Droga, 7 plumba i marrin jetën 26-vjeçarit
Fillimisht banorët menduan se krismat ishin fishekzjarre me rastin e 64-vjetorit të çlirimit të qytetit bregdetar
DURRËS – Prishje pazaresh, ndoshta të drogës, janë ato që kanë çuar në ekzekutimin e një 26-vjeçari dje në mesditë në qytetin e Durrësit. Sajmir Balla ndërroi jetë pas goditjes me shtatë plumba nga Orges Dervishi, 25 vjeç, banor i këtij qytetit. I ndihmuar nga Elis Tefa dhe një 17-vjeçar, autori u largua nga vendngjarja, ndërsa Balla, organet e të cilit u bënë copë nga plumbat, u dërgua në spitalin e Durrësit nga një shtetas italian, vetëm për të marrë konfirmimin nga bluzat e bardha se gjithçka kishte marrë fund. Disa orë pas ngjarjes, policia arrestoi tre persona të akuzuar për “vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Disa krisma u dëgjuan dje rreth orës 12:10 nga banorët e Durrësit e megjithatë shumë prej tyre menduan se ishin fishekzjarre me rastin e 64-vjetorit të çlirimit të qytetit. Dëshmitarët në vendngjarje u shprehën se 26-vjeçari Sajmir Balla ndodhej në një lokal dhe pranë tij ishte një grup i përbërë nga tre djem (përflitet se ishin edhe dy vajza). Pas një grindjeje, ngritjes së toneve në lokal dhe grushteve, djemtë dolën jashtë në rrugë për të vazhduar sherrin e tyre. Fjalë ofenduese të fjalorit të rrugës dhe më pas armët. Orges Dervishi, 25 vjeç, qëllon një herë mbi “armikun” e tij që përkulet nga dhimbja, por më pas nuk ndalet. Gjashtë plumba të tjerë pasojnë të parin, duke bërë që Balla të shtrihet përtokë. Autori bashkë me dy shokët e vet largohet nga vendi i krimit. Në mes të një pellgu gjaku dhe panikut, nuk u dëgjua asgjë përveçse një “Aiuto!” e lëshuar nga goja e një shtetasi italian, i cili ngriti viktimën, e vuri në bordin e makinës së tij dhe më pas u nis me shpejtësi në drejtim të urgjencës së spitalit të Durrësit. Mjekët që e futën Sajmirin drejt e në sallën e operacionit konfirmuan vdekjen e tij si pasojë e plagëve të marra. Në gjoks kishte katër goditje. Më e rrezikshmja i kishte kaluar pranë zemrës duke i shqyer aortën kryesore të furnizimit me gjak dhe duke i dhënë fund jetës së 26-vjeçarit.
Menjëherë pas sqarimit se nga erdhën krismat, policia u nis për në vendngjarje ku shoqëroi rreth 10 vetë për të dëshmuar për çka kishin parë. Italiani me emrin Mario, i cili dërgoi viktimën në spital u ndalua, ndërsa automjeti i tij, i shpuar nga plumbat u sekuestrua. Pranë shtëpisë së tij u dërguan njerëz, me mendimin se mund të ishte i njohur i autorëve të krimit. Në vendngjarja, veç gëzhojave ndodhej edhe pistoleta TT. Rreth tre orë më pas policia arriti të zbulonte automjetin që i përkiste autorëve të krimit. Pranë derës së klubit ndodhej një automjet tip “Audi” me targa të Tiranës, me xhama të hapur në krahun e shoferit. Në dokumentacionin e makinës u gjet identiteti i njërit prej autorëve.
Elis Tufa ishte një nga personat që u vetëdorëzua në komisariatin e policisë së Laçit. 23-vjeçari, banor i Burrelit, kërkoi të vetëdorëzohej. Ndërkaq, Orges Dervishi u prangos në qytetin e Tiranës, ndërsa 17-vjeçari Xh.M., u kap në Durrës. Burime nga policia cilësojnë si shkak për grindjen e më tej vrasjen, pazare të drogës, megjithëse pritet që hetimet të japin më tepër detaje.