E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Qeveria bllokon tenderët



ADI SHKEMBI

Pas miratimit në Parlament të shkurtimit të shpenzimeve për vitin 2010, Qeveria vazhdon me nismat për të kufizuar në maksimum përdorimin e fondeve të parashikuara për këtë vit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, është miratuar një vendim i propozuar nga Ministria e Financave "për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore", i cili bllokon të gjithë tenderët pas 1 gushtit.
Vendimi
Në pikën e parë të këtij vendimi thuhet se "shpenzimet e personelit, të miratuara në ligjin nr.10 190, datë 26.11.2009, "Për buxhetin e vitit 2010", për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, që përbëjnë kufirin maksimal, të lejuar për t'u përdorur, për çdo njësi shpenzuese, për punonjësit e miratuar me aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore". Më pas renditen tetë masa, të cilat do të duhet t'i ketë parasysh administrata shqiptare për kursimin e fondeve. Njëra prej tyre ka të bëjë me tenderët. "Të gjitha fondet buxhetore, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2010 rezultojnë të paprokuruara, të bllokohen. Në kuptim të këtij vendimi, fonde të paprokuruara do të vlerësohen ato fonde, për të cilat, deri më 1 gusht nuk është lidhur kontratë", thuhet në pikën 'dh' të vendimit. Por këto masa drastike shkurtimesh prekin edhe punonjësit e administratës, të cilët përfitojnë në bazë të ligjit dieta për udhëtimet jashtë shtetit. Kështu, duke filluar nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, shpenzimet për udhëtime e dieta për njësitë e qeverisjes së përgjithshme reduktohen, duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçantë e vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. "Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve, të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror", thuhet më tej gjatë këtij vendimi.
Strukturat e reja
Vendimi i propozuar nga ministri Ridvan Bode ndalon në mënyrë kategorike ndryshimin e organikave ekzistuese në institucionet shtetërore, të cilat shoqërohen me kosto financiare shtesë. Në të njëjtën kohë, kufizime do të ketë edhe për punonjësit të cilët janë në listë pritjeje. "Të mos ndërmerren ndryshime në strukturat ekzistuese, që shoqërohen me efekte financiare shtesë. Përjashtohet nga ky kufizim krijimi i institucioneve të reja. Pagesat për nëpunësit civilë, që janë në listë pritjeje, jepen vetëm pas konfirmimit zyrtar të Departamentit të Administratës Publike dhe përfshijnë pagesën për nivelin e pagës për funksion, pagës për diplomë dhe pagës për vjetërsi në punë", thuhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Akti ligjor parashikon gjithashtu bllokimin e trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t'u mbuluar me fondet e miratuara për vitin 2010.

Vendimi

Shpenzimet e personelit, të miratuara në ligjin nr.10 190, datë 26.11.2009, "Për buxhetin e vitit 2010", për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, përbëjnë kufirin maksimal, të lejuar për t'u përdorur, për çdo njësi shpenzuese, për punonjësit e miratuar me aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore. Për disiplinimin e këtyre shpenzimeve, vetëm për vitin 2010, të respektohen këto masa:
a) Shpenzimet e personelit, të dhëna me hollësi, në nivel mujor dhe të depozituara në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, në Ministrinë e Financave, nuk avancohen.
b) Fondi i veçantë i planifikuar në shpenzimet e personelit të mos përdoret për shpërblime e për veprimtari social-kulturore, deri më datë 1 dhjetor 2010. çdo shpërblim, i dhënë në kundërshtim me vendimin nr. 1151, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, përjashtuar pikën 5 të tij, të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese.
c) Shpenzimet e personelit, për orë pune, mbi kohën normale të punës, të përdorura në kundërshtim me udhëzimin nr. 19, datë 10.7.2008, të ministrit të Financave, "Për vendosjen e disa standardeve në planifikimin e shpenzimeve për personelin", të kthehen në buxhetin e njësisë shpenzuese.
ç) Të mos ndërmerren ndryshime në strukturat ekzistuese, që shoqërohen me efekte financiare shtesë. Përjashtohet nga ky kufizim krijimi i institucioneve të reja.
d) Pagesat për nëpunësit civilë, që janë në listë pritjeje, jepen vetëm pas konfirmimit zyrtar të Departamentit të Administratës Publike dhe përfshijnë pagesën për nivelin e pagës për funksion, pagës për diplomë dhe pagës për vjetërsi në punë.
dh) Të gjitha fondet buxhetore, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2010 rezultojnë të paprokuruara, të bllokohen. Në kuptim të këtij vendimi, fonde të paprokuruara do të vlerësohen ato fonde, për të cilat, deri më 1 gusht, nuk është lidhur kontratë.
e) Trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t'u mbuluar me fondet e miratuara për vitin 2010, bllokohen.
ë) Shpenzimet për udhëtime e dieta për njësitë e qeverisjes së përgjithshme të reduktohen, duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçantë e vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve, të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›