E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyset makina, aksidentohet një familje



KUKËS - Pesë anëtarë të familjes Noka kanë rrezikuar seriozisht jetën si pasojë e një aksidenti në rrethrrotullimin Morinë-Kukës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, teksa familja po kthehej drejt Tiranës me automjetin e tyre nga fshati Nosovej i Kukësit, pasi kishin festuar atje festën e Shën Gjergjit. Veprimi i gabuar i një kamionçine i ka prerë rrugën automjetit duke shkaktuar përmbysjen e tij. Për pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i mjetit Adem Noka, 39 vjeç, ndërsa 4 të afërmit e tij janë lënduar lehtë. Mësohet se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të 39-vjeçarit, mjekët e Spitalit të Kukësit kanë kërkuar dërgimin e tij me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Pranga të riut për gjashtë akuza

FIER - E kanos dhe më pas qëllon në ajër, bie në pranga. Burime zyrtare nga Policia e Fierit kanë bërë të ditur se kanë arrestuar në flagrancë 24-vjeçarin Arsen Merkaj, si autor i një kanosjeje me pistoletë ndaj një personi. Fjala është për 62-vjeçarin me inicialet S. P., të cilin i lartpërmenduri e ka kanosur për motive të dobëta me armë në mesnatë, në lagjen “16 Prilli” në qytetin e Fierit, në afërsi të zyrave të punës. Në vijim të veprimeve hetimore bëhet me dijeni se ky person ka kundërshtuar me dhunë dhe fyer për shkak të detyrës punonjësit e Policisë së Fierit. Ndaj të ndaluarit janë ngritur akuzat e “kanosjes”, “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “kundërshtimit të punonjësit të policisë”, “kanosje për shkak të detyrës”, “fyerje për shkak të detyrës” dhe “prishje e qetësisë publike”.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›