E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqipëria me fitoren e PS nis një epokë të re

Aty ku janë mbledhur demokratët një ditë më parë, po në sheshin e Bezistanit, janë mbledhur dje socialistët. Ndërsa 14 kandidatët për deputetë kanë përshëndetur vetëm me nga një pasazh urimi elektoral për fitoren e PS, ndërsa gjatë fjalimit të Ramës ka gjëmuar sheshi nga brohoritjet. "Vota e 28 qershorit është beteja kundër fëmijëve pa libra dhe kundër analfabetizmit, është beteja kundër varfërisë, është beteja për të drejtat e grave dhe të vajzave, për punësimin e rinisë dhe bashkimin e emigrantëve me familjet e tyre, është beteja për standarde të reja në arsim e shëndetësi, është beteja kundër korrupsionit, është beteja që Shqipëria do të nisë një epokë të re me fitoren plebishitare të PS dhe aleatëve të saj", është shprehur Rama. Sipas tij që nga koha kur Shqipëria u nda nga diktatura komuniste dhe izolimit total, 18 vitet e qeverisjeve të politikanëve me mentalitet të vjetruar e kanë lodhur këtë vend dhe nuk kanë ditur e nuk kanë dashur që ky popull të jetojë ashtu siç e meriton. "Ju kujtoj të gjithë pushtetarëve të të gjitha niveleve sikurse kryekomunarëve e kryebashkiakëve që kanë ndërmend nën flamurin e PD e fuqisë që u jep ende pushteti të mos luajnë e të mos cenojnë aspak votën e lirë të njerëzve të lirë", theksoi kryetari i PS-së, Rama. Më tej, ai ka theksuar se edhe tri ditë e ndajnë Shqipërinë dhe popullin e saj nga kjo qeveri që s‘e kanë merituar qëkurse pushtetarët aktualë do të uleshin në karriget ministrore. "Përpara këtij mitingu madhështor, dua të shpreh besimin tim absolut se Elbasani në zemër të Shqipërisë dhe e tërë Shqipëria do t‘i japë kryeplakut të politikës së vjetër shqiptare dhe oborrtarëve të tij fanatikë një mësim historik me votën e tyre pas dy ditësh", tha Rama. Gjithashtu, Rama dje paradite ka zhvilluar edhe një takim përmbyllës në Cërrik, ku i ka premtuar këtij qyteti si shumë të tjerëve të këtij lloji në Shqipëri punësim, progres dhe mirëqenie për të gjithë. Në të dy mitingjet Rama ka premtuar solemnisht heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët në fillim të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›