E Diel, 1 Nëntor 2026

Testi i rrezikut, nga 91 banka të BE, dështojnë vetëm shtatë



Komiteti i Mbikëqyrjes Bankare Europiane testoi 91 bankat kryesore që veprojnë në Europë, duke ngelur 7 prej tyre. Kjo do të thotë se në rast të përsëritjes së një situate recesioni brenda dy viteve të ardhshme, bankat e dështuara në këtë test nuk do të kishin fuqi t'i përgjigjeshin krizës dhe do të falimentonin, duke mos mundur të japin hua as për qeveritë që mund të zhyten në recesion. Të gjitha bankat mëmë të bankave të nivelit të dytë, që veprojnë në Shqipëri, e kanë kaluar testin e stresit (rrezikut) të ushtruar nga Banka Europiane. Shtatë bankat europiane që iu nënshtruan testeve dhe dështuan janë pesë bankat spanjolle: "Diada", "Espiga", "Banca Civica", "Unnim" dhe "Cajasur", banka gjermane, "Hypo Real Estate" dhe banka greke, "ATEBank". Sipas Komitetit të Mbikëqyrjes Bankare Europiane, shtatë bankat do të kenë nevojë për një total prej 3.5 miliardë euro kapital të ri, për të përmbushur standardet e kërkuara. "Bankat (e dështuara) do të duhet të bien dakord me eprorët e tyre përkatës mbi një plan për një periudhë kohe të caktuar, i cili do të japë një përgjigje si do të zgjidhet kjo dobësi", tha kryetari CEBS, Giovanni Carosio. Redaktori i biznesit në BBC, Robert Peston tha se fundjava do të jetë një periudhë shqetësuese për bankat, pasi ato do të presin për të mësuar nëse do të bëhet më e lehtë apo e vështirë për ta për të marrë hua, kur tregjet të hapen të hënën. Testet e stresit janë bërë mbi një bazë banka-nga-banka, në një lëvizje të dizajnuar për të siguruar investitorët mbi shëndetin e sektorëve financiar të Europës. Testi më i rëndë ka parë në një skenar negativ, duke supozuar një "zhytje të dyfishtë" recesioni gjatë dy viteve të ardhshme, si dhe një goditje të borxhit sovran, një lloj krize financiare për qeveritë europiane, si rasti i Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›