Mashtroi të moshuarën, hetohet
I merr borxh një shumë të hollash një 60-vjeçareje, duke i lënë si garanci shtëpinë e tij, që në fakt ia kishte sekuestruar banka. Kështu ka vepruar një 44-vjeçar nga qyteti i Elbasanit, ndaj të cilit ka nisur procedimi penal për mashtrim. Sipas burimeve zyrtare, mesditën e së mërkurës rreth orës 12.00 ka filluar procedimi penal për 44-vjeçarin B. Ipeku, banues në lagjen “Skënderbej”. Në muajin gusht të vitit 2007 ai i kishte marrë 60-vjeçares P. K. një shumë prej dyqind mijë lekësh borxh, të cilat do t’ia kthente në një kohë të shkurtër dhe si garanci për to i kishte premtuar banesën e tij. Por, përkundër garancisë pasurore, ka rezultuar se 44-vjeçari kishte marrë dhe një kredi në një bankë, të cilën nuk e kishte shlyer dhe për këtë qëllim kjo bankë i kishte bllokuar të gjitha pasuritë në emër të tij. Sipas burimit në fjalë, premtimi ndaj 60-vjeçares P.K. ka qenë mashtrim me qëllim përfitimi.
#