E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen policët e burgut të Shënkollit, një i vdekur



LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Një punonjës i burgut të Shënkollit ka gjetur vdekjen në një aksident automobilistik, ndërsa një koleg i tij është në gjendje kritike. Ngjarja e rëndë ndodhi pas përplasjes së dy mjeteve, në kryqëzimin mes superstradës Fushë Krujë - Lezhë dhe rrugës së Kombit, rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Efektivët e policisë së burgut të Shënkollit, sapo kishin lënë detyrën e po ktheheshin në qytetin e Kukësit, ku banonin. Ata udhëtonin në makinën private "Benz", me targë KU 10 83 A, e cila drejtohej nga Ali Hallaçi, ndërsa pasagjer ishte Ilir Trota. Në afërsi të fshatit Shullaz, drejtuesi i mjetit po tentonte të devijonte superstradën e Lezhës për të hyrë në rrugën nacionale drejt Kukësit. Por, në atë moment, një makinë që po udhëtonte në krah të kundërt, me drejtim qytetin e Lezhës nuk ka mundur të ndalë në kohë, duke u përplasur fuqishëm me "Benzin". Fuoristrada "Range Rover", me targa të huaja ka goditur makinën e punonjësve të policisë në pjesën e pasagjerit, çka i ka shkaktuar vdekjen brenda pak minutash Ilir Trotës, 25 vjeç. Plagë të shumta ka marrë dhe drejtuesi i mjetit, i cili është dërguar me shpejtësi drejt spitalit ushtarak të Tiranës. Gjendja e tij paraqitet e rëndë, ndonëse mjekët po e mbajnë në terapi intensive. Të plagosur, ndonëse më lehtë kanë mbetur dhe dy udhëtarët e fuoristradës, të cilët kanë marrë mjekim në spitalin e Lezhës. Burimet e policisë së Lezhës konfirmuan faktin se Trota dhe Hallaçi kishin lënë detyrën si punonjës të policisë së burgut të Shënkollit në këtë qark, për të udhëtuar drejt vendbanimit të tyre, në Kukës. Pas aksidentit policia e Kurbinit ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer ekspertizën, por akoma nuk ka nxjerrë konkluzionet përfundimtare për shkaqet. Nga këqyrja e mjeteve të përfshirë në aksident dhe deklarimeve të dëshmitarëve pohohet se fuoristrada ka qenë me shpejtësi, ndërsa efektivi i policisë nuk e ka parashikuar këtë, duke tentuar të hyjë në rrugën drejt Kukësit. Vetëm dy ditë më parë, një 40-vjeçar nga Kavaja humbi jetën në një aksident të shënuar në rrugën nacionale Vorë-Fushë Krujë. Një parakalim i gabuar çoi në përplasjen e mjetit të viktimës me një trajler.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›