Tragjedia, zbulohen të tjerë fajtorë
Shembja e pallatit ka shkaktuar rrezik për rrëshqitje dheu, por edhe çarje në ndërtesën e degës ushtarake
GJIROKASTËR- Të tjerë persona pritet që të vihen në pranga në ditët në vijim lidhur me shembjen e pallatit të dielën. Nën arrest do të jenë persona, emrat e të cilëve deri më tani nuk kanë qenë në “listën” e policisë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se shkak kryesor për arrestimin e përgjegjësve të firmës “Arti sh.p.k.” është moskontraktimi i një supervizori. Ky i fundit është i detyrueshëm ligjërisht, pasi mbikëqyr punimet që kryen firma dhe i vlerëson ato. Në fakt, mungesa e një mbikëqyrësi mund të ketë qenë shkak edhe për cilësinë e punimeve, çka ka çuar në shkaktimin e tragjedisë më 9 nëntor.
Hetimi
Pas dhënies së masës së arrestit për 10 të arrestuarit, ka nisur marrja në pyetje edhe e anëtarëve të Këshillit Teknik të KRRT-së. Marrja në pyetje është bërë me qëllim për t’u zbardhur rregullsitë e dhënies së lejes së ndërtimit për pallatin në buzë të rrugës nacionale Gjirokastër – Kakavijë. “Të gjithë personat e marrë në pyetje janë thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Po kështu për pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të investitorëve është marrë masa e sekuestros konservative për sigurimin e padisë civile”, bënë të ditur burime pranë organit të akuzës.
Zona
Rreziku mbetet prezent në zonën ku ndodhi rrëzimi i pallatit. Përfundimet paraprake të studimit sizmik të kryer pak ditë pas ngjarjes tregojnë se e gjithë zona ka probleme për shkak të shkarjeve masive të dheut, të cilat ekzistojnë në një sipërfaqe të konsiderueshme. Për shkak të gërmimeve, e gjithë sipërfaqja nga rruga nacionale e deri në ndërtesën e degës ushtarake ka shkarje të mëdha dhe është e pasigurt, ndërsa edhe disa ndërtesa pranë pallatit kanë pësuar çarje. Ende nuk dihet sesi do të zgjidhet kjo çështje, në një kohë që nga ana e vetë kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, mohohen të gjitha këto probleme. Për dekada me radhë, pikërisht në fundin e kësaj kodre dhe ngjitur me rrugën nacionale ka ekzistuar një brez betoni, që shërbente pikërisht për shmangien e këtij rreziku.
Kontributi
Edhe uniformat blu si të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, ashtu edhe të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë kontribuar për ngjarjen. Falë një pjese të kontributeve, tetë prej banorëve të dëmtuar nga ngjarja e datës 9 nëntor do të pajisen me pasaporta falas. Shkatërrimi i pallatit bëri që pothuajse të gjitha dokumentet e tyre personale të zhdukeshin dhe për këtë qëllim ata kanë kërkuar të marrin pasaporta të reja. Ato do të mundësohen brenda një afati prej 24 orësh. “Në kuadër të sensibilizimit të përgjithshëm për ngjarjen e së dielës, edhe efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë dhënë kontributet e tyre. Një pjesë do të përdoren për nxjerrjen e pasaportave për personat që i kanë kërkuar, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë në numrin e llogarisë të çelur për këtë qëllim”, u shpreh zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.