Fabrikat e miellit: “Bukën e rritin furrat e vogla spekulatore”
Nga 1 janari 2008, tatimi mbi fitimin për prodhuesit e bukës ra në 10 për qind, ose 2.5 herë. Një kg miell del aktualisht nga fabrika me rreth 43 lekë
Ervin Koçi
Prodhuesit e miellit marrin guximin të parët për të denoncuar skemën spekulative të rritjes galopante të çmimit të bukës në vend. Disa prej firmave më të mëdha të prodhimit dhe tregtimit të miellit në vend thonë se shtrenjtimi vjen direkt nga prodhuesit e vegjël të bukës që kanë në pronësi furrat pjekëse dhe pikat e shitjes. Këta të fundit, sipas disa menaxherëve të shitjes së miellit, janë burimi kryesor i rritjes artificiale të çmimit të bukës. “Prodhuesit dhe tregtuesit e bukës janë arsyeja e vetme që çmimi i bukës është rritur mbi 25 për qind, pasi ata për të mbuluar shpenzimet e tyre kanë vendosur me marrëveshje shtrenjtimin e bukës duke rritur fitimin deri në 50 për qind”, - thotë për “Albania”-n Genti M., menaxher në fabrikën e miellit “Tirana”. Një tjetër menaxher i një tjetër fabrike mielli thotë për gazetën: “Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Bukës luan prej kohësh në treg rolin e një “karteli”, i cili dikton direkt te tregtarët dhe prodhuesit çmimin e shitjes së bukës në kryeqytet dhe në mjaft rrethe kryesore të vendit”. Nga ana e tyre, prodhuesit e mëdhenj të miellit kanë filluar bisedimet me Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje se si mund të zbutet kriza e çmimeve që ka përfshirë tregun e drithërave. Kërkesa kryesore e prodhuesve të miellit është ajo për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, i cili rrit me 20 për qind çmimin e miellit në treg. Adi Haxhiymeri, pronar i fabrikës "Bloja", një nga më të mëdhatë në vend, tha për gazetën: “Drejtuesit e Ministrisë së Financave kanë pranuar të marrin në shqyrtim mundësinë e heqjes së TVSH-së për miellin”. Por mësohet se kjo kërkesë ka hasur në kundërshtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që gjithmonë është pozicionuar kundër heqjes së TVSH-së. "Kërkesa jonë është që të paktën deri në korrik, sa të fillojnë të korrat e reja, qeveria të heqë TVSH-në për miellin", - tha Haxhiymeri. Aktualisht, 22 për qind e çmimit të miellit
në treg kalon në buxhetin e qeverisë në formën e taksave. Nga këto, 20 për qind TVSH dhe 2 për qind taksë doganore. Por pjesa e çmimit të bukës që shkon në shtet është më e madhe. Kjo pasi aty futet çmimi i energjisë, akcizat për karburantin, si dhe zërat e tjerë të kostos që qeveria i takson.
Abuzimi i furrave dhe prodhuesve
Një kilogram miell del aktualisht nga fabrika me një çmim të përafërt prej 43 lekësh. Sipas Enver Ferizajt, president i KASH-it, prodhuesit e bukës e blejnë një kilogram miell me një çmim prej afro 60 lekë. Në kohën kur çmimi i miellit ishte 30 lekë me shumicë, prodhuesit e bukës e merrnin atë me 38 lekë përfshirë dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Në atë kohë, çmimi i bukës në treg ishte 60 lekë. "Në bazë të këtij krahasimi, çmimi aktual prej 100 lekësh i bukës lë hapësira për dyshime. Unë besoj se brenda këtij çmimi ka dhe abuzime", - thotë Ferizaj. Që nga 1 janari i vitit 2008, tatimi mbi fitimin për prodhuesit e bukës ka rënë në 10 për qind ose me 2.5 herë.
Çmimi i bukës
Pak ditë më parë, prodhuesit e bukës deklaruan se do të rrisnin çmimin e shitjes së bukës. Kjo pasi, sipas tyre, është rritur kostoja e prodhimit të saj si pasojë e rritjes së çmimit të miellit dhe çmimit të karburanteve. Por ndaj këtij vendimi të prodhuesve të bukës kanë reaguar konsumatorët, të cilët shprehen se me të ardhurat që ata kanë nuk mund ta përballojnë këtë ndryshim çmimesh. Por prodhuesit e bukës kanë paralajmëruar sërish se do të rrisin më tej çmimin për ta çuar atë në nivelin e 120 lekëve, për një bukë të standardit 800-850 gramë, sipas “zemërgjerësisë” së bukëpjekësit. E thënë ndryshe, kjo do të thotë se çmimi i bukës në Shqipëri do të arrijë në 1 euro.
Inflacioni i çmimeve
Muaji i parë i vitit 2008 ka qenë goxha i kushtueshëm për konsumatorët shqiptarë, çka pritet të ndikojë edhe në normën e inflacionit. Prej disa ditësh, në çdo dyqan pakice në kryeqytet çmimet e mallrave të shportës kanë pësuar rritje. Si të mos mjaftonte rritja e dritave dhe e bukës, gjatë kësaj kohe është rritur edhe çmimi i vajit, miellit, sheqerit dhe
orizit. Herën e fundit, një situatë e tillë u pa në shtator dhe tetor të vitit të kaluar, kur zëri i ushqimeve në indeksin e çmimeve të konsumit u rrit deri me 9.4 për qind në bazë vjetore, rritja më e madhe mujore e shënuar që nga viti 1998. Çmimi i vajit të lulediellit
p.sh, kushtonte 160 deri në 170 lekë për litër verën e kaluar, u rrit deri në 190 lekë për litër në shtator 2007 dhe sot kushton deri në 250 lekë për litër. Rrogëtarët dhe pensionistët janë të parët që preken nga ky ndryshim çmimesh, kjo pasi edhe blerjet e
tyre në treg janë të përqendruara në produktet ushqimore.
9 Shkurt 2008