E Diel, 1 Nëntor 2026

Rëndohet shëndeti i Blendi Klosit



Aristir Lumezi

Në ditën e tetë të grevës së urisë gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar së tepërmi. Sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili vuan nga diabeti, nuk ka pranuar të largohet nga greva, ndërsa është trajtuar menjëherë me serum. Sipas mjekut të njohur Sabit Brokaj, i cili ndodhet në krye të grupit të mjekëve, Klosi ka marrë paralajmërime të shumta prej tij dhe mjekëve, por edhe kolegëve, por është shprehur se mund të rezistojë akoma. "Shëndeti i Blendit, për shkak të problemit shëndetësor që ka, nuk lejon sakrifica të tilla, pasi ai mund të kthehet në rrezik të menjëhershëm për jetën", u shpreh dje për "Panorama" profesor Brokaj. Por dita e djeshme ka shënuar tre të dërguar në spital, i treti, Isa Arapi nga Vlora rreth orës 20:30 të darkës, duke e çuar në shtatë numrin e të transportuarve në spital nga çadra e grevës së urisë. Në mesditë ishin dy grevistë, Niko Gora nga qarku i Korçës, i cili vuante nga diabeti dhe Edmond Prifti nga Patosi, nga tensioni, ndërsa nuk kishte njoftuar shtabin e grevës se më parë u ishte nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Të dy këta grevistë u dërguan me urgjencë për në spitalin "Nënë Tereza", pas komplikacioneve që patën me shëndetin. Pas dërgimit në spital të të sëmurëve, mjeku që asiston grevën, Sabit Brokaj, tha se do të shtohet numri i grevistëve që do të shoqërohen në spital për shkak të shfaqjeve të problemeve në shëndetin e tyre pas ditës së tetë. Sipas mjekut Brokaj, grevistët po shprehin shenja si dhimbje muskujsh, marrje mendsh, luhatje tensioni, nga ku dihet që më problematikët janë ata që vuajnë nga diabeti.
Protesta
Dje në sheshin para çadrës së grevës opozita zhvilloi mitingun e radhës të protestës, i cili mbështetej nga qytetarë të ardhur nga qarku i Fierit dhe kryeqyteti. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i ka bërë thirrje Kryeministrit të vendit, të dalë nga kulla e ngujimit, siç e ka quajtur ai, qëndrimin e ngurtë të Berishës përballë kolapsit që ka përfshirë vendin pas një jave protestash e greve para zyrës së tij. "Dil nga kulla Sali Berisha, ku të kanë mbyllur ata që të kanë marrë peng. Bëhu pjesë e zgjidhjes, sepse pavarësisht teje, zgjidhja do të vijë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Fito lirinë tënde qytetare Sali Berisha. Këtë mesazh po ta jep ditë pas dite populli shqiptar", u shpreh Ruçi. Ai shtoi se "liria dhe demokracia mund të vihen përkohësisht në pranga, por do të vijë një ditë kur ato do të triumfojnë. Do të vijë patjetër ajo ditë kur liria dhe demokracia do të bëhen të vërteta. Kjo ditë po vjen në mënyrë përfundimtare në Shqipëri, falë sakrificës së këtyre njerëzve dhe solidaritetit të qytetarëve shqiptarë". Më tej protesta vazhdoi me fjalime të grevistëve nga Fieri, të cilët shprehën vendosmërinë për të vazhduar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Kërkesa jonë është legjitime dhe plotësisht kushtetuese. Do vazhdojmë deri në fund rrugën tonë deri sa Berisha të pranojë kërkesat tona", u shprehën grevistët nga qarku i Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›