Republikanët mbyllin fushatën elektorale
Partia Republikane ka mbyllur dje në Tiranë, në ambientet e pallatit të sportit "Asllan Rusi" fushatën elektorale. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, para mbështetësve të kësaj force politike u ka bërë thirrje të gjithë kryeqytetasve që në zgjedhjet e 28 qershorit të votojnë Partinë Republikane për të ardhmen europiane. "Edhe dy ditë dhe data 28 do të jetë hapja e të gjithë Shqipërisë, për ta bërë Shqipërinë Europiane, ashti siç na takon, sepse Zoti na ka vendosur në këtë vend të mrekullueshëm, sepse historia është histori europiane, sepse e ardhmja e vendit nuk mund të jetë ndryshe veçse e ardhme europiane. E pra, në datë 28 qershor do t‘i japim më shumë kuptim, më shumë shpresë, më shumë jetë çdo qytetari shqiptar", theksoi Mediu. Kreu republikan tha se votat e dhëna më 2005 për t‘i dhënë qeverisjen mazhorancës aktuale, realizuan anëtarësimin e NATO-s dhe votat më 28 qershor për nr. 16, PR-në, do të sjellin standarde edhe më të larta.