E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Berishës i “duhet” Rama?

Gëzim Podgorica 

Pothuaj të gjithë janë në një mendje dhe të bindur se Rama nuk do të japë dorëheqjen. Kjo jo thjesht nga deklaratat pa ekuivok të tij, por edhe nga e gjithë sjellja politike dhe strategjia që ai ka ndërtuar që përpara fushatës. Rama erdhi në krye të PS-së duke humbur një herë në konkurrim të drejtpërdrejtë dhe një herë përmes platformës, por ai nuk e pranoi dhe me një manipulim të pashoq “pushtoi” selinë rozë. Në mendësinë e tij politike nuk ngjan se ekziston kultura e dorëheqjes, pavarësisht standardit të krijuar prej socialistëve. Por ai duke qenë se në vetvete nuk është aspak socialist, ka imunitetin e nevojshëm për t’i rezistuar imponimit civil që sjell ky standard.  Ai tani ka jo vetëm alibitë, por ka pas vetes edhe një detashment që e ka sjellë të gatshëm për vetësakrifikim politik, model që jo vetëm që nuk ka asnjë kontakt me politikën e re, por është një ngjashmëri e frikshme e atyre që mbanin në këmbë diktaturën dhe intensifikonin përtej platformës egërsinë e saj.
Ditët e fundit kanë qenë vërtet të ngarkuara me personazhe, që jo vetëm nuk prodhojnë aspak politikë, por prodhojnë vetëm dëshmi servilizmi dhe devocioni për kryetarin, si shpërblim edhe për përfshirjen e pamerituar në lista. Emra të harruar, por edhe eunukë të rinj, nuk po lënë rast mediatik pa shfrytëzuar për kërcënime që jo vetëm çudisin për thelbin e tyre, por më keq se kaq, degradojnë keqas besueshmërinë e politikës si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Argumenti politik më i papranueshëm për mosnjohjen e zgjedhjeve, për ngrirjen e 64 deputetëve dhe mbajtjen e tyre “nën armë” është shkëmbimi me një mandat deputeti. Cilado qoftë e drejta, tregu politik nuk mund të pranojë kurrsesi një bursë të tillë, të cilën për fat të keq nuk kursehen ta mbrojnë përmes një forme bolshevike protagonistë të lodhur të jetës politike në vend. Berisha që vëzhgon i qetë reagimet pa vizion që vijnë nga selia rozë, reagime që mbajnë erë krize e nervozizmi për mundësinë e mbajtjes nën kontroll të partisë, llogarit që më mirë një kundërshtar si Rama që betohet për forcë, sepse ndjen dobësi, se sa një profil të ri që energjinë politike të së majtës do ta administronte pozitivisht. Rama dëshmoi se nuk mundi ta marrë pushtetin kur ai ishte më afër se kurrë, dhe jo të jetë garant pas katër vitesh, kur probleme që kanë filluar të shfaqen do të tensionojnë marrëdhëniet në PS. Disiplina e hekurt e saj erdhi si rezultat më shumë i përfshirjes në lista, ankth që ka mbaruar, por që tani merr formën e revoltës jo vetëm për humbjen, por edhe për mënyrën e sjelljes dhe të vendimmarrjes nga Rama, që një ditë disa prej tyre janë betuar që “do na e paguajë”. Partia Socialiste do të përfshihet edhe nga një konflikt i brendshëm i atyre që pa asnjë kontribut të spikatur dhe pa asnjë lidhje me këtë forcë politike u ulën në kolltukët e parlamentit, me figura tradicionale që, pavarësisht profileve dhe integritetit, nuk do të mund të durojnë injorimin që ka filluar t’u bëhet nga të parët. Mes këtyre dy palëve do të konturohet shumë shpejt një përplasje reale dhe e bazuar, e cila do të prishë atë unitet fals që shfaqet në ekrane. Një strukturë ndonëse e vogël e deputetëve aktualë, pavarësisht mjaft përgjegjësive që kanë, nuk mund ta durojnë bashkëjetesën me personazhe jo vetëm pa kontribute politike, por edhe me personazhe që do të kërkojnë protagonizmin e pamerituar. Nëse janë toleruar deri tani për hir të llogarisë së pushtetit, nesër jo vetëm që nuk do tolerohen, por do të identifikohen si pjesa që nuk ka asnjë lidhje me PS-në dhe që shumë shpejt duhet ta kalojnë në periferi. Ky tensionim marrëdhëniesh që është i justifikuar dhe i pashmangshëm, do të vonojë reformimin e PS-së, e cila ka nevojë urgjente për ta bërë një gjë të tillë. Ajo sot është një parti pa identitet të përcaktuar, pa platformë dhe që përpiqet t’i dalë zot votave të majta, që janë më tepër produkt i instinktit të brendshëm që socialistët kanë dhe jo e bindjes për politikën e re. Konflikti midis atyre që kanë votuar për të majtën dhe atyre që drejtojnë dhe që për fat të keq të votuesve nuk janë dhe nuk ndjehen me bindje të majta do të thellojë ndarjen, por edhe konfliktin, të cilin  vazhdimësia e këtij lidershipi do ta thellojë edhe më tej. Rama, i cili gjatë gjithë kohës do të drejtojë duke qenë përgjegjësi direkt i humbjes së zgjedhjeve, pavarësisht se çfarë artikulimesh pa sens politikani bën sot, nuk do të ketë më luksin të jetë garanti i ndryshimit dhe fitores, por mbi të gjitha nuk mund të jetë as garanti i kohezionit të brendshëm, i cili që tani ka pësuar çarje të rënda. Ai do të jetë një humbës që premton, por që kreditet e garancisë për këtë i ka të ulëta. Rrjedhimisht nga një lider i fortë dhe imponues, nga një lider më shumë mediatik se sa i vërtetë në thelb, ai shumë shpejt do të kthehet në një drejtues, të cilit edhe të vetët do të guxojnë t’i numërojnë përgjegjësitë, duke mos u druajtur për të reaguar hapur. Ai pikërisht pse është i dobësuar, mundohet të nxjerrë në ekrane figura tradicionale të socialistëve që t’i futë të gjithë në rrugën e mëkatit, duke u hequr në publik të drejtën e një qëndrimi ndryshe. Ramën do ta dobësojë shumë shpejt pakënaqësia e militantëve që nuk morën premtimet e dhëna, të cilat nuk mund të kompensohen me emfazat mediatike apo thirrjet për të mbrojtur votat në rrugë. Ai këtë e prodhon vetëm për të ngritur alibi njëra pas tjetrës, mbasi është i bindur edhe vetë se jo vetëm që kjo nuk është zgjidhja, por edhe se pasuesit do të mungojnë. Personazhet e spikatur e të angazhuar në këtë fushatë elektorale në qendër e në bazë, të mprehur për të marrë postet e premtuara, do të xhelozohen kur të shohin që kontribuuesit e forcës tjetër të majtë LSI-së, do të ingranohen gradualisht në administratë. Dhe llogarinë për këtë do t’ia kërkojnë Ramës, pasi me Metën as ishin dhe as janë në një parti, aq më tepër që deklaratat e sotme jo vetëm që do kenë pësuar një inflacion të rëndë, por mund t’i nervozojnë edhe më shumë ata, sepse do e konsiderojnë si pjesë e një loje që përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë. Nëse sot kryetari i radhës së socialistëve e ndjen se e ka grupin e deputetëve nën kontroll, nuk ndodh kështu me strukturat poshtë. Entuziazmi dhe përkëdhelja e sedrës së njerëzve që kanë marrë mandat deputeti është krejt ndryshe me situatën e strukturave që kishin marrë shumë garanci dhe sot nuk kanë asgjë. Ata do të radikalizohen shumë shpejt dhe Rama nuk mund ta shuajë revoltën e tyre përmes joshjes me leje ndërtimi. E para se nuk mund t’ua bëjë qejfin të gjithëve, dhe e dyta që është edhe më e rëndësishmja: brenda natyrës së tij nuk ka asnjë shenjë filantropizmi. Ai sot thërret që jam forcuar dhe jam i vendosur më shumë se kurrë, sepse pikërisht është më i dobët dhe më i lodhur se asnjëherë. Jo vetëm për faktin se ka humbur, por edhe për atë që ai e ndjen se Berisha dhe Meta janë dy njerëz me energji të llahtarshme, që janë të vështirë për t’u mundur të vetëm, jo më kur janë të bashkuar. Pavarësisht se brenda Ramës mund të lëvizin instinkte hakmarrëse, veçanërisht ndaj Metës, i cili i dogji në dorë shumë karta njëkohësisht, ato janë të pamjaftueshme për të mbajtur PS-në nën kontroll e motivuar militantët. Vërtet Partia Socialiste mori një votë të lakmueshme në këto zgjedhje, por ajo votë ishte edhe reagim i dëshirës për të provuar atë çfarë trumbetohej përmes një demagogjie mediatike të stilizuar mjeshtërisht. Nuk mund të ndodhë më për së dyti! Aq më shumë, por siç tregon analiza e shifrave të zgjedhjeve, mosha mbi 70 vjeç kishte prirje për të votuar Ramën, ndërsa mosha 25 deri në 45 vjeç kishte prirje për të votuar Berishën, Metën dhe liderë të tjerë. Biologjikisht i bie që një pjesë e këtyre votuesve Ramës t’i mungojnë në zgjedhjet e ardhshme, por që tregon edhe faktin tjetër, kjo se ai me gjithë sforcon që bëri, nuk arriti të ngjisë me politikën e tij tek brezi që dikur e mbështeste. Ai mori votën e atyre që ia kanë dhënë simbolit, pa hyrë në dilemat e emrit të liderit. Ata do të jenë natyrshëm shumë më pak pas katër vitesh, por edhe më të inatosur me atë që premtoi të fitonte duke e përçarë rëndë të majtën.
Rama do të ketë edhe një provë shumë të vështirë së shpejti, që do të jenë zgjedhjet lokale. Edhe sikur të dojë, të vetët nuk do ta lejojnë të kandidojë dhe kështu ai do të humbë edhe imunitetin publik të kryetarit të Bashkisë. Ai kësisoj do të jetë i ekspozuar shumë lehtë ndaj kërkesave për penalizim ligjor, e cila në mos për t’i shkuar deri në fund, për ta mbajtur nën presion do të ekzistojë. Me më pak mundësi për benefice financiare e joshje të ndryshme, me shumë më pak mundësi për të influencuar në media, pa mandat deputeti, ai do të jetë shumë më i dobët se në këto zgjedhje. Nëse në zgjedhjet e fundit ai vinte pa pranuar humbjet e vogla elektorale, në zgjedhjet e ardhshme ai vjen si përgjegjës direkt i humbjes, pasi edhe në qofshin të vërteta akuzat, janë harruar deri atëherë dhe njerëzit mbajnë mend premtimet e Ramës dhe papunësinë e shtuar me katër vite më shumë. Asnjë tip nga G99-ta nuk mund t’ia kompensojë këtë, dhe ai që edhe sot e kësaj dite vazhdon të marrë borxh terma nga fushata që sapo u mbyll, do ta ketë shumë të vështirë të bindë dhe të japë garanci se është personi i duhur që do të udhëheqë drejt fitores.
Të gjitha këto, por edhe mjaft probleme të reja që do lindin brenda PS-së dhe që kanë për të patur si autor Ramën, Berishës do t’i vlejnë jo vetëm për të përfunduar i qetë mandatin e sapo marrë, por edhe për të mos u trazuar nga një kundërshtar i dobët. Atij, më shumë se asnjë tjetër i duhet Rama, pasi jo rastësisht edhe intrigoi për Blushin. Ai e goditi pikërisht për të mos e patur, e goditi për diversion, e goditi të nxisë Ramën që të rrisë kontrollin brenda partisë, të mbysë zërat kundër dhe kësisoj nga ideja se po forcon pozitat, ai në fakt do t’i dobësojë shumë më tepër ato. Sepse i ka të gjithë faktorët kundër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›