E Diel, 1 Nëntor 2026

PERSONAZH/ Nëna 82-vjeçare: “Jam gati të hyj në grevë”



“Jam 82 vjeçe, por jam gati të hyj në grevë”. Këto fjalë u thoshte dje Fatime Hitaj, e moshuara nga fshatrat e Progonatit të Tepelenës, rojeve të “kampingut opozitar” të ngritur prej tetë ditësh para selisë së Këshillit të Ministrave. Ajo është vetëm një pjesë e historive të vogla, por të mëdha për familjet e secilit prej 202 grevistëve që janë ngujuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Brenda çadrave ka një grevë, por shpirtrat e mijëra të tjerëve jashtë tyre grevojnë ditë-netët në shtëpitë e tyre. Nënë Fatimja shkarkon ankthin dhe dhimbjen e moshës në tespihet që mban në dorë. “Dy ditë më parë mora pensionin prej 72 mijë lekësh, por 24 mijë i harxhova për të blerë ilaçe”, - justifikohet e moshuara. Ajo vijon më tej: “Më kanë mbetur edhe 48 mijë lekë, me të cilët duhet të paguaj energjinë, pasi unë nuk dal kundër elektricistit (faturistit, - shën. red.)”. Pjesa e mbetur e parave në buxhetin e nënë Fatimes nuk duket bindëse kur i thua se qeveria i ka rritur pensionet gjatë gjithë këtyre viteve. “Ky kryeministri ynë ka shkaktuar pakënaqësira shumë. Ai u thotë djemve se do t’ju heq fulqitë dhe dhëmballët. Po si e thotë kryetari i Partisë Demokratike këtë gjë?! Edhe po ua hoqi atyre, do të jenë tonat. Mbrapa krahëve ata na kanë të gjithë neve”, - flet e moshuara që kujton deri në detaje gjëra që e kanë shtyrë të marrë udhën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”: “Edhe për kufirin do të duhet ta dimë se kush e shiti, duhet t’i japë llogari popullit shqiptar”. Madje, 82-vjeçarja kujton si në siklet historinë kur kryeministri Berluskoni i kërkoi Berishës që t’i gjejë një vajzë shqiptare: “Vajzave shqiptare t’u marrë të keqen Sala dhe kushdo tjetër”. Më tej ajo vijon: “Po më lanë brenda, dua të hyj, t’i takoj të gjithë dhe t’u jap kurajë. Po të ketë nevojë, jam gati të zë edhe unë një vend; të futem në grevën e urisë. Jam 82 vjeçe, por jam gati të përgjigjem”.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›