E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga e ruajtur nga polici, arrestohet edhe një kultivues tjetër hashashi



SHKODËR – Ka shkuar në katër numri i personave të arrestuar në lidhje me kultivimin e një parcele me 7000 rrënjë Cannabis sativa, e cila ruhej nga një agjent i Luftës Kundër Drogës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ditën e premte u arrestua shtetasi Smajl Kurtaj, me akuzën për prodhim dhe shpërndarje të bimëve narkotike. Sipas tyre, prangosja u bë në vijim të operacionit "Bliri", i cili ka filluar dy ditë më parë. I arrestuari Kurtaj, lindur e banues në fshatin Ura e Shtrejtë, të komunës së Postribës, në rrethin e Shkodrës, dyshohet si pronar i dy thasëve me 13 kilogramë bimë narkotike, në gjendje të thatë. Ndalimi u bë pasi gjatë kontrollit në afërsi të banesës së tij, punonjësit e seksionit të luftës kundër drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës gjetën dhe sekuestruan dy thasë me erën karakteristike të Cannabis sativas, që dyshohet se është e Smajl Kurtajt dhe e vëllait të tij, Fatjon Kurtaj, i ndaluar dy ditë më parë, me të njëjtën akuzë. Përveç tyre, operacioni “Blini” përfundoi me arrestimin e Shpëtim Gurit, agjent i Sektorit të Luftës Kundër Drogës pranë Drejtorisë së Policisë. Ai ishte prej tre muajsh nën hetim nga policia dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Së fundi, u mblodhën prova të cilat faktonin se Guri kishte marrë përsipër për të ruajtur parcelën me 7000 rrënjë Cannabis. Ai është vënë përballë akuzës së shpërdorimit të detyrës.

SHKURTE

Hetim 60-vjeçarit, shkatërroi rrjetin telefonik

KORÇË – Një 60-vjeçar ka shkatërruar rrjetin telefonik të një operatori privat, pasi linjat kalonin në pronën e tij, por denoncimi i kryer nga pronari, ka bërë që ai të shoqërohet. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se administratori i firmës telefonike “EDI 20 sh.p.k”, ka bërë një denoncim ndaj qytetarit Anesti Demiraj, 60 vjeç banues në fshatin Ecmenik të komunës së Progrit në rrethin e Devollit. Denoncimi është bërë pasi sipas firmës telefonike, Demiraj ka dëmtuar rrjetin e telefonit që i kalonte përpara shtëpisë së tij. Pas marrjes së informacionit, janë kryen veprimet procedurale dhe është vendosur që ndaj 60-vjeçarit të nisin hetimet në gjendje të lirë, për veprën penale të “shkatërrimit të rrjetit telefonik”.

Tre djem në pranga për vjedhje kasetofonësh

KORÇË - Zbulohet grupi i vjedhjes së kasetofonëve të makinave në qytetin e Korçës. Burimet zyrtare të policisë lokale, thanë se dy të rinj, janë vënë në pranga pasi janë të dyshuar për disa vjedhje, mes të cilave dy të fundit, vjedhja e dy kasetofonëve nga dy makina, së bashku me një të tretë që ndodhet i arrestuar. “Pas një pune intensive është bërë arrestimi i dy personave Danjel Metko 21 vjeç, i dënuar dhe më parë për vjedhje dhe Ervis Lici, 19 vjeç”, thanë burimet zyrtare të policisë. Ndalimi i këtyre personave u bë pasi në datë 7 tetor 2008 në bashkëpunim dhe me Leonard Shehu, i ndaluar një ditë më parë, kanë vjedhur kasetofonin dhe dokumentet e makinës tip “Hundai” me targa YEN 6188, si dhe mjetit tjetër “Nisan” me targa YOP 2893.

Grabitja, bie në pranga edhe autori i tretë

DURRËS – Zbardhet e gjithë grabitja me dhunë e një 21-vjeçari të ndodhur më 24 gusht të këtij viti, ku dy ditë më parë ka rënë në pranga edhe autori i tretë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se u bë i mundur identifikimi i shtetasit Ylli Jakupi, 32 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 16 të qytetit bregdetar. 32-vjeçari, i dënuar më parë për shpërndarje lëndësh narkotike, është ndaluar në orët e vona të së enjtes. Ai së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, Artur Balla dhe Ilir Çuka grabitën dhe dhunuan shtetasin R. M., 21 vjeç, duke i marrë një aparat celular, një varëse floriri dhe 3000 lekë të vjetra.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›