E Diel, 1 Nëntor 2026

“Evidentoni grevistët me sëmundje kronike”



Ministria e Shëndetësisë i kërkon sërish Partisë Socialistë të lejojë ofrimin e asistencës mjekësore. Me anë të një letre të dërguar dje, që mban firmën e drejtorit të përgjithshëm në këtë dikaster, Pëllumb Pipero dhe Liljana Romasco, drejtoreshë e ASHR, ministria shpreh gatishmërinë për të ofruar ndihmë 24 orë. "Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për të mundësuar asistencën më profesionale, veçanërisht për rastet që rëndohen, për të marrë informacion të nevojshëm për gjendjen dhe historinë e sëmundjes, në mënyrë që autoambulancat të orientohen në kohë", thuhet në letër. Po kështu ministria u ka kërkuar organizatorëve të grevës se, në mungesë të këtij informacioni, një prej mjekëve vullnetarë të shoqërojë pacientin në spital. "Gjithashtu ju rekomandojmë të evidentoni grevistet me sëmundje kronike dhe për ata të komunikoni me organet shëndetësore kompetente si dhe ekipet e ndihmës mjekësore pranë jush, në mënyrë që për ta të ofrohet ndihmë e specializuar brenda mjediseve të grevës", saktëson letra. Që prej nisjes së grevës Ministria e Shëndetësisë ka ofruar gatishmërinë maksimale për t'u ardhur në ndihmë grevistëve. Vetë kreu i saj, Petrit Vasili, u ka bërë disa herë thirrje organizatorëve që të lejohet stafi i mjekëve të ofrojë asistencë brenda çadrave ku janë ngujuar grevistët. Sipas ministrisë, monitorimi i shëndetit të grevistëve është një detyrim i patjetërsueshëm si dhe përbën një përgjegjësi ligjore, e cila duhet ushtruar në mënyrë profesionale ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë konfirmon edhe njëherë gatishmërinë për ta përmbushur këtë përgjegjësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›