndikonte në kapërcimin e krizës politike. “Është një shqetësim politik, është një shqetësim shoqëror, i cili shpresojmë që të na çojë në ato lëvizjet e duhura që do të krijojnë premisat për daljen nga impasi politik në të cilin ndodhet vendi. Nuk është momenti për veshë të shurdhra, është momenti që kërkon kompromise të guximshme, historike, të cilat do të kenë në fokusin e tyre interesat strategjike të vendit, jo interesat mikropartiake të momentit. Ajo mbetet për t’u shprehur prej tyre, është kënaqësi që rrethi i politikanëve dhe i forcave politike që janë të shqetësuara për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit është duke u shtrirë dhe duke u konsoliduar. Kjo provon vërtetësinë e shqetësimeve tona që në momentet e para”, - tha Dule.

Gjinushi: “900 mijë shqiptarë protestojnë për shenjtërinë e votës”

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, tha se protesta e 10 tetorit do të jetë protesta e shumicës së shqiptarëve, të cilët kërkojnë hapjen e kutive të votimit. “Ka një bashkim të majtë, të djathtë, të të gjithave forcave që janë për një demokraci të vërtetë, që janë për rikthimin e votës së lirë. Kujtoj që tavolina e mbledhur sot dhe që u bën apel qytetarëve për protestë të shtunën, këtu në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, përfaqëson 900 mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Pra protesta nuk bëhet në emër të humbësve. Bëhet në emër të atyre që përfaqësojnë shumicën e popullit shqiptar e që padrejtësisht ndodhen në opozitë nga deformimi i votës dhe nga shitja e votës që ka bërë LSI-ja. Prandaj PSD-ja do të jetë një faktor aktiv në këtë front të krijuar për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri”, - tha Gjinushi.

Milo: “Protesta do të jetë paqësore”

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 10 tetorit. Ai theksoi se kjo protestë do të jetë paqësore, por mesazhi i saj do të jetë i fortë dhe është kundër deformimit dhe vjedhjes së votave në Shqipëri. “Dëshiroj të theksoj dhe njëherë tjetër që ditën e shtunë ne nuk do të dalim këtu në bulevard për të rrëmbyer pllakat e bulevardit, për të sulmuar institucionet, as nuk do të dalim me vete me shishe molotov që të godasim zyrën e kryeministrit, por përkundrazi, do të dalim me një mesazh shumë të qartë, paqësor të qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që të ndalet deformimi i votës dhe i vullnetit të tyre politik njëherë e përgjithmonë në Shqipëri. Do të kërkojmë që Shqipëria të jetë përfundimisht një vend demokratik, ku çdo qytetar ta ndiejë veten e vet zot të votës së vet e të vullnetit të vet politik”, - tha Milo.

Nikolla: “Konfederata e Sindikatave mbështet protestën e PS-së”

Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Koll Nikolla, deklaroi se Konfederata mbështet bojkotin e PS-së duke e cilësuar atë si një lëvizje demokratike të zgjuar dhe vendimtare për fatin e demokracisë në vend. “Sot ishte një takim me të gjithë aktorët politik e shoqëror për sa i përket problemit të protestës. Gjithë njëzëri vendosëm që do ta mbështesim protestën e PS0së të shtunën. Njëkohësisht na vjen keq që po ne kthehemi mbas 12 vitesh në një forum për demokraci. E vendosëm që të quhet Forum për Demokraci e Drejtësi sepse në Shqipëri mungon dhe demokracia, dhe shteti ligjor. Konfederata e Sindikatave, një aktor kryesor i shoqërisë civile dhe i lëvizjes punëtorëve, i bashkëngjitet kësaj nisme të madhe dhe e mbështet PS-në në bojkotin e saj dhe duke e parë si një lëvizje demokratike e zgjuar dhe vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri”, - tha Nikolla.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›