Greqi, masat e qeverisë marrin miratimin e Parlamentit
Parlamenti grek u ka dhënë dritën jeshile, masave drastike të qeverisë të cilat janë vënë si kusht për marrjen e një pakete ndihme nga ndërkombëtarët. Ministri grek i financave, George Papaconstantinou, tha se vendi ishte vetëm dy javë larg mospagimit të borxhit që ka dhe për këtë arsye nuk kishte zgjidhje tjetër. Sipas tij, data e skandencës për bonot me vlerë 12 miliardë dollarë është 19 maji, por arkat e shtetit nuk kishin para. Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rënë dakord që t’i japin Greqisë një paketë shpëtimi prej 143 milion dollarësh. Ndërkohë sindikatat planifikojnë demonstrata të tjera kundër masave të qeverisë pas protestave të dy ditëve më parë ku humbën jetën 3 persona.
Papandreu, sot në Bruksel
Kryeministri grek Papandreu do të marrë pjesë në samitin e BE-së mbi krizën greke i cili do të zhvillohet në fund të javës, ose në fillim të javës së ardhshme. Papandreu do të ulet në një tryezë së bashku me të gjithë liderët politikë si dhe me presidentin Karolos Papulias. Sipas burimeve jo zyrtare nuk përjashtohet që takimi të zhvillohet të shtunën dhe të dielën, por zyra e kryeministrit informon se takimi mund të ndodhë javën e ardhshme.
Shumica e grekëve mbështesin qeverinë
Edhe pse pamjet nga Greqia të japin idenë e një gjendjeje tepër të rëndë, analistët vlerësojnë se shumica e popullit mbështesin kursin e qeverisë dhe masat e marra. Sipas të dhënave, në qytetin ku banojnë 4 milionë persona, vetëm 100.000 protestuan ndaj kundër qeverisë. Populli është i ndërgjegjshëm se këto masa janë të nevojshme për të shmangur falimentimin dhe nuk duhet të krijohet krijohet përshtypja se banorët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka shkrumb e hi, me qëllim që të pengojnë ndryshimet. Një pjesë e shoqërisë greke në 20 vitet e fundit, pas anëtarësimit të vendit në BE ka jetuar përtej mundësive reale të saj.
Merkel dhe Sarkozi, letër Brukselit
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi i kanë dërguar një letër Brukselit zyrtar me anë të së cilës kanë kërkuar forcimin e guvernancës ekonomike europiane për të shpëtuar euron. Letra e dy liderëve është publikuar ditën e djeshme në gazetën franceze “Le Monde”. Një tjetër e dhënë negative për krizën ekonomike vjen nga “Moody”, agjencia që merret me vlerësimin e aftësive të qeverive të vendeve të ndryshme për të kthyer borxhet. Sipas raportit të hartuar rezulton se kriza ekonomike mund të godasë sektorin bankar në Portugali, Spanjë, Irlandë dhe Britani.
Kosovë
EULEX-i arreston një ish-komandant të UCK-së
Policia e misionit EULEX ka bërë të mundur arrestimin e një ish-komandanti të UÇK-së, të shpallur në kërkim për krime lufte. Edhe pse jo me një emër konkret nga vetë misioni i BE-së, mediat kosovare bëjnë të ditur se personi i arrestuar është Sabit Geci dhe dyshohet se ka qenë autor i krimeve të kryera në periudhën prill-qershor të vitit 1999 në Kosovë. Operacioni i arrestimit u drejtua nga Departamenti Ekzekutiv i misionit europian për rendin dhe ligjin dhe ende nuk ka bërë të ditur detaje të tjera rreth kësaj ngjarjeje.
Bruksel
Bajden, takime me liderë të BE-së
Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden është takuar dje me presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rumepi, të cilit i ka shprehur interesin e SHBA-ve për një fillim të ri marrëdhëniesh ndërmjet vendeve. Kjo sipas diplomatit amerikan do të çonte përpara politikat e sigurisë në përputhje me kërcënimet e reja. Bajden mbajti edhe një fjalim në Parlamentin Europian si dhe u takua me drejtuesit e NATO-s. Ai thekson nevojën për më shumë vëmendje dhe burime për të luftuar kërcënimet e sigurisë më të cilat përballet aktualisht Europa, kërcënime që vijnë nga jashtë kufijve europianë.
Mumbai
Terroristi dënohet me vdekje
Mohamed Ajmal Amir Kasab, i vetmi terrorist i mbetur gjallë nga atentati i vitit 2008 në Mumbai ka marrë dënimin me vdekje nga një gjykatë speciale. Procesi ndaj tij zgjati një vit dhe për marrjen e vendimit u morën parasysh edhe dëshmi, të cilat e konsideruan personin në fjalë “një makinë vrasëse”. Ai ishte pjesë e një komande prej 10 militantësh islamikë, që për 60 orë përhapën terror në Mumbai, ku sulmuan hotele, një stacion treni, një restorant dhe një qendër hebraike. Katër ditë më parë, militanti pakistanez u gjykua fajtor për më shumë se 80 akuza, mes të cilave sulm i armatosur, konspiracion dhe vrasje të shumëfishtë.
Nigeri
Vdes në moshën 58-vjeçare, Presidenti
Pas një gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, presidenti nigerian Umaru Yar’Adua. Lajmin e bëjnë të ditur burimet informative presidenciale vendase, të cilat konfirmuan lajmin e publikuar nga faqja e internetit të gazetës “This Day”. Umaru Yar’Adua ndodhej prej kohësh në gjendje të rëndë dhe i shkëputur nga jeta politike. Më 9 shkurt të këtij viti zëvendëspresidenti Gudlak Xhonatan mori në dorë pushtetin për të mos lënë bosh vendin e Yar’Adua. Autoritetet ndërkombëtare kanë shprehur ngushëllimet për këtë figurë të lartë.
7 Maj 2010