Ministria e Bujqësisë nxit fermerët për mbjelljen e drufrutorëve
Nëse rendimenti i grurit prej 3 kv për dynym mund të sjellë të ardhura jo më shumë se një mijë euro në vit, mbjellja e së njëjtës sipërfaqeje me mollë sjell rreth 4.5 mijë euro të ardhura në vit, pasi prodhueshmëria llogaritet në rreth 5 tonë. Rreth 10 milionë dollarë janë parashikuar gjatë këtij viti për financimet e drejtpërdrejta në vreshta, pemëtari, perime e blegtori. Në këta sektorë do të nxitet prodhimi i vajit të virgjër të ullirit, certifikimi i produkteve, blerja e teknologjisë për kooperativat, ngritja e pemëtoreve dhe vreshtave të reja si dhe mbarështimi i blegtorisë. Arsyeja kryesore e nxitjes së prodhimeve të vreshtave, ullishteve dhe perimeve, sipas zëdhënësit të MBUMK-së Rexhep Shahu, është konkurrueshmëria më e lartë e vendit tonë në këto produkte dhe të ardhurat më të mëdha që fermeri mund të realizojë. Nga disa përllogaritje të thjeshta, fermerit (me sipërfaqe të vogla toke në dispozicion) i leverdis më shumë të mbjellë mollë se drithra. Nëse rendimenti i grurit prej 3 kuintal për dynym mund të sjellë të ardhura jo më shumë se një mijë euro, mbjellja e së njëjtës sipërfaqeje me mollë sjell rreth 4.5 mijë euro të ardhura në vit, pasi prodhueshmëria llogaritet në rreth 5 tonë.
Rusia dhe Ukraina, furnizuesit kryesorë në Shqipërisë me drithra
Tregu shqiptar, por dhe ai rajonal, furnizohen kryesisht me drithrat e prodhuara në Rusi dhe Ukrainë. Në bazë të të dhënave nga ACIT-i, gjatë vitit të kaluar rreth 53 për qind e importeve të grurit janë siguruar nga Rusia. Pikërisht për të ulur eksportet e tij të drithrave, shteti rus ka vendosur të aplikojë taksën e eksportit 30-50 dollarë për ton. Importuesit vendas tregojnë se kjo sigurisht ndikon në rritjen e çmimit, megjithatë pritet që gjatë këtij viti të rriten importet nga Ukraina apo vende të tjera me çmime më të ulëta të drithrave.
9 Shkurt 2008