E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “Rritja e pensioneve është qesharake përballë çmimeve dhe deficitit buxhetor”



Eneida Jaçaj

Partia Socialiste ka reaguar sërish ndaj rritjes së pensioneve, duke e cilësuar mjaft qesharake përballë rritjes së çmimeve dhe deficitit buxhetor. Deputeti socialist, Ilir Beqja, argumentoi se pensionet nuk mund të rriten, sepse vetëm në 5 muaj qeveria ka 12 miliardë lekë deficite në dogana dhe tatime, të cilat vijnë nga korrupsioni dhe evazioni. Përpos kësaj, Beqja tha se është shtrenjtuar në 13% vetëm administrativisht energjia elektrike, në 26% vetëm administrativisht uji i pijshëm dhe janë shtrenjtuar 10-30% perimet.
Reagimi
“Ne sot denoncojmë veprimin e paligjshëm të Sali Berishës për të mos zbatuar indeksimin e pensioneve nga data 1 maj. Pra, ai dhe qeveria e tij e integrimit u kanë borxh 2 muaj pensione shqiptarëve. Sipas po këtij vendimi, ka një inflacion specifik për pensionistët, i cili, sipas të gjitha llogaritjeve, bazuar në shifrat zyrtare, është më shumë se 5%. Pra, rritja e pensioneve të qytetit është më pak se inflacioni. Prandaj ne përsëritim se sot pensionistët shqiptarë blejnë më pak se ç’blinin një vit më parë. Është e pamoralshme edhe ajo që thotë sot Sali Berisha, se ne jemi kundër rritjes së pensioneve. Jo. Ne jemi për rritjen e pensioneve. Për një rritje reale, për të përmirësuar jetesën e pensionistëve në qytet dhe në fshat”, - u shpreh Beqja. Sipas tij, rritja me 4% e pensioneve të qytetit është rritja më e ulët nga viti 2001 deri në vitin 2010. Deputeti socialist tha se vetëm 600 lekë më shumë u dha pensionistëve në qytet kryeministri Sali Berisha dhe po kaq kanë marrë që në vitin 2003. “Edhe në fshat rritja prej 10% është rritja e pensioneve më e ulët në 10 vitet e fundit. Ajo për të cilën ne jemi të shqetësuar është sepse kjo shtesë e pensioneve jo vetëm që nuk përballon jetesën minimale të pensionistëve, të cilët dua ta përsëris, blejnë sot më pak se ç’blinin para një viti, por po financohet me vetë kursimet e shqiptarëve”, - tha Beqja.
Borxhi
Deputeti Beqja ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministrit Sali Berisha se në vitin 2005 borxhi ka qenë 72%, ndërsa tani është 59.5%. Ai bëri të ditur se në vitin 2005 borxhi publik ka qenë më pak se 55% e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa në fund të vitit 2009 është 60% e Produktit të Brendshëm Bruto. “Berisha vazhdon të gënjejë. Të gënjejë gjithë ditët e vitit, nga mëngjesi deri në darkë. Shifrat janë zyrtare në faqen e internetit të Ministrisë së Financave”, - u shpreh Beqja, duke shtuar se “dua t’i kujtoj Sali Berishës se javën e kaluar përsëri e ndryshoi shifrën e deficitit buxhetor. Kishte thënë në janar se ishte 79 miliardë, tashti e ka 81 miliardë. Është ai që vazhdon të gënjejë në mënyrë sistematike për të gjitha shifrat e ekonomisë”.

6 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›