Greva e urisë, PD e PS mobilizojnë edhe studentët
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mobilizojnë së fundi edhe studentët në përplasjen mes tyre. Kështu, paraditen e djeshme Këshilli Kombëtar Studentor i mbështetur nga forumi i PD-së protestoi përpara Bashkisë, duke akuzuar kryetarin e saj, Edi Rama, se po pengon heqjen e vizave për Shqipërinë. "Sot ne jemi më afër se kurrë ëndrrës sonë për të qenë sa më shpejt të barabartë me moshatarët tanë evropianë dhe ju duhet ta dini se pavarësisht përpjekjeve tuaja, nuk keni asnjë mundësi ta pengoni atë. Sot ne jemi më pranë se kurrë ëndrrës sonë për të lëvizur të lirë dhe për të studiuar të lirë në të gjithë Evropën dhe ju duhet ta dini se nuk keni asnjë mundësi ta prishni këtë aspiratë për interesat e vogla të karriges suaj të pushtetit", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit Kombëtar Studentor. Ndërkohë nga ana tjetër, një përfaqësi e studentëve të Fakultetit të Histori- Filologjisë kanë përkrahur grevistët, duke i kërkuar Kryeministrit Berisha të gjejë sa më shpejt zgjidhje. "është e vërtetë që ka shumë gjëra politike që sot na ndajnë, por ju siguroj që ka shumë e shumë gjera që na bashkojnë, e pra ka ardhur koha që klasa politike t'i lërë mënjanë ndasitë, të ngrihet mbi interesat e momentit dhe t'i japë zgjidhje kësaj situate, e cila është shumë e rëndë në të gjitha dimensionet e saj. Duke shpresuar dhe besuar që kjo gjendje të marrë fund sa më parë, i bëjmë thirrje klasës politike, e veçanërisht Kryeministrit të ulet sa më parë për të gjetur zgjidhjen", tha një prej përfaqësuesve të studentëve.