E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drithrat, fermerët shqiptarë në dilemë për të mbjellë

Pavarësisht nga kriza e drithrave në tregun ndërkombëtar dhe shtrenjtimi i çmimit të bukës në vend, fermerët shqiptarë janë në dilemë për ta mbjellë tokën e tyre këtë vit me drithra apo jo. Kjo për faktin se mbjellja dhe korrja e tokës së kultivuar me drithra ka një kosto të lartë për fermerët e varfër shqiptarë, në një kohë që këta të fundit nuk janë të sigurt as nëse shteti apo privati do t’ua tërheqin prodhimin në fund. Ndonëse çmimi i grurit është rritur disa herë gjatë dy viteve të fundit, ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë nuk mendojnë se kultivimi i tij është zgjidhja më e mirë për fermerin shqiptar. Por vetë fermerët po rrisin në mënyrë vetjake sipërfaqet e kultivuara me drithëra. Ndërsa rritja e çmimit të drithrave në tregjet ndërkombëtare s’ka të ndalur, Shqipëria duket se do të vazhdojë të varet tërësisht nga importi. Ekspertë të ndryshëm në fushën e bujqësisë po kërkojnë orientimin përmes politikave qeveritare në prodhimin e drithrave, por përgjigjja nga Ministria e Bujqësisë vjen e prerë. Prodhimi i drithrave në vend nuk vlerësohet si zgjidhja më e mirë për fermerin edhe pse çmimi i tij është trefishuar dy vitet e fundit. Drithrat nuk futen në skemat nxitëse të prodhimit të hartuara nga kjo ministri dhe argumentet janë të shumta: së pari, kostot e prodhimit nuk do të arrinin të ishin ato të vendeve të mëdha prodhuese, çka do të thotë se çmimi gjithsesi nuk do të ishte më i ulët për konsumatorin. Toka arë në dispozicion është e vogël, çka nuk do të siguronte as prodhimin vendas e jo më eksportet apo diktimin e çmimit në nivel rajonal e më tej.

Rriten sipërfaqet e mbjella me drithra

Zërat për rritje çmimi për produkte të ndryshme, por mbi të gjitha për drithrat, kanë mbërritur në veshin e fermerit, i cili e ka reflektuar atë në ndryshimin e mbjelljeve për shumë produkte. Lajmërimi që në fillim të vitit të kaluar për tendencën e vazhdueshme të rritjes së çmimit të grurit në tregun ndërkombëtar, duket se është arsyeja e rritjes së sipërfaqeve të mbjella me grurë në vend. Sipas të dhënave nga MBUMK-ja, vjeshtën e kaluar u mbollën rreth 82 mijë hektarë grurë, ose rreth 9 mijë hektarë më shumë se një vit më parë. Mbjellja e grurit rezultoi kështu në nivele më të larta se ato të parashikuara nga ekspertët e ministrisë.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›