Berisha mbyll turin: S‘duhet të votojmë kolektivisht
Kryeministri mbyll turin elektoral në rrethe. Në Korçë, kreu i qeverisë, për herë të fundit në këtë fushatë elektorale inauguroi rrugën Qukës - Qafë-Plloç, e rëndësishme për Korçën, Mokrën, Librazhdin e mbarë Shqipërinë. Për herë të parë, Kryeministri Berisha bëri thirrje që në zgjedhjet e 28 qershorit të mos votohet familjarisht. "Edhe unë familjarisht shkoj, por atje të mos votojmë kolektivisht, sepse kjo është e papranueshme si standard europian. Për këto zgjedhje ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t‘i bërë ato më të bukurat, më të mirat në historinë e këtij vendi", tha ai. Kryeministri Berisha inauguroi, dje pasdite, fillimin e punimeve për ndërtimin e Lotit të parë të rrugës Qukës - Qafë-Plloç. E gjithë rruga ka një gjatësi 37 kilometra dhe është 12.5 metra e gjerë, financimi i të cilës kap në total shifrën 7 miliardë lekë. Ndërsa investimi për Lotin e parë të rrugës arrin vlerën 500 milionë lekë. Ndërtimi i kësaj vepre infrastrukturore përmban parametrat e një rruge moderne të standardeve europiane dhe ajo shkurton distancën me rreth 15 kilometra. "Ne rikthejmë sot rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera. Por, kam kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse kjo rrugë shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës me Tiranën, çka është një qëllim madhor i imi. Për mua, gjëja më e çmuar që kemi ne është koha, prandaj, sa më shumë kohë të kursejmë, aq më shpejt do të zhvillohemi", tha Berisha. Kryetari i PD-së pohoi se paralel me këtë projekt, do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e autostradës së re Elbasan - Tiranë. Berisha shtoi se fton të gjithë socialistët dhe qytetarët pa parti që të bashkohen në projektin e Shqipërisë europiane.