E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunoi kryepolicin, lihet arrest në shtëpi

MASA/ Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë për kryetarin e këshillit bashkiak të Koplikut

SHKODËR - Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar si masë sigurie “arrest në shtëpi” për kryetarin e këshillit bashkiak të Koplikut në Malësi të Madhe, Ardjan Hysa. Ai është përballur me togat e zeza me akuzën e “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policies”. Avokati mbrojtës kërkoi masë të lehtë sigurie për Hysën duke e argumentuar me rrezikshmërinë e ulët që ai paraqet, me funksionin që mban dhe me faktin që nuk ka qenë i dënuar më parë, kërkesë e cila u pranua nga gjyqtari. Ardjan Hysa, i cili është kryetar i këshillit bashkiak të qytetit të Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe u ndalua nga policia të martën, pasi një ditë më parë kishte kundërshtuar duke përdorur dhunë fizike shefin e sektorit të policisë kriminale të komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe, Arben Prendoj. Më 10 nëntor familjarë të kryetarit të këshillit bashkiak patën një konflikt mes tyre dhe efektivë të policisë së Malësisë së Madhe shkuan dhe ndërhynë për shuarjen e konfliktit, ndërsa shoqëruan në komisariat për shpjegime personat e përfshirë në këtë konflikt, mes të cilëve dhe dy vëllezërit e kryetarit të këshillit bashkiak. Sipas policisë,në mjediset e komisariatit të policisë, kreu i këshillit bashkiak kundërshtoi me forcë dhe dhunë fizike Prendojin çka solli dhe ndalimin e tij. Deri në përfundim të hetimeve, kryetari i këshillit bashkiak të Koplikut do të qëndrojë në “arrest shtëpie”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›