Te Marseja të gjithë “qajnë” për Canën
Humbja me Monakon në javën e 8-të të kampionatit francez e ka vendosur në një pozitë të vështirë trajnerin e Olimpikut të Marsejës, Didier Deshamps, pikërisht “arkitektit” të largimit të Lorik Cana nga klubi marsejez. Tifozët e të vetmit klub transalpin që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve në forumet e tyre kanë nxjerrë edhe shkakun e kësaj serie negative. Skuadrës së DD-së (Didier Deshamps) i mungon një lojtar si Lorik Cana që ishte shpirti i kësaj skuadre dhe arrinte t’i bashkonte futbollistët dhe t’i bënte një trup të vetëm dhe t’i jepte agresivitetin e një skuadre të madhe e të frikshme. “Ka pasur dramë në këtë sezon (për Marsejën). Vdekja e Robert-Louis Dreyfus, aksionarit kryesor të klubit. Megjithatë, familja e tij vendosi ta mbajë klubin. Në të njëjtën kohë, shpirti i këtij ekipi olimpien, Lorik Cana, u shit te Sandërlendi. Vështirë të gjesh stabilitetin në këtë skuadër”, shkruhet në faqen sportive franceze Football.fr.
Goditet gjyqtari
Elbasani kërkon fitoren në tavolinë
Sopoti fitoi 2-1 me Elbasanin, një ndeshje e prapambetur dhe që i takon javës së dytë të Kategorisë së Parë. Për Sopotin kjo ishte fitorja e dytë në gjashtë jave të luajtura në këtë kompeticion. Gjatë ndeshjes midis dy tifozerive ka pasur polemika, madje takimi u ndërpre për 10 minuta për shkak të dëmtimit të një tifozi elbasanas. Klubi i Elbasanit reagoi pas ndeshjes së humbur 2-1 kundër Sopotit të Librazhdit (takim i prapambetur), duke kërkuar fitoren në tavolinë. Sipas tyre, në Librazhd u godit gjyqtari, ndërkohë që ndeshej u ndërpre për 10 minuta pas dëmtimit në kokë të një tifozi elbasanas.
U-21, lojtarët të kënaqur dhe me barazimin
Shqipëria U-21 nisi përgatitjet për ndeshjen kundër Bjellorusisë në Melodechno (14 tetor, 13:00), sfida e pestë e Shpresave për Kampionatit Europian 2011. Kombëtarja e drejtuar nga Artan Bushati ka grumbulluar vetëm tre pikë pas katër takimeve të para.
“Ne si lojtarë nuk kemi luajtur ndonjëherë kundër Bjellorusisë. Besoj se është një ekip i fortë. Do ta vlerësojmë në maksimum. Kur them kështu, kemi parasysh edhe fitoren, por jemi një grup i lojtarësh dhe mund të kënaqemi edhe më një barazim”, - tha mesfushori i Tiranës, Sabien Lilaj, për televizionin “Vizion Plus”. “Bjellorusia është skuadra që kryeson grupin dhe një nga pretendentët për t’u kualifikuar, por ne do të mundohemi për të marrë pikë. Barazimi do të ishte domethënës”, - shtoi futbollisti i Apolonisë, Egalnt Hoxho, nga rezidenca e Shpresave në hotel “Leonardo” në Durrës. “Nuk e njohim Bjellorusinë si skuadër, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën”, - tha lojtari më i ri i Vllaznisë, Albi Llënga. Në dy takimet e luajtura në transfertë, Shpresat humbën 5-2 me Skocinë dhe 3-1 me Austrinë. Në “Ruzhdi Bizhuta” humbën 1-0 me Skocinë dhe në “Niko Dovana” fituan 1-0 me Azerbajxhanin. Bjellorusia, nga ana e saj i ka fituar dy ndeshjet e para: 2-1 me Austrinë dhe 2-3 me Azerbajxhanin, duke kryesuar grupin tonë me 6 pikë, po aq sa Austria e Skocia, por këto dy të fundit kanë nga një ndeshje më shumë. Takimi Bjellorusi-Shqipëri do të gjykohet nga arbitra islandezë me kryesor Johanes Valgeirson.
Lind “Lazio Club” në kujtim të Filipit
Lind në Ravena "Lazio Club Ravenna", i titulluar kështu në kujtim të Brian Filipit, ish-sulmuesit shqiptar të Ravenës, i cili ndërroi jetë pas një aksidenti rrugor, i përplasur nga një makinë e drejtuar nga një grua 52-vjeçare në Cervia të Italisë disa javë më parë. Kjo iniciativë mori jetë pas raporteve të shkëlqyera të Ravenës me Lacion, ku drejtor sportiv është ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Igli Tare. Në krijimin e klubit mori pjesë kryetari i bashkisë së Ravenës, Fabrizio Matteucci, por dhe prindërit e Brianit, të pranishëm në konferencën për shtyp në prezantimin e klubit. Të pranishëm ishin edhe trajneri i Lacios, Davide Balardini, e sigurisht edhe Igli Tare. Dje në mbrëmje (ora 20:30) në stadiumin “Benelli” u zhvillua edhe miqësorja midis Ravenës e Lacios në kujtim të Filipit, të ardhurat e së cilës iu dorëzuan familjes së Brianit.
8 Tetor 2009