E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndizet situata në KQZ, debat mes anëtarëve

Ndizet situata në KQZ. Tri ditë përpara zgjedhjeve u shënua përplasja e parë publike mes kryetarit të KQZ, Arben Ristani, dhe nënkryetares Dëshira Subashi. Shkak për konfrontimin u bë një vendim për sasinë shtesë të fletëve të votimit, ku Subashi akuzoi Ristanin për mungesë transparence, çka çoi më pas në ndërprerjen e mbledhjes. Sipas Subashit, KQZ nuk mund të ndryshojë listat e zgjedhësve tri ditë para votimeve dhe për më tepër të dhënat që erdhën nga Komuna Fierzë ishin të paprotokolluara. Qëndrimit të saj iu bashkua edhe anëtari tjetër i komisionit, Artan Laze, i cili më herët replikoi ashpër me kryetarin Ristani.

Subashi-Ristani

Vota e të burgosurve në burgun e Fushë-Krujës dhe të Kosovës në Fierzë të Elbasanit, ka irrituar nënkryetaren e KQZ-së që pas debatit është larguar nga mbledhja. "50 vendime që ka marrë KQZ ne kemi qenë të ndarë në votë. Unë deklaroj se kemi qenë të ndarë në pikat më të nxehta të procesit, atje ku ne nuk duhet të ndaheshim, atje ku nuk funksiononte vota kundër. Ky është mesazhi që unë jap. Më vjen keq seriozisht për juve", tha Subashi, e cila ka marrë përgjigjen e kryetarit të KQZ-së. "Mos të të vijë keq për mua, qëndroni konform punës", tha Ristani. Debati vijoi më tej kur në mbrojtje të punës së saj, Subashi tha se "nuk jam këtu për t‘i bërë freks askujt, jam për të bërë detyrën time ashtu siç e mendoj, me përgjegjësi të plotë dhe natyrisht nuk do rri në këtë tavolinë sa kohë që shikoj se procesi cenohet. Gjithë ajo punë e vendimmarrjes së KQZ mund të shkelmohet vetëm me një vendimmarrje". Ndërkohë që nënkryetarja e KQZ-së largohej nga salla e mbledhjes, kryetari Ristani tha se "do duhet të them që procesi ka mbarëvajtje shumë të mirë. Por ju kujtoj se nëse mungoni dy herë rresht do u kërkoj të përjashtoheni nga komisioni në bazë të ligjit. Po mundoheni me të gjitha forcat të bëni pis procesin".

Zguri-Laze

Përfaqësuesi i PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arben Laze, debatoi ashpër me Klement Zgurin dhe Arben Ristanin. "Fakti që po flisni me zë të lartë nuk do të thotë se keni të drejtë. Po të ishit në një seancë gjyqësore ju do të ishit paragjykuar thjesht nga toni. Mund të keni të drejtë që administrata punon dhe që punon deri në orët e vona, por nuk e di për kë punon", tha Laze. Ka qenë e menjëhershme përgjigjja e Zgurit duke iu drejtuar përfaqësuesit të mbetur të PS-së pas largimit të Subashit tha se "ti ikën që në orën 3, kur ke ndenjur ndonjëherë pas orës 24.00 më thua?". Si përgjigje, Laze shtoi se "nuk flemë bashkë dhe nuk jemi në një zyrë bashkë", duke marrë si kundërpërgjigje nga Zguri se "po mirë është të flemë që të shikoje si punon administrata". Pak përpara largimit, Laze ka marrë edhe "thumbimin" e Ristanit i cili theksoi se "burracakët largohen nga beteja", që është pasuar nga kundërpërgjigjja e Lazes, "më vjen keq që ju përdorni këtë gjuhë, por ky është problem i atyre që u kanë zgjedhur. Nuk duhen të përdoren gjëra të tilla, burracak, morracak apo gjëra të tilla".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›