E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga e kapur në Turqi, furtunë shkarkimesh në Rinas

Furtunë shkarkimesh në
Komisariatin e Rinasit
pas skandalit të kapjes së
oficerit të këtij komisariati
me 200 kg heroinë në Turqi.
Burime zyrtare në Rinas bënë të
ditur se është shkarkuar nga
detyra shefi i drejtorisë rajonale
të kufirit të Rinasit, Gerion Seitllari,
si dhe shefi i kontrollorit në
këtë komisariat, Granit Halili. Sipas
informacioneve të policisë,
shkarkimet lidhen pas zhvillimit
të mëtejshëm të hetimeve që lidhen
me arrestimin e Altin Murrës,
si dhe për shkelje të rregullores së
disiplinës. Gjithashtu, policia deklaroi
se edhe gjashtë persona të
tjerë, në funksione të ndryshme
po hetohen në lidhje me këtë ngjarje
të rëndë.
Për shkarkimin e këtyre personave,
burimet nga grupi hetimor
bënë të ditur se janë angazhuar
strukturat e hetimit të krimit, si
dhe ato të Drejtorisë së Shërbimit
të Kontrollit të Brendshëm. Policia
tha se ata dyshohen se kanë pasur
kontakte të shumta me Altin Murrën,
i arrestuar pak ditë më parë në
Turqi me 200 kg heroinë, ndërkohë
që kanë bërë edhe shkelje të
rregullores së disiplinës. Sipas të
dhënave nga Drejtoria e Shërbimit
të Kontrollit të Brendshëm, Granit
Halili, duke qenë se ka qenë mik
i ngushtë me Murrën, dy ditë pas
arrestimit të tij, është nisur për në
Turqi, me qëllim për të marrë informacion
për të. Grupi hetimor
shpjegon se ai nuk ka marrë leje në
asnjë vend zyrtarisht dhe vetëm i
ka hipur avionit, duke udhëtuar
në drejtim të Stambollit. Grupi
hetimor i policisë shqiptare, që
dyshonte se Murra ishte i lidhur me
punonjës policie të tjerë në Tiranë,
e ka vënë re këtë fakt dhe ka
kërkuar informacion mbi këtë
udhëtim te shefi i Halilit, i cili aktualisht
mbante detyrën e shefit
të kontrollit në drejtorinë rajonale
të kufirit në Tiranë. Gjatë këtij hetimi,
policia ka zbuluar se Gerion
Seitllari, i cili ishte drejtor i drejtorisë
së lartpërmendur, ishte personi
që i kishte dhënë leje Halilit
dhe nuk e kishte deklaruar një gjë
të tillë tek autoritetet përkatëse.
Në këto kushte, policia, duke
bashkëpunuar edhe me Drejtorinë
e Shërbimit të Kontrollit të
Brendshëm, ka vendosur shkarkimin
e tyre nga detyra për shkelje
të rregullores së disiplinës.
Megjithatë, asnjëri prej të shkarkuarve
nuk e ka pranuar këtë
fakt dhe janë përgatitur për të
hedhur në gjyq grupin hetimor.
Halili ka deklaruar se ka shkuar
në Turqi për problemet e tij personale
dhe nuk e dinte se kjo do
të sillte shqetësim për grupin hetimor,
ndërsa Seitllari është
shprehur se po përgatiste dokumentet
përkatëse për lejen e
dhënë dhe se nuk mendonte se
do të sillte ndonjë shkelje të
madhe vonesa e vënies në dijeni
për largimin e oficerit të policisë.
Ata kanë ngritur dyshimet se
janë goditur nga strukturat përkatëse
thjesht nga njohjet që
kishin me Altin Murrën.
Pak ditë më parë, policia turke
arrestoi me 200 kg heroinë në
Stamboll oficerin e policisë kufitare
të Tiranës pranë Aeroportit të
Rinasit, Altin Murrën, 27 vjeç, me
gradën policore nënkomisar. Vlera
e mallit të sekuestruar në Stamboll
besohet se arrin afërsisht shifrën
e dy milionë eurove. Veç tij,
policia turke ka kapur edhe dy
persona të tjerë, të cilët janë
Burhan Markeci, 39 vjeç, nga Dibra,
dhe Nalton Jaçaj, 35 vjeç nga
Tirana. Murra ka mbaruar Akademinë
e Policisë në Ankara në
vitin 2006 dhe në vitin 2007 është
emëruar në Rinas, si specialist
pranë laboratorit të Komisariatit
të Aeroportit, e ndërsa më pas ka
kaluar në rolin e kontrollorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›