E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit, 19 vetë nën akuzë

OPERACIONI/ Policia ka ndërmarrë një aksion në shumë qytete kundër organizimit të paligjshëm të lotarive

Policia ka nisur një aksion kundër lojërave të fatit në shumë prej qyteteve të vendit, duke vënë në pranga 7 persona dhe duke sekuestruar dhjetëra makineri e kompjutera. Kështu, në qytetin e Durrësit, 7 vetë u arrestuan për organizim lotarish të paligjshme. Uniformat blu njoftuan se në pranga përfunduan shtetasit: Klajdi Bozo, Elton Velaj, BenetKaraj, Arjan Vasvari, Nasil Alikaj, Nik Zogu, Emiljano Gjepali. Ishte një “sulm” i përgjithshëm ndaj lokaleve që merren me lojëra fati, të cilët u vunë në shënjestër të organeve të specializuara pasi ushtronin lotari të palejuara. Në orët e vona të natës, furgonët e policisë së Sektorit kundër Krimit Financiar, bashkë me Policinë Tatimore kaluan në “sitë” shumë lokale, të cilëve duket se “nuk u ka ndritur fati”. Ndërsa në qytetin e Korçës janë mbyllur 6 pika bastesh dhe lojëra fati. Pronarët e tyre janë ndaluar. Shkak për këtë ka qenë edhe një sulm i bërë disa ditë më parë ku u grabitën dhe u plagosën disa persona. Operacioni i policisë është zhvilluar në Pogradec, Devoll, Korçë dhe Kolonjë, teksa janë bllokuar vetëm në 60 minuta plot 6 pika lotosh sportive dhe lojërash fati. Të ndaluar janë pronarët dhe konkretisht Iliaz Dino, Eriol Haxhillari, Robert Qafko, Genci Spaho, Betim Koçiu, Luan Tollozhina. Përveç mbylljes së këtyre aktiviteteve të paligjshme, policia sekuestroi edhe disa kompjutera e pajisje. Ndërkaq operacionipritet të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme për të “vizuar” të gjitha këto pika bastesh dhe lojërash fati të hapura në çdo cep të qytetit të Korçës kryesisht, por dhe në rrethet e tjera të këtij qarku. Në Gjirokastër policia bllokoi dy lokale të palicencuara lojërash fati. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se gjatë kontrolleve u evidentuan dy ambiente të marrë me qira, që përdoreshin për këtë qëllim në lagjen “18 shtatori”. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e parë, u gjetën dhe u sekuestruan 14 kompjutera elektronikë dhe një ruletë elektronike, ndërsa në lokalin e dytë u gjetën dhe u sekuestruan 5 kompjutera elektronikë. Dy shtetasit që administronin këto lojëra, ndiqen në gjendje të lirë për veprat penale të “organizimit të lotarive të palejuara” dhe “vënies në dispozicion të lokaleve për ushtrim të palejuar të lojërave të fatit”. Ndërsa në Elbasan u sekuestruan 19 pajisje dhe, sipas policisë, filloi procedimi penal për 4 persona që administronin këto pajisje. Gjatë orëve të mbrëmjes u kontrolluan disa lokale në lagjen “Kala”, “Brigada 17 Sulmuese” dhe “11 Nëntori”. Operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim dhe masa do të jetë sekuestrim i aparaturave. Kjo masë ka evituar atë të gjobës, e cila ishte aplikuar më parë nga tatimet dhe policia, por shumica nuk e paguan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›