E Diel, 1 Nëntor 2026

Të maskuar dhe me armë, dy të rinj grabitin bankën



Artan CENA
TIRANË - Grabitet filiali i një banke në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, në orën 10:30, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se dy persona të maskuar kanë marrë një shumë parash me anë të kërcënimit. Ata kanë marrë shumën prej 350 mijë lekësh. Dy të rinjtë kanë hyrë dhe kanë dalë pa rezistencë të fortë në ambientet e brendshme të bankës. Tre minuta pas grabitjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e sigurisë, të cilave nuk u ka ngelur gjë tjetër veç të njoftonin policinë e kryeqytetit. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet duke marrë fillimisht dëshmitë e punonjësve të bankës. Më pas janë marrë dhe deklarimet e disa personave të tjerë, që ishin dëshmitarë të kësaj grabitjeje. Siç është mësuar, dy të rinjtë kanë qenë me maska dhe të armatosur. Edhe pse policia ka marrë masa duke trajnuar punonjësit e policive private pikërisht për të shmangur grabitjet, sërish kanë ndodhur disa syresh. Policia është duke bërë hetime intensive për identifikimin e dy të rinjve, por deri në orët e mbrëmjes së djeshme nuk kishte emra konkretë. Uniformat blu thanë se janë duke hetuar në disa pista, duke përfshirë dhe bashkëpunëtorët që grabitësit mund t’i kenë në banka të ndryshme.
Grabitja
Ora sapo kishte shkuar 10:30 dhe punonjësit e bankës ishin duke mbaruar punët e fillimit, kur në oborrin e institucionit kanë hyrë dy djem të rinj. Me të shpejtë ata i janë afruar derës hyrëse dhe kanë vënë kapuçat në kokë. Kanë nxjerrë një pistoletë dhe kanë kërcënuar punonjësit. Këta të fundit fillimisht kanë kundërshtuar, por kur kanë parë këmbënguljen e grabitësve janë tërhequr dhe u kanë dhënë shumën prej 350 mijë lekësh. Njëherësh kanë ndezur dhe alarmin, duke njoftuar policinë private që kishte marrë detyrën për të ruajtur godinën. Këta të fundit kanë mbërritur në vendin ku po ndodhte ngjarja brenda tre minutash. Por dy grabitësit ishin larguar duke u zhdukur pa lënë gjurmë. Nga grabitësit është marrë një shumë parash, që nga Policia e Tiranës është cilësuar si e vogël. Banka e grabitur ndodhet në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës dhe është një filial i bankës së nivelit të dytë në Shqipëri, thanë burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit. Dinamika e ngjarjes është zbardhur nga burime të Policisë së kryeqytetit, efektivët e së cilës kanë marrë në pyetje punonjësit dhe dëshmitarë të ndryshëm.
Hetimet
Hetimet e policisë janë zhvilluar intensivisht gjatë ditës së djeshme për dokumentimin e veprës penale, identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj, por ende pa rezultat. Nga hetimet paraprake të efektivëve të policisë rezulton se autorët e kësaj vjedhjeje kanë qenë dy persona, ku njëri prej tyre i armatosur, të cilët, falë ndërhyrjes së punonjësve të Shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike kanë mundur të marrin në këtë bankë vetëm një sasi të vogël parash, prej rreth 350 mijë lekësh. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke marrë shkas nga kjo vjedhje, ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike si dhe me punonjësit e sigurimit të brendshëm të bankave të nivelit të dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar të tyre dhe bizneseve në përgjithësi.

Mars 2010
Një djalë 23-vjeçar hyri i armatosur në një degë banke dhe pas grabitjes mori peng një kalimtare, të cilën e mbajti deri në momentin e fundit, ku u kap nga policia. I riu Romeo Leka, sipas policisë me precedentë penalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gjendur nën rrethimin e bluve pas grabitjes së një banke, rreth orës 12:40, në afërsi të Librit Universitar. Ai u vu në pranga rreth një orë më vonë.

Shkurt 2010
Vidhet filiali i një banke në Tiranë. Grabitja ndodhi rreth orës 08:40 të datës 17 shkurt, në rrugën "Myslym Shyri", ku persona me maska vodhën filialin e Bankës Kombëtare Tregtare. Nga hetimet e grupit hetimor rezultoi se, autorët e kësaj vjedhje kanë qenë me maska dhe duke përfituar nga pakujdesia e punonjësit të sigurimit të bankës, i cili në momentin e vjedhjes nuk ka qenë në vendin e shërbimit.

Janar 2010
Në qytetin e Korçës, roja i një filiali banke plagoset gjatë përleshjes me grabitësit, ndërsa këta të fundit arrijnë të marrin me vete 700 euro. Një 30-vjeçar i maskuar hyri në nëntor 2009 në një bankë në Fier në mes të ditës, duke vjedhur shuma të konsiderueshme.

Tetor 2009
Në tetor 2009, në Skelë të Vlorës, persona të maskuar godasin një filial banke duke përvetësuar shuma të konsiderueshme. Për hajdutët Policia e qytetit bregdetar vendosi 30 mijë euro shpërblim, por pas kërkimeve arriti të gjejë të braktisur dhe të djegur vetëm automjetin me të cilin autorët ishin larguar nga vendngjarja.

Mars 2009
Në mars 2009, në Lezhë, punonjësi i postës sulmohet nga dy persona të maskuar në dalje të bankës dhe i rrëmbehen 5 milionë lekë që duhet t'u shpërndaheshin pensionistëve. Grabitësit u kapën një muaj më pas dhe rezultoi se ishin persona me precedentë për vjedhje të shumta.

Sulmon policinë me makinë, pranga të riut
KURBIN - Sulmon policinë, arrestohet i riu. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 01:00. Burime nga Policia e Lezhës thanë se kanë ndaluar Artan Rrikan, 29 vjeç. Arrestimi i tij është bërë pasi dy ditë më parë, rreth orës 18:00, duke drejtuar në gjendje të dehur makinën me targa të huaja AR 826 GY, nga qyteti i Milotit për në drejtim të qytetit Laç, patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Policisë Kurbin i ka bërë shenjë ndalimi. Por 29-vjeçari nuk është bindur dhe ka lëvizur me shpejtësi duke rrezikuar jetën e tyre dhe është larguar në drejtim të fshatit Zheje, ku është bërë e mundur kapja e drejtuesit të mjetit dhe shoqërimi i tij së bashku me mjetin. Policia tha se ndaj tij ka ngritur akuzat e “kundërshtimit të punonjësve të policisë” dhe “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›