Dritëroi, mesazh grevistëve në çadër
Aristir Lumezi
Patriarku i socialistëve, Dritëro Agulli, mbështet grevën e urisë së socialistëve. Dje në mëngjes, shkrimtari i njohur i ka telefonuar kreut të PS-së Tiranë, deputetit Besnik Bare, të cilit i ka shprehur mbështetje për sakrificën që ata kanë ndërmarrë dhe madje i ka inkurajuar. "Nëse do të isha më i ri, do të isha bashkë me ju në grevën e urisë", i është shprehur Agolli deputetit Bare. Ky veprim dhe inkurajim i patriarkut ka sjellë pështjellime në çadrën e grevës së urisë, ndërsa janë hedhur shumë ide se si të komunikohej me shkrimtarin e njohur, socialistin e Kongresit të qershorit '91, kur kërkoi ndarjen e plotë të PS nga Partia e Punës. Komiteti i grevës vendosi t'i dërgojë në shtëpi shkrimtarit të njohur një buqetë me lule dhe simbolet e grevës së urisë. Ishin deputetët Namik Dokle, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni që shkuan dje në shtëpinë e çiftit Agolli, ku e shoqja Sadije dhe vetë shkrimtari u surprizuan nga vlerësimi që grevistët i kishin bërë. Agolli u ka shprehur atyre mbështetjen e plotë për grevën e nisur mbi një kauzë të drejtë sipas tij. "Një nga mjetet e luftës për demokracinë e vërtetë janë grevat, protestat. Nuk ka mjete të tjera. Me mitraloza e topa nuk bëhet demokraci. Nëpër luftë po, në revolucione kur ia sjellin popullit në majë të hundës, ai do të ngrihet doemos. Ndërsa në demokracinë e vërtetë nuk ndodh kjo. Por në qoftë se demokracia prishet, e kthehet nga demokraci në autokraci apo demokraturë, atëherë nuk i ndalon dot as njerëzit. S'ke as fuqinë më t'i ndalosh. Ndërsa në rastin e grevës në Shqipëri mendoj se socialistët nuk kishin më çfarë të bënin. Se dialogë bënë, biseda të ndryshme bënë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Arsyetime që kjo nuk është ndonjë gjë të hapësh kutitë, disa kuti të vendit. Do hapësh vetëm ato që dyshohet për parregullsi. Ligji është, se dy anëtarë të KQZ i thonë Kolegjit se duhet të hapim këto kuti dhe bëhet hapja. çfarë ka këtu? Po edhe sikur të mos ishte ky ligj, e drejta e Parlamentit për të hetuar është kudo", u shpreh Agolli. Para se grupi i deputetëve të shkonte në shtëpinë e shkrimtarit të madh, kreu i PS-së Tiranë, Bare, tha se biseda që bëri me Agollin ishte një inkurajim i jashtëzakonshëm. Sot herët në mëngjes patëm një surprizë të jashtëzakonshme. I madhi Dritëro Agolli na mori dhe na uroi për grevën, duke na pohuar se, nëse do të ishte disa vite me i ri, do të ishte bashkë me ne. Dhe padyshim ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm. Këtë gjë e thotë një njeri që është pionieri i demokracisë në Shqipëri. I cili më 1991-in mbajti atë qëndrim që ishte i admirueshëm për të gjithë shoqërinë shqiptare. Por ky patriark i Partisë Socialiste ende mendon, ashtu si edhe ne, që demokracia në Shqipëri ende nuk është vendosur në kuptimin e plotë të fjalës. është kjo arsyeja që Dritëro Agolli bëhet solidar me ne dhe na mbështet e inkurajon. Dhe kjo është një arsye akoma edhe më e madhe që ne të besojmë në suksesin e kësaj qëndrese të jashtëzakonshme që po mban i gjithë ekipi ynë këtu. Me këtë rast ne i dërgojmë një buqetë me karafila dhe i urojmë shëndet, jetë të gjatë, e vazhdimisht të kontribuojë në demokracinë shqiptare", u shpreh Bare.
Fatmir Xhafaj
“Dëshiroja që në emër të të gjithë grevistëve, t'i dhurojmë zotit Dritëro Agolli dhe zonjës së tij, simbolet e kësaj greve nëpërmjet kolegëve tanë deputetë, që do shkojnë t'i dhurojnë buqetën me lule. Këtu këto ditë kanë qarkulluar mjaft poezi, e ndër to ka bënë një poezi brilante të të madhit Dritëro, pra ka qarkulluar dhe një strofë: "Në vendin tim dhe në atë vendin tënd/Një i çmendur, të tërë i çmend".
Petro Koçi
“Nëse nuk ka reflektim të menjëhershëm vendi mund të shkojë në anarki”. Kreu i PSV91, Petro Koçi, i kërkoi dje Presidentit të Republikës të luajë funksionin e tij kushtetues në situatën aktuale, duke nxitur mekanizmat politike të dialogut ndërpartiak. Koçi propozon që PD dhe PS të nisin nga puna për realizimin e transparencës zgjedhore, ndëshkimin e çdo manipulimi në numërimin e votave dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor në favor të pluralizmit.