E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëro Agolli: Nëse do të isha më i ri, do të hyja në grevë



TIRANË - “Nëse do të isha disa vite më i ri, do të isha bashkë me ju”. Ky është mesazhi që u ka dërguar shkrimtari dhe patriarku i Partisë Socialiste, Dritëro Agolli, grevistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Sot, herët në mëngjes, patëm një surprizë të jashtëzakonshme. I madhi Dritëro Agolli na mori dhe na uroi për grevën”, - tha deputeti grevist Besnik Bare, duke shtuar se kjo telefonatë ishte “një inkurajim i jashtëzakonshëm”. Grevistët i kanë dërguar një tufë me lule figurës historike të së majtës dhe gjatë mesditës së djeshme ai ka bërë një deklaratë të shkurtër. “Në rastin e grevës në Shqipëri mendoj se socialistët nuk kishin më çfarë të bënin”, - është shprehur Agolli. Mjeshtri i letrave dhe një ndër figurat më të padiskutueshme në historinë e Partisë Socialiste gjatë këtyre 20 viteve të fundit, ka bërë apel për qeverinë, duke kërkuar hapjen e kutive të parregullta, si një e drejtë ligjore dhe kushtetuese.

Mesazhi
Më në fund reagon edhe Dritëro Agolli, një ndër themeluesit e Partisë Socialiste. Përmes deklaratës së bërë dje për grevën që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ai ka ofruar mbështetje për lëvizjen më të fundit të Partisë Socialiste dhe ka kërkuar nga maxhoranca që të lejojë hapjen e kutive të parregullta. “Në rastin e grevës në Shqipëri, mendoj se socialistët nuk kishin më çfarë të bënin. Se dialog bënë, biseda të ndryshme bënë, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit”, - mësohet të ketë thënë Agolli. Në njoftimin zyrtar që është shpërndarë nga grupi organizator i protestës, thuhet se shkrimtari njohur dhe ish-politikani Agolli ka legjitimuar kërkesën e PS-së për hapjen e kutive. “Ligji është, se dy anëtarë të KQZ-së i thonë Kolegjit se duhet të hapen këto kuti dhe bëhet hapja. Çfarë ka këtu? Po edhe sikur të mos ishte ky ligj, e drejta e Parlamentit për të hetuar është kudo”, - është shprehur Agolli.

Urimi
Telefonata që bëri dje shkrimtari i njohur ka shkaktuar një surprizë të veçantë në mjediset e grevës. “I madhi Dritëro Agolli na mori dhe na uroi për grevën, duke na pohuar se nëse do të ishte disa vite me i ri, do të ishte bashkë me ne. Dhe pa dyshim, ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm”, - tha deputeti grevist, Besnik Bare.
“Këtë gjë e thotë një njeri që është pionieri i demokracisë në Shqipëri, i cili më 1991-shin mbajti atë qëndrim që ishte i admirueshëm për të gjithë shoqërinë shqiptare”, - thotë Baraj.
Grevistët i dërguan Agollit një buqetë me karafila, duke i uruar shëndet, jetë të gjatë e vazhdimisht të kontribuojë në demokracinë shqiptare.
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, i ka dhuruar zotit Dritëro Agolli dhe zonjës së tij simbolet e kësaj greve. “Këtu, këto ditë kanë qarkulluar mjaft poezi, e ndër to ka qenë një poezi brilante e të madhit Dritëro, pra ka qarkulluar dhe një strofë: ‘Në vendin tim dhe në atë vendin tënd/ Një i çmendur, të tërë i çmend’”, - tha drejtuesi i grevës që po zhvillojnë 22 deputetë dhe mbi 180 mbështetës e PS-së.
Deputetët e PS-së, Namik Dokle, Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni, kanë bërë një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli, duke i çuar një tufë me lule nga ana e deputetëve dhe qytetarëve grevistë në shenjë falënderimi për mbështetjen dhe solidarizimin e dhënë.
Mbështetja që Dritëro Agolli jep për lëvizjen më të fundit të Partisë Socialiste, në kërkesën e saj disamujore për hapjen e kutive të votimit, vjen pas reagimeve dhe qëndrimeve kundër grevës që bëri ish-presidenti Meidani, një nga figurat e spikatura të së majtës gjatë këtyre dekadave. Radikalizimi i qëndrimeve të udhëheqjes së PS-së në fillimet e veta ka shkaktuar reagime të ndryshme te personalitetet e së majtës.

DEKLARATA
Agolli: Të hapen kutitë e parregullta

Një nga mjetet e luftës për demokracinë e vërtetë janë grevat, protestat. Nuk ka mjete të tjera. Me mitraloza e topa nuk bëhet demokraci. Nëpër luftë po, në revolucione, kur ia sjellin popullit në majë të hundës, ai do të ngrihet, doemos. Ndërsa në demokracinë e vërtetë nuk ndodh kjo. Por, në qoftë se demokracia prishet e kthehet nga demokraci në autokraci apo demokraturë, atëherë nuk i ndalon dot as njerëzit. S’ke as fuqinë më t’i ndalosh. Ndërsa në rastin e grevës në Shqipëri mendoj se socialistët nuk kishin më çfarë të bënin. Se dialog bënë, biseda të ndryshme bënë, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Arsyetime që nuk është ndonjë gjë të hapësh kutitë, disa kuti të vendit. Do të hapësh vetëm ato që dyshohen për parregullsi. Ligji është, se dy anëtarë të KQZ-së i thonë Kolegjit se duhet të hapin këto kuti dhe bëhet hapja. Çfarë ka këtu? Po edhe sikur të mos ishte ky ligj, e drejta e Parlamentit për të hetuar është kudo.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›