Rrugorët e Durrësit, në aksion për motoçikletat
Aksidentet e shumta rrugore të ditëve të fundit, në të cilat kanë humbur jetën disa persona dhe janë gjymtuar disa të tjerë, i kanë nxjerrë në aksion inspektorët e policisë së qarkullimit rrugor në Durrës. Objekt i kontrolleve kanë qenë kryesisht motoçikletat, pasi dhe viktimat e ditëve të fundit kanë qenë drejtues ose pasagjerë në to. Natën e së mërkurës, dy të rinj nga Durrësi humbën jetën në një aksident me motor. Drejtuesi i motorit, Marsid Sulejmani, gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës në mesnatën mes së mërkurës dhe së enjtes. I riu u plagos rëndë pas përplasjes me një këmbësore që po kalonte në kahun tjetër të rrugës së plazhit dhe më pas motori doli jashtë rrugës. Ndërkohë që në të njëjtin aksident ka humbur jetën edhe pasagjeri i motorit, 17-vjeçari Jorgo Stafi.
AksioniXhemal Lushaj, shef i qarkullimit rrugor për Durrësin, tha se ditët e fundit janë bllokuar 40 motoçikleta të llojeve të ndryshme, të cilat qarkullonin nëpër rrugë pa dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa në të shumtën e rasteve drejtuesit e tyre nuk zotëronin lejen e drejtimit. Punonjës të policisë rrugore të Durrësit janë vendosur në segmente të ndryshme rrugore, me qëllim verifikimin e dokumentacionit përkatës në kuadër të zbatimit të një plani masash. Ndërkaq, paraditen e djeshme janë bllokuar 20 motorë të tjerë. “është vënë re se me përmirësimin e motit është shtuar ndjeshëm numri i motoçikletave në qarkullim, ndërsa drejtuesit e tyre neglizhojnë apo keqinformohen nga blerësit lidhur me detyrimet për dokumentacionin e nevojshëm, apo nuk kanë informacion lidhur me normat e qarkullimit të këtyre mjeteve në rrugë, duke u bërë kështu në jo pak raste burim aksidentesh rrugore”, tha një oficer i lartë i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Disiplinimi i këtyre mjeteve në trafik konsiderohet edhe si një masë parandaluese në drejtim të aksidenteve rrugore, veçanërisht në prag të sezonit veror, i cili sjell një ngarkesë relativisht të madhe në trafikun rrugor të qytetit të Durrësit. Aksionet e bëra edhe në vitet e kaluara kanë bërë të mundur që drejtuesit e tyre të marrin masa në drejtim të pajisjes me kaska mbrojtëse, të cilat konstatohet se shpesh mbahen në motor po nuk vendosen prej drejtuesve gjatë qarkullimit, si dhe targimit të këtyre mjeteve.
#