E Diel, 1 Nëntor 2026

Transportoheshin nga mali 100 kg kanabis, kapen në Vergo

Vinte nga Lazarati

Vazhdojnë të sekuestrohen sasi të konsiderueshme kanabis që ka për origjinë fshatin e njohur Lazarat. Uniformat blu të Delvinës kapën dje një tjetër sasi lënde narkotike lazaratase, e cila kishte për destinacion të parë Sarandën. Pas një informacioni të marrë në rrugë operative, policia ka bllokuar në fshatin Vergo, 20 km larg nga qyteti i Delvinës, plot 100 kg lëndë narkotike.
Policia e Delvinës ka bërë të mundur bllokimin e automjetit tip “Audi” me targë gjermane, në të cilën u gjet një sasi prej 100 kg kanabis sativa. Pas kësaj është identifikuar e kapur edhe pronari i autoveturës dhe poseduesi i sasisë së bimës narkotike, të bërë gati për t’u trafikuar. Ai është 25-vjeçari Roland Astrit Ruçi, banor i Sarandës.

Burimet policore thanë se shtetasi Ruçi ka treguar që lënda narkotike ishte transportuar nga fshati Lazarat, nëpërmjet malit, me destinacion të parë Sarandën, për të vijuar pastaj rrugët e njohura të trafikut ndërkombëtar. Siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, 100 kg të lëndës narkotike do të merreshin nga një mjet lundrues që pritej të vinte nga ishulli i Korfuzit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›