E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet rivali i Lul Cakës, i vrau vëllain për hakmarrje

Tiranë Interpol sjell në pranga Martin Begajn. Në Itali ai merrej edhe me shpërndarje kokaine

Italia sjell në pranga kundërshtarin e Lul Cakës. Dje, rreth orës 17:30, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana u krye ekstradimi nga Milano e Italisë drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Martin (Manol) Sefedin Begaj, 31 vjeç, lindur në Samaticë të Beratit. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 24, datë 15 mars 2001, e ka dënuar atë me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Sipas dosjes penale, Martin Begaj, në datën 29 nëntor 1999, në fshatin Samaticë të Beratit, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Bardhosh Caka. Motivi i kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë hakmarrja, pasi vëllai i viktimës, i cili ishte Lulëzim Caka, disa kohë më parë kishte vrarë shtetasin Kastriot Begaj, vëllai i personit të ekstraduar dje. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në datën 04 tetor 2009 u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Begajt. Ai ishte i njohur në botën e krimit në Berat pas vitit 1997 dhe ishte një nga kundërshtarët e Lulzim Cakës. Shqiptari 31-vjeçar, ndaj të cilit ekzistonte një urdhër arresti ndërkombëtar, është vënë në pranga nga karabinierët e Breshias. Pak kohë pas mbërritjes në Itali, Begaj hyri në një xhiro të shpërndarjes së kokainës. Lëvizjet e tij u pikasën shpejt nga karabinierët dhe pas një sërë hetimesh u bë i mundur arrestimi i tij. I kërkuari nga drejtësia shqiptare ndodhej në burg në pritje të ekstradimit. Ai kishte vrarë Bardhoshin, por ka plagosur edhe kushëririn e tij. Ndërkaq, vëllai tjetër i Lul Cakës, Juliani, kishte vrarë edhe kushëririn e Martin Begajt, Gentianin 22-vjeçar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›