Cmimet, shqiptaret tani 7 miliarde me shume per ushqimet
Rritja e çmimit të bukës me 25 për qind, ose deri në 100 lekë/kg do t’u shpenzojë shqiptarëve 7 miliardë lekë më shumë në vit
Ervin Koçi
Çmimet e produkteve të konsumit, që kanë marrë të përpjetën, sidomos gjatë dy javëve të fundit në të gjithë vendin, nuk janë rritur të gjitha progresivisht. Mjafton një vëzhgim i thjeshtë në disa prej tregjeve periferike të kryeqytetit për të konstatuar fare lehtë spekulimin që bëhet me çmimet e mjaft prej produkteve. Në disa raste janë tregtarët e vegjël që shtrenjtojnë çmimet e artikujve të konsumit me qëllim përfitimin sa më të madh, por më shpesh janë grosistët që abuzojnë sistematikisht me to. Kjo gjë është konstatuar në tregjet ushqimore të Rrugës së Kavajës pranë Fabrikës së Birrës dhe në tregun e ish-uzinës “Dinamo”, ku në të dy janë bashkë grosistët, ashtu dhe tregtarët e pakicës. Në këto tregje arrin të konstatosh fare lehtë luhatjen e çmimeve, si dhe se kush e ka fajin për rritjen. Tregtarët e pakicës shprehen se ata në çdo artikull kërkojnë që të marrin vetëm fitimin e tyre minimal, pra 10-12 për qind, por janë grosistët ata që rrisin çmimet sa herë që atyre “nuk u dalin mirë llogaritë”. Rritja konstatohet vetëm tek artikujt kryesorë të shportës, si tek vaji i gatimit, mielli, makaronat, orizi, sheqeri dhe detergjentet kryesore larëse. Ndërsa mjaft artikuj të tjerë, që futen po nga të njëjtët grosistë dhe nga të njëjtat vende ku blihen dhe produktet e mësipërme, nuk kanë ndryshuar. Për këtë grosistët ua vënë fajin doganave, bursave ndërkombëtare, apo dhe disa taksave specifike, por pa ditur t’i shpjegojnë mirë. Por mjafton që të bësh një kalkulim të thjeshtë dhe shikon që rritja është vetëm spekulative, duke përfituar edhe nga mosinteresimi i shtetit.
Spekulimi me çmimin e bukës
Prodhuesit e miellit në vend pohojnë në mënyrë konfidenciale se, “në bazë të tendencës në bursat ndërkombëtare, çmimi duhet të rritet vetëm 5 për qind. Por ai është rritur tashmë me 25 për qind dhe pritet të rritet deri në 50 për qind në ditët në vijim”. Por pasi çmimi i bukës së përditshme është rritur nga 80 lekë në 100 lekë për kg, shqiptarët duhet të shpenzojnë tani 7 miliardë lekë më shumë këtë vit, vetëm për të blerë ushqimin bazë në tryezës së tyre, bukën. Këtë llogari të thjeshtë e shpjegon për gazetën “Albania” ekonomistja Vilma Gjeçi, sipas së cilës “një familje prej 4 vetash do të shpenzojë 600 lekë në muaj më shumë për produktin jetik”. Nga ana tjetër, ndërsa një kilogram bukë ka filluar të shitet me 100 lekë në disa pika shitje në kryeqytet (pra me një rritje 25 për qind), shtrenjtimi i bukës është me më shumë se 5 për qind, gjë për importuesit e grurit dhe prodhuesit e miellit konsiderohet si abuzive. Drejtuesit e “Miell Tirana” tregojnë për gazetën se për dy muajt në vazhdim çmimi i një kilogrami miell në daljen e tij nga fabrika nuk do të rritet më shumë se 5 për qind, çka do të thotë se 1 kg miell do t’u kushtojë prodhuesve të bukës nga 58 në 62-63 lekë.
Abuzimi i bukëpjekësve
Tendenca e prodhuesve të bukës flet për një rritje në vazhdim deri në 120 lekë/kilogrami. Por, nëse edhe prodhuesit e bukës do të aplikonin po të njëjjtën rritje çmimi (5 për qind), buka prej 1 kg nuk do t’i kalonte 85 lekët nga 80 lekë që shitej deri tani. Kësaj radhe flitet për rritje çmimi vetëm si rezultat i rritjes së çmimit të grurit, ndërsa faktorë të tjerë nuk janë përmendur nga prodhuesit e bukës. Në bazë të të dhënave të importit dhe prodhimit në vend, tregu shqiptar konsumon rreth 600 mijë tonë grurë në vit dhe 200 mijë tonë misër. Pjesa më e madhe e tij shkon për prodhimin e bukës. Në bazë të vlerësimeve të konsumit, një shqiptar konsumon mesatarisht 300 gramë në ditë, ose 110 kg bukë në vit. Ndaj konsumi total përfundimtar në vendin tonë arrin në rreth 352 mijë tonë bukë në vit, me vlerë prej 28.2 miliardë lekësh (80 lekë/kg), rreth 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, sipas ekonomistes Gjeçi, “me rritjen e çmimit të bukës me 25 për qind, deri në 100 lekë, rezulton se shqiptarët do të shpenzojnë 7 miliardë lekë më shumë në vit”. Nisur nga tendenca e tregut drejt çmimit 120 lekë, sipas ekonomistëve, shpenzimet e shqiptarëve vetëm për konsumin e bukës do të arrinin në 42.2 miliardë lekë, ose 14 miliardë më shumë sesa në momentin që buka kushtonte 80 lekë. Megjithatë, rritja prej 120 lekësh për kg vlerësohet e pabazë si nga importuesit dhe prodhuesit e miellit, ashtu edhe nga ekspertët e Ministrisë së Financave, sipas të cilëve vetë tregu nuk do të lejojë një çmim të tillë. I vetmi instrument nga ana e shtetit që mund të influencojë në “frenimin” e çmimit është rritja e deklarimit të të ardhurave subjektit dhe taksave për çmimet që rrit.
Efekt zinxhir në çmime
Rritja e çmimit të drithërave, edhe pse jo në nivelet e pretenduara nga prodhuesit e bukës, është një efekt që po mban në trysni tregun vendas prej më shumë se një viti. Rritja e çmimit të drithërave vlerësohet si burimi i rritjes së çmimeve për pothuajse të gjitha produktet ushqimore deri edhe në sektorin e shërbimeve. Edhe prodhuesit e industrisë ushqimore në vend paralajmërojnë rritje çmimesh brenda pak muajsh, si rezultat i rritjes së kostos së lëndës së parë. Ndërkohë, politikat në vend për shumë arsye nuk favorizojnë prodhimin e drithërave në vend.
8 Shkurt 2008